Shoku i klasës i uron 75-vjetorin Ndrenikës: U shtoftë magjia e artit tënd!

Në këtë 75 vjetor të aktorit Robert Ndrenika nuk kanë munguar urimet nga miqtë dhe kolegët e tij.

Një urim special ikonës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare i vjen nga dramaturgu dhe regjisori i njohur i skenës shqiptare, Pëllumb Kulla.

“Kurrë unë nuk jam ndalur e nuk të kam thënë atë që do të të them pikërisht sot. Atë që, ti i dashuri im, je një artist i madh, nga ata të ndriturit, nga ata që skenës dhe ekranit i vijnë rrallë, shumë rrallë. Ti je nga ajo racë aktorësh që të zbukurojnë jetën dhe që i japin pavdekshmëri teatrit” i shkruan mikut të tij Kulla.

ROBERT NDRENIKA SHËNON SOT 75!
Edhe ju më të rinjtë do të vinit te 75-at!
Berti i dashur, ta uroj këtë ditë të shënuar. Ti, i shtrenjti Bert, meriton që sot, veç e veç, tok e tok, shtëpi më shtëpi, studjo më studjo, auditor më auditor, njerëzit të trokasin gotat me mendjen tek vitet e tua gjurmëlënës në skenat dhe ekranet e shqiptarëve.
Me ty, o shoku im i klasës dhe i shkollës, o miku im i vjetër, kemi kaluar bashkë një pjesë të mirë të këtyre viteve. Kemi biseduar dhe kemi qarë halle, jemi tallur e kemi ngacmuar njëri tjetrin, por kurrë unë nuk jam ndalur e nuk të kam thënë atë që do të të them pikërisht sot. Atë që, ti i dashuri im, je një artist i madh, nga ata të ndriturit, nga ata që skenës dhe ekranit i vijnë rrallë, shumë rrallë. Ti je nga ajo racë aktorësh që të zbukurojnë jetën dhe që i japin pavdekshmëri teatrit. asaj loje magjepsëse ku njerëzit qeshin e qajnë për ca realitete të sajuara bukur. Ti, Bert, je nga ata aktorë të paktë që janë mjeshtra dhe në ndërtimin e figurave komike, dhe po aq mbresëlënës me karakteret dramatikë.
Ti ke bërë aq shumë sa njerëzve kur u flitet për teatrin, mëndja u shkon vetëm tek artistë si ti.
Paç jetë të gjatë mes familjarëve të tu, mes miqve të tu dhe u shtoftë edhe më tej magjia e artit tënd!