Oketa: Pse iu bashkova me një ditë vonesë protestës së dhjetorit ‘90

Gazmend Oketa, ish-studenti i Inxhinierisë së Ndërtimit, iu bashkua një ditë me vonesë protestës së 8 dhjetorit ‘90.

Por, nga ajo ditë ai nuk u shkëput për asnjë çast nga lëvizja demokratike, që mundi të ndryshojë jetën e shqiptarëve. Z.Oketa tregon për “Gazeta Shqiptare” si u përfshi në lëvizjen e dhjetorit, më pas hyrjen në grevën e urisë në shkurt të ‘91-shi, angazhimin në politikë dhe zhgënjimin e madh se edhe pas 26 viteve demokraci, Shqipërinë nuk e sheh ende pjesë të familjes evropiane.

Z.Oketa, si e kujtoni protestën e 8 dhjetorit të ‘90-ës?

Së pari, do doja t’ju thosha se po u përgjigjem pyetjeve tuaja në respekt të gazetës suaj, por të jem i sinqertë që në fillim, më duket se përsëritja e ritualit të kujtimeve të dhjetorit 1990 është bërë disi e tepruar dhe përdorimi që i është bërë përgjithësisht asaj periudhe të heq dëshirën për të folur për të. Megjithatë, po kaloj tek pyetja juaj. Unë personalisht jetoja dhe ende vazhdoj të jetoj në qytetin tim të Durrësit dhe gjatë ditës së parë të protestës nuk kam qenë i pranishëm, pasi studentët e Durrësit nuk sistemoheshin nëpër konvikte. Plus faktin që studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit, ku unë studioja, i kishin konviktet në një zonë tjetër të Tiranës. Me atë që po ndodhte në “Qytetin Studenti’ jemi njohur të dielën e 9 dhjetorit 1990 dhe me padurim kemi pritur të shkonim në Tiranë për t’iu bashkuar asaj lëvizjeje, e cila do ndryshonte shumë gjëra në rrjedhën e jetës së shqiptarëve, por edhe të vetë shtetit shqiptar. Situata jo vetëm në “Qytetin Studenti”, por në të gjithë Shqipërinë ishte mjaft e ngarkuar dhe mjaftueshëm e gatshme për një përmbysje të sistemit të asaj kohe. Mjafton të kujtojmë largimin e parë masiv të shqiptarëve në korrik të 1990-ës, duke hyrë në ambasadat e huaja në Tiranë; rënien e Murit të Berlinit, rënien e regjimeve komuniste në vendet e Lindjes dhe ku besoj se fundi i Çausheskut në Rumani përcolli një mesazh shumë të fortë edhe për drejtuesit komunist të Shqipërisë. Të gjitha këto bënë që lëvizja studentore, e cila filloi në “Qytetin Studenti” të kishte një përkrahje masive edhe nga qytetarët e Tiranës, të pasohej më pas me lëvizje të ngjashme në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe të bënte të mundur rënien e regjimit të fundit dhe më të egër komunist.

Si u përfshitë në lëvizjen e dhjetorit?

U përfshiva si të gjithë ata studentë e studente të tjerë. Si të gjithë ata studentë, të cilët dëshira për ndryshim, dëshira për ta bërë edhe Shqipërinë një vend të lirë e demokratik, dëshirë kjo e shtyrë dhe nga energjia që ka çdo brez i ri, bëri të mundur që ajo lëvizje të ishte e suksesshme. Shpirti i revoltës së brendshme ndaj atij sistemi tek unë ekzistonte. Ishte diçka që vinte krejt natyrshëm dhe e ushqyer dhe nga familja ime. Për këto arsye, unë u bëra pjesë e lëvizjes studentore të dhjetorit 1990. Më duket një gjë krejt normale, një gjë të cilën do ta bënte edhe çdo i ri apo e re i rritur në ditët e sotme, nëse do ishte student në ato vite.

Çfarë mbani mend nga ato ditë dhe a e kishit menduar se nga një protestë e vogël, që nisi për fikjen e dritave do të bëhej shkas për rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri?

