Donald Lu: Mbaroi koha e gjyqtarëve të korruptuar

 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, ka zgjedhur ceremoninë e diplomimit të magjistratëve të rinj për të dhënë mesazhin e radhës për drejtësinë. Duke ju referuar miratimit të reformës në drejtësi, diplomati ka theksuar se tashmë, koha e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar ka marrë fund. Një mesazh i tillë, para magjistratëve të rinj që nesër do të kenë poste kyçe në sistemin e drejtësisë merr një domethënie edhe më të rëndësishme. “Për mua do të thotë që koha e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar ka përfunduar. Sot është dita juaj.  Ky është momenti që një brez i ri gjykatësish dhe prokurorësh të lënë gjurmë në këtë botë”,- u shpreh ambasadori amerikan.

Sipas diplomatit amerikan është koha që brezi i ri i njerëzve të drejtësisë të tregojë se një frymë tjetër duhet të jetë në gjykatat dhe prokuroritë e vendit. “Tani është detyra juaj t’i tregoni botës se mund të bëni më shumë. Se mund t’i kryeni me profesionalizëm detyrat tuaja – pa para korruptimi, pa ndikim nga politika dhe pa u frikësuar nga kriminelë të rrezikshëm. Shqiptarët duan të besojnë se, brezi juaj do ta përdorë këtë mundësi të çmuar të reformës në drejtësi për t’u siguruar që të gjithë njerëzit, fajtorë dhe të pafajshëm, do të trajtohen me respekt në këtë shoqëri”,- tha diplomati amerikan.

Fjalimi mbajtur për të juristët e rinj, ka brenda tij edhe kërcënimin për njerëzit që janë sot pjesë e sistemit të drejtësisë. Miratimi i paketës së ndryshimeve kushtetuese dhe paketa e ligjeve që do të ngrejë një sërë institucionesh të tjera të drejtësisë, pritet të sjellë ndëshkime në radhët e prokurorëve, gjyqtarëve dhe politikanëve. Institucionet e reja pritet të nisin me një sërë hetimesh për abuzime të zyrtarëve të lartë dhe njerëzve të drejtësisë për të cilët ka të dhëna për abuzime. Ndaj dhe shprehja “koha e të korruptuarve mbaroi” i referohet pikërisht pritshmërive për ndëshkime dhe pranga ndaj atyre që deri më sot janë quajtur të paprekshëm nga ligji.

Donald Lu është diplomati amerikan që u investua më shumë se kushdo ambasador i huaj në historinë e vendit për miratimin e reformës në drejtësi. Ndaj dhe deklarata e djeshme për fundin e korrupsionit në drejtësi, merret dhe si shenja e parë e nisjes së zbatimit të kësaj reforme. Mes qëndrimeve të forta dhe kërcënimeve, dje për korrupsionin në drejtësi, Ambasadori Lu bëri dhe një ndjesë. Një ndjesë që duket se lidhet me faktin se kritikat e pafundme që janë bërë ndaj sistemit të drejtësisë, edhe nga vetë ambasadori, kanë krijua dëmtuar imazhin e gjithë sistemit të drejtësisë në vend. “Kam qenë fajtor për shumë gjëra në jetën time. Këto dy vitet e fundit, kam qenë fajtor për kritikat ndaj integritetit dhe profesionalizmit të gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri”,- deklaroi Lu. Shpesh herë shoqatat e juristëve në vend kanë reaguar të shqetësuar se etiketimi i gjithë njerëzve të drejtësisë, si të korruptuar ka dëmtuar rëndë besueshmërinë edhe tek ata që realisht janë të papërlyer në afera. Ndjesa e diplomatit amerikan, duke se kishte parasysh këta juristë që nuk figurojnë me makina, supervila dhe orë të shtrenjta si pjesa tjetër që e ka bërë pis gjithë këto vite sistemin e drejtësisë.

Pas miratimit të pikave kryesore të reformës, pritet këtë jave dhe kalimi i 6 ligjeve që janë pjesë sistemi të ri të drejtësisë. Për mazhorancën kjo reformë është një nga arritjet më të mëdha në mandatin e saj dhe fundin e paligjshmërisë në vend. Opozita, ka rezervat e saj për jo pak ligje si dhe frikën se institucionet e reja mund të keqpërdoren për qëllime politike nga shumica. Ndërsa ambasadori Lu nuk lë vend për keqkuptime, kur thotë “koha e gjyqtarëve të korruptuar ka mbaruar”.

Në të vërtetë do të duhen disa vite për të parë se cila palë ka të drejtë.

Qamil Xhani