Avokatët e Popullit mblidhen në Tiranë. Totozani: Përgjegje konkrete ndaj krizës së emigrantëve

Avokati i Popullit dhe në cilësinë e Presidentit të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, Igli Totozani është shprehur kritik lidhur me cështjen e azilkërkuesve.

“Sfidat e institucioneve të Ombudsmanit përballë flukseve të përziera migratore”, me pjesëmarrjen e Kate Gilmore, Zv. Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka theksuar se qëllimi i aktivitetit në kushtet e trajtimit të krizës së refugjatëve dhe migrantëve sot në Europë, qofshin vendet prej nga ne vijmë, vende origjine, tranziti apo destinacioni të flukseve migratore të përziera.

“Po kështu, është e nevojshme të sigurohet një ndërveprim shumëplanësh për të kundërvepruar ndaj gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë, e cila ka pasoja për situatën e të drejtave të emigrantëve dhe në të njëjtën kohë shkakton edhe erozion të vlerave dhe parimeve themeltare të diversitetit, tolerancës dhe bashkëjetesës në shoqëritë demokratike”, tha Totozani.

Ai theksoi se në kontekstin imediat, duhet të adresojmë krizën humanitare dhe të garantojmë të drejtat bazike të emigrantëve, që mbërrijnë në brigjet dhe territoret e lakmuara të Europës.

“Një përgjigje adeguate kërkon koordinim dinamik të aktorëve në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar, me qëllim mobilizimin e burimeve financiare, logjistike e njerëzore të duhura për t’u ardhur në ndihmë, të gjithë atyre që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.Shqetësim tepër i madh është profilizimi i refugjatëve bazuar tek nacionaliteti dhe mosgarantimi i të drejtës së aksesit ndaj procedurave të azilit pa diskriminim”, theksoi Totozani.

“Ndërsa shoh dhe ndjej angazhimin sinjifikativ të institucioneve tona të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, në këtë konferencë të nivelit të lartë, natyrshëm me vjen ndërmend një nga thëniet më të bukura të Nënë Terezës: “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”, tha Totozani.

Ai nënvizoi se sfidat dhe vështirësitë që na përshfaq kjo situatë duhet të na shërbejnë si mundësi suksesi për të mirën e përgjithshme dhe lartësim të vlerave njerëzore në të ardhmen.

Fjala e plotë e Avokatit të Popullit, Igli Totozani

Ndihem i nderuar dhe kam kënaqësinë, që në cilësinë e Avokatit të Popullit të Shqipërisë dhe të Presidentit të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, t’ju mirëpres sot në Tiranë për Konferencëne Nivelit të Lartë, “Sfidat e institucioneve të Ombudsmanit përballë flukseve të përziera migratore”.

Ky aktivitet shumë i rëndësishëm, jo vetëm për veprimtarinë tonë të përditshme dhe strategjike si Ombudsmanë dhe Mediatorë, nuk është një event i rastësishëm, por një zhvillim i natyrshëm i angazhimit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, në kuadër të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në kushtet e flukseve të përziera migratore.

Bashkëpunimi ynë i ngushtë rajonal dhe më gjerë në këtë fushë është paraprirë nga aktivitete në të cilat janë përvijuar qëndrime të përbashkëta sikurse, Deklarata e AOM-it për Krizën e Migracionit; Plani i Veprimit i Selanikut; Deklarata e Beogradit për Migracionin; Konkluzionet e Konferencës së Barcelonës, si edhe Deklarata e Parisit për Fëmijët dhe Krizën e Migracionit.

Kjo tregon se ne Ombudsmanët dhe Mediatorët e vendeve të ndryshme të botës, anëtarë të Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Mesdheut, Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Frankofonisë, Federatës së Ombudsmanëve të vendeve Ibero-Amerikane, si dhe Institutit Ndërkombëtar të Ombudsmanit, kemi një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces dhe se kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi aktivë dhe proaktivë, për çështje që në thelb prekin respektimin e dinjitetit njerëzor.

Sikurse mund të konstatohet nga axhenda e konferencës, qëllimi i saj mbetet efektiviteti i punës sonë, në kushtet e trajtimit të krizës së refugjatëve dhe migrantëve sot në Europë, qofshin vendet prej nga ne vijmë, vende origjine, tranziti apo destinacioni të flukseve migratore të përziera.

