Ekspertët: 2017-a vit jo i lehtë, sektori bankar me sfida të karakterit politik

Viti elektoral i 2017-ës nuk parashikohet me sfida edhe për sistemin bankar në vend, kryesisht të karakterit elektoral. Ekonomia dhe bankat pritet të çlirohen pas zgjedhjeve, ndërsa niveli i kredive me probleme mbetet i lartë. Në një intervistë për Ora News, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, thotë se kërkohen rregullatore ligjorë që ti japin bankave mundësinë për të udhëhequr rritjen ekonomike të vendit.

Viti 2017 nuk do të jetë një vit i lehtë as për sistemin bankar në vend e rrjedhimisht as për rritjen e ekonomike të parashikuar nga qeveria në nivelin 3.8%.

Në një intervistë të dhënë për Ora News, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli thotë se sfidat e bankave janë të karakterit politik më shumë sesa ekonomik.

Brumbulli: Janë zgjedhjet edhe në Shqipëri, zgjedhja e Presidentit, zgjedhjet parlamentare, por janë zgjedhjet më tej dhe në vendet e zhvilluara të BE që ndikojnë jo pak në klimën e përgjithshme të investitorëve të huaj dhe në nxitjen e projekteve të reja që investitorët e huaj kërkojnë të marrin pjesë në tregjet në zhvillim. Sa më pak të zgjasë periudha e zgjedhjeve aq më pozitive do të jetë për stimulimin e biznesit, komunitetit të biznesit në projektet dhe idetë e reja që ato do të kenë.

Shqetësimi vjion të qendrojë mbi nivelin e kredive me probleme në 18-24%, ndërsa ato janë mbuluar me financimin e aksionerëve.

Brumbulli: Kredia me probleme bashkëjeton për sa kohë ka portofol kredia nëpër banka, çështja shtrohet tek niveli i kredisë me probleme.Është 20% një nivel i pranueshëm dhe normal. Jo sigurisht që nuk është, është shumë i lartë, kërkohen rregullime të karakterit ligjor dhe rregullativ, kërkohen masa dhe organizative, kërkohet dhe apeli social ndaj të gjithë atyre që kanë detyrime ndaj bankave për të qenë më të ndërgjegjshëm dhe më vullnetarë për shlyerjen e kredive.

Rezulton se ka një mungesë kërkese për kredi, kryesisht nga bizneset, pra mungesë investimesh të reja, për të ti dhënë fuqi këtij sistemi të udhëheqë ekonominë.

Brumbulli: Nëse ne nuk marrim kërkesë nga biznesi portofoli i kredisë nuk rritet, ose rritet me rritje të vogël siç është aktualisht, rritet gati me xhidipinë. Kreditimi nuk mbështet aq sa dëshirojmë ne rritjen e mëtejshme të ekonomisë.

Ndërsa pritet që legjislacioni i ri për ligjin e falimentit, përmbaruesit apo sigurimin e depozitave të rregullojë çështjen e mbledhjes së kredive, për bankat shfaqet shqetësues mosmarrëveshjet ligjore që kanë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Brumbulli: Nuk e pranojmë si të moralshme në biznesin tonë që industria bankare të ketë mosmarrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ka probleme psh për trajtimin e kolateraleve, për marrjen e kolateraleve në posedim nga bankat. Trajtimi fiskal i tyre nuk është shumë i qartë.