Ushtria dhe policia serbe në këmbë: Duam ushqim dhe strehim!

“Le të protestojnë sa të duan, le të kërcënojnë, por para nuk ka më shumë se sa u kemi ndarë!”, tha kryeministri i Serbisë, Vuçiq, me rastin e protestës së përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar të ushtrisë dhe policisë.

Nga Sevdail Hyseni

Rreth dy mijë sindikalistë nga radhët e ushtrisë dhe policisë serbe, të dielën e 11 dhjetorit, u gjendën përballë godinës së Qeverisë të Serbisë, për të protestuar në shenjë revolti për kushtet e vështira të jetesës.

– Ushtari është kategoria më e rrezikuar në Serbi, thotë  kryetari i sindikatave, Velko Mijailoviq, duke vënë në spikamë problemet financiare me të cilat po ballafaqohet ushtria dhe policia, të cilat kërkojnë rritje të pagave.

 “Befasitë po përgatiten, ngase jemi të bashkuar për të bërë çdo gjë në përputhje me ligjin. Pensionistët ushtarakë nuk kanë shtëpi, ata jetojnë në kasolle dhe varfëri, ndërsa burokracia po lulëzon”, theksoi sindikalisti Mijailoviq.

Gjatë tubimit protestues, gjithashtu, u tha se përfaqësuesit e ushtrisë dhe policisë, nuk ishin grumbulluar për të mbështetur “të kaltrit, të verdhët, të gjelbrit, ngase të gjithë janë të njëjtë” dhe se politikanët po e shkatërrojnë ushtrinë, duke i rekrutuar policët në “huliganë të tyre”.

“Le të protestojnë sa të duan, le të kërcënojnë, por para nuk ka më shumë se sa u kemi ndarë!”, tha kryeministri i Serbisë, Vuçiq, me rastin e protestës së përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar të ushtrisë dhe policisë.

Protestuesit mbanin në duar flamuj dhe pankarta me mbishkrime: “S’ka drejtësi në Serbi!”, “Zogjtë vdesin duke kënduar, a pensionistët ushtarakë duke pritur banesa!” etj.

Siç bëjnë të ditura mediet serbe, protesta kaloi e qetë, ndonëse trafiku rrugor ishte i bllokuar për disa orë.