Zbulohet urdhri i ri kundër deputetëve, për vizitat në burg

Të gjithë deputetët të cilët duan të hyjnë në ambjentet e burgjeve në vend për të takuar persona të dënuar apo të paraburgosur, duhet të marrin më parë miratimin e Ministrit të Drejtësisë, pasi ta informojnë këtë të fundit për arsyet dhe qëllimin e vizitës.

‘News 24’, ka siguruar urdhërin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Miklovan Kopani, drejtuar vartësve të tij, që të mos lejojnë asnjë deputet apo funksionar të lartë që të kryejnë vizita apo takime në burgje, pa qenë të pajisur me leje nga Ministri i Drejtësisë. Vetëm nëse ligjvënësit, kanë marrë më parë miratimin nga ministri, atëherë mund të realizojnë vizitën dhe takimin.

Në fonogramin i cili iu është dërguar institucioneve thuhet se: “Nuk do të lejohen të kryejnë vizita e takime deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe funksionarë të lartë publikë, pa paraqitur më parë arsyen dhe qëllimin e vizitës te Ministri i Drejtësisë për miratim. Pas miratimit, drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të krijojë kushtet e nevojshme me qëllim zhvillimin e takimeve”.

Urdhri iu është bërë me dije gjithë drejtuesve të Burgjeve e paraburgimeve në vend, të cilët tashmë kanë vetëm detyrën që t’iu mundësojnë deputetëve kushtet për të kryer vizita apo takime në ambientet e vuajtjes së dënimit. /balkanweb/