Babai ngacmonte me duar fëmijët, Nëna: “Nuk i puthte si një prind”

32-vjeçar Denis Shmili akuzohet për ngacmim seksual ndaj fëmijëve të tij, përkatësisht 6 dhe 7- vjeçar

Një nënë e dhunuar ka rrëfyer një krim që trondit opinion publik, për shkak të ndjeshmërisë dhe temës delikate e të rëndë, e cila është kthyer në një problem të shoqërisë. Ajo ka denoncuar në polici, ish-bashkëshortin e saj nën akuzën e ngacmimit seksual ndaj fëmijëve të tyre, përkatësisht 6 dhe 7 -vjeçar. 32-vjeçar Denis Shmili është vënë në pranga menjëherë pas denoncimit nga ana  e Komisariatit nr.3 të Tiranës. Mbi të rëndon edhe akuza që ish-bashkëshortja e tij 29- vjeçare ka ngritur, ajo e dhunës psikologjike ndaj saj, gjë e cila solli dhe divorcin mes tyre.

Rrëfimi

Në polici nëna 29-vjeçare R.M, zbardh se, si ka ndodhur sipas saj ngjarja e rëndë. Ajo e traumatizuar mes lotëve ka thënë se: “Kam 2 vite që vërej se ish-bashkëshorti më ngacmon fëmijët. Para një viti i pashë të ngacmonte me duar djalin dhe vajzën dhe jo t’i puthte e përqafonte si një prind. Vendosa të divorcohem prej tij. Duke parë se veprimet e tij vazhdojnë ende vendosa ta denoncoj”. Burime nga Policia e Tiranës raportojnë dhe theksojnë se çifti kishte mbi një vit që ishte divorcuar, pas konflikteve të vazhdueshme që kishin midis tyre, ardhur dhe nga këto skema që nëna pretendon. Po këto burime nga policia e kryeqytetit thanë se 32-vjeçari i arrestuar është praktikant i fesë myslimane, ndonëse akuzat për të cilat ai do të përgjigjet para drejtësisë bien ndesh me parimet elementare të fesë.

Denoncimi ndaj tij është bërë në Komisariatin nr.3 të Tiranës nga nëna e djalit dhe vajzës së mitur të ngacmuar seksualisht nga babai i tyre. Episodi i rëndë ka ndodhur përpara divorcit, rreth 1 vit më parë, kur bashkëshortët dhe fëmijët jetonin së bashku në një banesë. Nën praninë e psikologut, të miturit janë marrë në pyetje duke shfaqur shenja traumatizimi. Ndërkohë, babai i arrestuar nuk i ka pranuar akuzat e që bën përgjegjës ish-bashkëshorten, e cila mashtron për këtë histori. Shmili nga ana e tij ka thënë se është një besimtar i devotshëm dhe se fëmijëve iu falte vetëm dashuri atërore. Nga ana tjetër ish-bashkëshortja ka kërkuar urdhër mbrojtjeje nga gjykata pasi sipas saj, 32-vjeçari e dhunonte psikologjikisht me qëllim që ajo të vazhdonte martesën me të. Policia po heton për zbardhjen e vërtetë të kësaj ngjarjeje.

Rrëfimi i gruas

“Kam 2 vite që vërej se ish-bashkëshorti më ngacmon fëmijët. Para një viti i pashë të ngacmonte me duar djalin dhe vajzën, dhe jo t’i puthte e përqafonte si një prind. Vendosa të divorcohem prej tij. Duke parë se veprimet e tij vazhdojnë ende vendosa ta denoncoj”.

 

Mohimi i akuzës

Ndërkohë babai i arrestuar nuk i ka pranuar akuzat e që bën përgjegjës ish-bashkëshorten, e cila mashtron për këtë histori. Shmili ka thënë se është një besimtar i devotshëm dhe se fëmijëve iu falte vetëm dashuri atërore.

Historia
Nuk paska të përfunduar historia mes dy ish-bashkëshortëve. Burime nga policia kanë theksuar se në vitin 2012, shtetasi Denis Shimili është arrestuar për mbajtje të municioneve dhe armëve luftarake. Arrestimi i tij është bërë pas denoncimit të bërë nga gruaja e tij në atë kohë. Ajo ka telefonuar policinë e kryeqytetit, duke thënë se bashkëshorti i saj mbante armë dhe lëndë plasëse në shtëpi. Menjëherë në banesën e tyre ka shkuar policia, duke arrestuar 32-vjeçarin dhe ka sekuestruar municionet që mbaheshin të fshehura në njërën nga dyert e banesës. Por, për këtë ngjarje, Shimili është dënuar nga gjykata e Tiranës me nëntë muaj burg, për “Armëmbajtje pa leje”.

Atë kohë ka patur dyshime që ai mund të kryente sulme terroriste, por ky fakt nuk u provua as nga policia dhe as nga prokuroria, duke u hedhur poshtë çdo dyshim. Pas kësaj ngjarjeje, ish bashkëshortja e Denis Shimilit dyshohet se është kërcënuar nga motrat e të arrestuarit, të cilat e akuzonin për kallëzim të rremë ndaj vëllait të tyre. Që atë kohë, 29-vjeçarja është ndarë nga bashkëshorti i saj, duke jetuar vetëm me dy fëmijët e vegjël. Si pasojë e kësaj ngjarje, burime nga policia kanë bërë të ditur se kallëzimi i bërë dy ditë më parë ndaj 32-vjeçarit, të jetë edhe i sajuar, në mënyrë që ajo të marrë hak nga gjërat e mëparshme. Gjithsesi, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.