France 24:Shqipëria më e korruptuara në Europë,bëhet parajsa e plehrave

Ligji i importit të plehrave, duket se ka marrë jehonë të gjerë edhe përtej kufinjve, aq sa është pasqyruar edhe në televizionin ndërkombëtar francez “France 24”. Pikërisht ky i fundit ka zhvilluar një kronikë speciale për çështjen e shumëdebatuar. “France 24” e nis kronikën e saj duke thënë se qeveria shqiptare, po ngulmon për miratimin e këtij ligji, pavarësisht kundërshtisë që ka ndeshur nga shoqëria civile, por edhe Presidenti.
“Qeveria shqiptare po shtyn për një ligj që do të legalizojë importimin e mbetjeve të para në vend. Autoritetet thonë se kjo do të sigurojë një rritje të ndjeshme në sektorin e riciklimit dhe ekonominë e gjerë. Por shumë qytetarë kanë shprehur dyshime në aftësinë e autoriteteve për të monitoruar në mënyrë strikte importin e mbetjeve, kjo në vendin më të korruptuar të Europës, i cili tashmë është duke luftuar me tonelata mbeturina të papërpunuara”,- e nis kronikën e saj televizioni francez
Televizioni francez ka qenë në vendin tonë ku ka pyetur nga afër si biznesmenët e interesuar për këtë ligj ashtu edhe shoqërinë civile që është shprehur e palëvizshme se është kundër importit të mbetjeve. Sipas biznesmenëve, kjo do të hapë me qindra vende pune dhe se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për riciklimin e këtyre mbetjeve. Mes të intervistuarve është edhe Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduart Shalsi i cili sqaron se vendi ynë nuk ka si synim depozitimin e plehrave, por do të importojë vetëm ato mbetje që sipas tij futen në “listën e gjelbër të BE”.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se zhurma e krijuar se Shqipëria do të kthehet në një depozitë të mbetjeve është e pavërtetë. Ajo që ne do të importojmë është ajo që në BE quhet si lista e gjelbër e mbetjeve”,-është shprehur Shalsi
Në mbylljë të speciales, “France 24” shprehet se qeveria shqiptare po kërkon ta kthejë vendin në një parajsë të riciklimit të mbetjeve, por duhet të marrë parasysh kapacitetet që ka dhe vështirësitë që ky import krijon.
“Shqipëria po kërkon të kthehet në parajsën e riciklimit të mbetjeve në Evropë. Por sa është e mundur kjo për shtetin më të korruptuar të Europës, dhe që e ka mjaft të vështirë kontrollin e territorit dhe të doganave? Sa siguri ofron Shqipëria për qytetarët e saj se çfarë do të importohet dhe si do të riciklohet? Për të gjitha këto, qeveria duhet të japë një përgjigje, përpara se ky ligj të nisë zbatim”,-e mbyll specialen e saj televizioni francez
Sakaq, ligji i importit të plehrave që ishte parashikuar të kalonte këtë të enjte në Kuvend, është shtyrë për vitin tjetër, pas kundërshtimeve që ka pasur edhe brenda vetë mazhorancës.