Totozani: Burgjet të mbipopulluara, ka dhe njerëz me probleme mendore

Avokati i Popullit në bashkëpunim me OSBE-në organizuan një tryezë të rrumbullakët mbi situatën e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në institucionet shtetërore gjatë vitit 2015.

Në këtë auditorium u prezantua draft-Raporti i Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës (MKPT) përgjatë vitit 2015, pas kontrolleve dhe monitorimeve në: Institucionet penitenciare; Komisariatet e Policisë dhe Drejtoritë e policive Vendore; Spitalet psikiatrike; Qendrat Rezidenciale te te huajve, të azilkërkuesve dhe personave të trafikuar; Bazat dhe Repartet ushtarake; Pikat kufitare. Ky  raport pas një diskutimi të gjerë me partner të shoqërisë civile, bashkëpunëtorë dhe aktorë të fushës do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Shqetësimet e ngritura në raport lidhen me situatën e mbipopullimit në Qendrat e Vuajtjes së Dënimit, me trajtimin në mënyrë të paligjshme të personave me sëmundje mendore, të cilët nga gjykatat kanë marrë vendime për “mjekim të detyruar”; keqtrajtime apo forma të tjera dhune në IEVP, si dhe pengimin në disa raste të punës së ekspertëve të Avokatit të të Popullit, gjatë hetimit të këtyre rasteve të ushtrimit të dhunës.

Në këtë Auditorium mori pjesë edhe Zv. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Robert Wilton, si dhe zv. Ministri i Drejtësisë z. Eridian Salianji, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe drejtues e specialistë të drejtorisë së burgjeve, etj. Kjo tryezë e përbashkët pune dhe diskutimi mbahet përmes mbështetjes financiare të Mbretërisë së Danimarkës për institucionin e Avokatit të Popullit në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Avokati Popullit, z. Igli Totozani, fillimisht vlerësoi bashkëpunimin me ministrin aktual të Drejtësisë z. Ylli Manjani, duke theksuar se ndryshe nga më parë ka një vullnet pozitiv për zgjidhjen dhe kapërcimin e problemeve të konstatuara.