Eleminimi nga Kupa e Shqipërisë, Partizani vendos heshtjen për shtyp

Kupa e Shqipërisë, klubi i Partizanit ka vendosur heshtjen për shtyp.

Sipas njoftimit të Partizanit eleminimi nga Kupa  e Shqipërisë është një dështim nga ana e skuadrës duke i kërkuar ndjesë dhe tifozave për këtë paraqitje zhgënjyese ndaj Beslidhjes.

Ky vendim i klubit të Partizanit është marrë për faktin se skuadra tashmë duhet të jetë e përqënduar vetëm tek kampionati ku synimi kryesorë do të jetë fitimi i titullit kampion.

Postimi i plotë i skuadrës së Partizanit.

Klubi njofton se nga sot vendoset heshtje për shtyp. Mediat do të kenë mundësi të informohen në lidhje me ecurinë e skuadrës nëpërmjet faqes së klubit e cila do të përcjell informacione dhe njoftimet zyrtare. Ky vendim i tillë është marrë pas eleminimit të skuadrës nga Kupa e Shqipërisë dhe do të mbetet në fuqi deri në një vendim të dytë. Largimi nga një prej kompeticioneve në vend, konsiderohet një dështim i objektivave të këtij sezoni situatë e cila është analizuar përgjatë ditës së sotme nga drejtuesit, stafi dhe lojtarët ku secili ka marrë përgjegjësitë e veta.
Klubi i kërkon publikisht ndjesë tifozerisë së kuqe për paraqitjen aspak dinjitoze të skuadrës në takimin ndaj Besëlidhjes. Mbështetja e tyre në këtë moment delikat të sezonit do të jetë një forcë më shumë për ecurinë e ekipit në pjesën e mbetur të kampionatit.Tifozeria e kuqe siç edhe e ka treguar, luan një rol të padiskutueshëm në përkrahjen që i jep skuadrës dhe ky është momenti ta përballojmë së bashku.

Ekipi tashmë mbetet i fokusuar në luftën për Fitimin e Titullit Kampion dhe rikthimin tek rezultatet pozitive, duke filluar nga sfida e radhës ndaj Vllaznisë në Shkodër.