Austria: Reforma në drejtësi duhet të ishte bërë me kohë, s’duhet të ketë kthim pas

Ambasadori i Austrisë, Johan Sattler tha nga Shkodra se reforma në drejtësi duhet të ishte bërë që në vitin 1998 apo 2008, por ajo që ka rëndësi është që mos kthehet pas. Po ashtu, Sattler ka deklaruar se Austria mbështet fuqishëm hyrjen e Shqipërisë në BE.

“Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm me 21 korrik me pranimin e reformës në drejtësi por po kaq i rëndësishëm është zbatimi i kësaj reforme. Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta çojë këtë proces në Strasburg për ta provuar, shpresojmë që kjo të arrihet dhe hapat e mëtejshëm të realizohen sa më shpejt të jetë e mundur. Do të kishte qenë me mirë që reforma të ishte bërë në vitin 1998 apo 2008, sot jemi në vitin 2016 dhe e rëndësishme është që Shqipëria filloi këtë rrugë dhe të vazhdojë të hedhë hapat e duhur në drejtim të kësaj rruge. Austria është një mbështetëse e rëndësishme e Shqipërisë në BE.”, pohoi ambasadori.

Ai tha se janë hedhur hapa të rëndësishëm, por duhet të vazhdojë me luftën kundër krimit dhe drogës.

“Gjatë viteve të fundit janë hedhur hapa të rëndësishme nga Shqipëria, pjesë e këtyre hapave është edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe drogës. Austria e mbështet këtë proces dhe jemi pozitiv dhe plot shpresë që ky proces të vazhdojë edhe më tej.”, tha Sattler.