Kinezi që merr drejtimin e INTERPOL-it

Për herë të parë, një zyrtar i lartë kinez është zgjedhur në krye të INTERPOL-it.

Zëvendësministri i sigurisë publike, Meng Hongwei, u zgjodh shef i ri i organizatës globale të policisë në asamblenë e përgjithshme, në ishullin Bali të Indonezisë.

Emërimi i Mengut ka shkaktuar kritika nga aktivistë që thonë se Pekini e ka shfrytëzuar agjencinë për të goditur disidentët jashtë vendit.

“Është shqetësuese në kuptimin se për një kohë të gjatë, Kina e ka përdorur Interpol-in për të arrestuar disidentët dhe refugjatët jashtë vendit”, i tha AFP, hulmtuesi i Amnesty International për Kinën, William Nee.

Ai tha se Kina ka abuzuar me sistemin e Interpol-it në të kaluarën për të goditur disidentët, posaçërisht ata të pakicës myslimane Uyghur.

Meng e merr detyrën nga paraardhësi francez Mireille Ballestrazzi. Kina iu bashkua Interpol-it në vitin 1984.