Unë e përmenda më lart se terreni për një protestë mbarë popullore ishte i gatshëm, mjaftonte një shkëndijë dhe ai do të ndizej menjëherë. Fikja e dritave ishte ndoshta ajo “shkëndijë” që u përdor nga studentët për të filluar atë, që më pas nuk do të ndalej dot as nga regjimi i asaj kohe. Sigurisht historia ka rëndësinë e saj, por atë duhet t’ua lëmë ta shkruajnë historianët. Sot pas 26 vitesh, më shumë se sa për kujtimet e asaj periudhe, duhet të flasim për çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq. Besoj se kjo do ishte më e dobishme se kujtimet tona, të cilat pak ose aspak u interesojnë qytetarëve.

Si e shikoni faktin që shumë ish-studentë të dhjetorit u përfshinë në politikë deri dhe lider politikë?

Sigurisht që e shoh si një fakt shumë pozitiv, por duhet thënë se jo të gjithë studentët e dhjetorit u përfshinë në jetën politike. Numri i atyre që morën pjesë në atë lëvizje është shumë herë më i madh se i atyre që u angazhuan në politikën aktive. Fatkeqësisht një numër jo i vogël e la Shqipërinë, duke kërkuar një jetë më të mirë në Perëndim; një pjesë tjetër dhanë kontributin e tyre gjatë atyre ditëve e më pas u tërhoqën në jetën e tyre profesionale e familjare. Personalisht gjithmonë kisha menduar se misioni im politik si qytetar e student i asaj kohe kishte mbaruar me grevën e urisë së studentëve dhe rënien përfundimtare të komunizmit në zgjedhjet e vitit 1992. Por, me sa duket isha gabuar. Në 2005-ën u angazhova në zgjedhjet e atij viti dhe jeta ime mori një rrjedhë tjetër, duke kaluar nga profesioni i inxhinierit në atë të politikanit. Shpresoj që me angazhimin tim në politikë, të kem kontribuar sado pak dhe të kem përfaqësuar siç duhet ëndrrën e pjesës më të pastër e idealiste të atij brezi, të cilit i përkas.

Studentët thirrën “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, por për cilat arsye sot Shqipëria nuk është bërë ende pjesë e familjes evropiane?

Ndoshta ky është një nga zhgënjimet e mia më të mëdha. Sigurisht që për shkak të izolimit dhe diktaturës shumë të egër komuniste, rruga e Shqipërisë drejt BE-së dhe një shteti demokratik nuk do të ishte e lehtë, por nuk e kisha menduar se me kalimin e viteve do të bëhej akoma më e vështirë. Në viti 1990, shqiptarët u ngritën kundër një regjimi dhe një partie totalitare, ndërsa sot kemi disa parti simotra të saj dhe disa liderë njëri më totalitar se tjetri. Shqiptarët e para 1990-ës ishin pa pronë, sot një pjesë e vogël zotëron shumë prona, kryesisht të vjedhura duke abuzuar me pushtetin. Pronarët e vërtetë kanë duarve vetëm letra, një pjesë tjetër pushton apo vritet për një pëllëmbë tokë që nuk është e tyre. Gjatë këtyre 26 viteve të përndjekurit politikë janë përdorur politikisht, por atyre kurrë nuk iu dha vendi dhe respekti i merituar. Shqipëria e para 1990-ës nuk kishte drejtësi, kjo e sotmja ka shumë padrejtësi. Dje po të flisje kundër regjimit, përfundoje i burgosur politik në Spaç, sot edhe pastruesja rrezikon t’i lë fëmijët pa bukë nëse nuk deklaron votën për partinë-shtet, që vjen sipas radhës në pushtet. Njeriun e ri që filloi ta eksperimentojë diktatori Hoxha, e kompletuan ata që morën në dorë fatet e demokracisë së brishtë shqiptare pas viti 1990. Shqipëria si gjithë Europa besoj se është dhe ëndrra e të rinjve të sotëm, por është një ëndërr që do të mbetët e parealizuar edhe për disa breza të tjerë, nëse nuk largohen nga skena politike të gjithë ata individë, si nga e majta edhe nga e djathta, që kanë pasur në dorë fatet e këtij vendi gjatë këtyre 26 viteve. Një brez i ri politikanësh dhe njerëzish që e duan vërtet Shqipërinë duhet të ngrihet e të jetë vendimmarrës. Për sa kohë shqiptarët do të mbështesin këta liderë apo do të fshihen pas tyre, Shqipëria europiane do të mbetet vetëm një ëndërr, pavarësisht progresit pozitiv që mund të konstatohet në raportet e publikuara në letër.-Dita