Majlinda Bregu:“Për idhullin tim “të vdekur” dhe të vdekurit e gjallë”

Nuk mund të ndodhte ndryshe veçse me kundërpërgjigje të egër nga deputetja Bregu. Nriçim Kulla, këshilltari i Presidentit të Republikës, ka sulmuar sot në një shkrim deputeten e PD-së, Majlinda Bregu e cila ka kritikuar shpesh kohët e fundit modelin “Basha” në PD. Në shkrimin e botuar te “Mapo”, Kulla thotë se Majlinda Bregu ka hyrë nga dritarja në PD dhe se duhet të kishte dalë nga dera me kohë.

Sipas tij Bregu shfaqet në PD vetëm kur ajo fiton, ndërsa rebelohet kur partia është në kushte të vështira. Këshilltari i presidentit shkon edhe më tej kur thotë se deputetja Bregu sfidon Bashën me modelin “Olldashi”, që sipas tij ka qenë një model i dështuar dhe që ka njohur vetëm humbje. “Ajo s’ka alternativa, por veç shembullin e një kandidati të vdekur”, shkruan Kulla.

Pas këtij shkrimi ka reaguar deputetja Majlinda Bregu përmes faqes së saj në Facebook.

“Nuk do të merrja mundimin ta shkruaja këtë replikë me një njeri që ka mbaruar shkollë nate, që është nisur të këshillojë Presidentin dhe që i ka mbetur në tentativë këshillimi, por zgjodha ta bëj në respekt të mikut tim Sokolit dhe pamundësisë së tij për ta bërë vetë këtë gjë. Shkurtazi po i kujtoj këtij njeriu në respekt të honorareve që ka marrë për të fyer kujtimin e Sokol Olldashit, se i kanë treguar gjithçka gabim për të, pasi ai vet as e ka njohur, as ka pasur dëshirë ta njohë, se nuk ka pasur punë me PD. Është e vërtetë se unë dhe Lulzim Basha kemi ardhur bashkë në një ditë në PD. Nuk na kanë futur nga dritarja, por nga dera dhe na kanë pritur me entuziasëm në kuadrin e një projekti për ripërtëritjen e PD. Sokol Olldashi ishte moshatari ynë, por ishte shumë i vjetër në PD kur erdhëm ne. Kishte qenë aty dhe më 1997 dhe më 2001 dhe kur ne, të drojtur në 2005 morëm zona elektorale pak më të sigurta që të “mos dështonim”, ai zgjodhi betejën më të vështirë”,shkruan Bregu.

Më pas deputetja rendit disa nga betejat elektorale të Sokoll Olldashit, ndërsa e quan këshilltarin e Nishanit “njeri të honorareve”.

“Unë jam e hapur dhe mirëpres kritika dhe për ata që më thonë ke idhull Olldashin dhe për ata që me thonë ke idhull Berishën. Largimi i kobshëm nga jeta i tij është mjaftueshëm dhimbje për të gjithë demokratët. Kur them që Berisha ka lënë boshllëqe në Partinë Demokratike, them një të vërtetë që nuk druhem ta përsëris, por nga ana tjetër duhet ta pranojmë se Shqipëria e vitit 2016 dhe më tutje, ka nevojë për një identitet të ri politik në krye të PD, dhe kur them të ri, kam parasysh një mendim të ri, ide dhe sjellje të reja e moderne politike. Kush nuk është dakord me mua, nuk ka pse përbalt kë nuk jeton, as të shesë për teza politike sulme të porositura”, përfundon Bregu shënimin e saj me titullin “Për idhullin tim “të vdekur” dhe të vdekurit e gjallë”.

Ndriçim Kulla nuk e ka përtypur këtë reagim te deputetes simpatike dhe është përgjigjur. Lexoni më poshtë reagimin etij.

Ndriçim Kulla: E gërvishta pak Majlinda Bregun dhe doli Lenka Çukoja