Trajtimi i kësaj krize do të jetë jo thjesht si çështje e një raportimi formal të aktivitetit, por si një çështje e të drejtave të njeriut, që duhet të përshkojë në mënyrë tërësore politikat shtetërore të vendeve pritëse apo të tranzitit, si dhe të atyre vendeve që ka gjasa të preken prej saj.

Kriza aktuale e migracionit, lidhet me cenimin e rëndë të të drejtave të njeriut në rajone të përfshira nga konfliktet e armatosura dhe të pllakosura nga varfëria.  Ndaj, solidariteti dhe partneriteti, konsideroj se janë vlerat dhe udhërrëfyesit e një ndërveprimi sa individual, aq edhe të përbashkët, për menaxhimin e krizës dhe garantimin e të drejtave të refugjatëve, azil-kërkuesve dhe migrantëve të parregullt.

Kjo krizë, e cila kërkon një përgjigje dhe ndërveprim global, paraqet sfida komplekse, imediate dhe afat-gjata, për veprimtarinë e institucioneve të Ombudsmanëve dhe Mediatorëve. Përballë saj, këndvështrimi i zgjeruar i problematikës, i vendos institucionet tona në kushtet e një ndërveprimi të nevojshëm në rajon e më gjerë.

Institucionet tona, sot, kanë një rol të dyfishtë, në mbrojtjen e të drejtave dhe promovimin e së drejtës për mirëqeverisje, të lidhur ngushtë me pjesëmarrjen në vendimmarrje, orientimin drejt konsensusit, besueshmërisë, transparencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe efiçencës, mirëqeverisjes së drejtë dhe gjithëpërfshirëse dhe respektimit të shtetit të së drejtës.

Ky rol kërkon një shterim adekuat të mjeteve ligjore, në funksion të mandatit dhe përmbushjes së detyrave tona. Gjithashtu, kërkon një aktivitet ngushtësisht bashkëpunues me shoqërinë civile, median, si dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Detyrimi i respektimit të të drejtave të njeriut nuk mund të shmanget, modifikohet, pezullohet, apo të shtyhet në kohë. Ai bëhet akoma më i domosdoshëm në kohë krize, ndaj edhe këto të drejta nuk duhet të cenohen dhe anashkalohen. Thelbi ynë i punës dhe prioriteti përcaktues në këtë drejtim, lidhet në mënyrë të veçantë me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të shtresave të cenueshme dhe komuniteteve në risk. Kjo krizë ka bërë të nevojshme bashkëpunimin mes nesh, si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në atë rajonal e më gjerë, si dhe angazhimin në një rol solidar, institucional, të koordinuar, për përballjen me sfidat që ofron kjo situatë.

-Sfiduese është përballja me një valë në rritje të ksenofobisë, që vjen edhe prej frikës e pasigurisë nga kriza ekonomike. Trajtimi humanitar i refugjatëve dhe migrantëve është detyrim për çdo vend, po aq sa ç’është edhe njohja e të drejtave që u takojnë, bazuar në aktet përkatëse ndërkombëtare. Qasja dhe përgjigja ndaj kësaj krize duhet të bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe në ofrimin e garancisë se këto standarde nuk do të cënohen, qoftë nga pozitat e një vendi tranziti, apo destinacioni.

-Autoritetet shtetërore përgjegjëse duhet të ndjekin dhe paraprijnë ritmin dhe zhvillimet dinamike të krizës së flukseve të përziera migratore.

Po kështu, është e nevojshme të sigurohet një ndërveprim shumëplanësh për të kundërvepruar ndaj gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë, e cila ka pasoja për situatën e të drejtave të emigrantëve dhe në të njëjtën kohë shkakton edhe erozion të vlerave dhe parimeve themeltare të diversitetit, tolerancës dhe bashkëjetesës në shoqëritë demokratike.

– Qoftë në situata normale, e sidomos në kontekstin e krizave të thella shoqërore apo konflikteve të armatosura, si Ombudsmanë, ne përballemi me sfidën e ngahershme të efikasitetit, në kontekstin institucional vendas, ndërkohë që kriza migratore na përball me dimensionin transnacional. Rritja e efikasitetit tonë kërkon një komunikim dinamik, bashkëpunim të qëndrueshëm mes njëri-tjetrit, ndarje të informacionit, shkëmbimin e praktikave të mira dhe eksperiencave të punës sonë në terren.

– Sot të gjithë ne përballemi me një krizë të paprecedentë të migracionit, e cila na paraqet sfida komplekse, si në kontekstin aktual imediat, ashtu dhe në planin afat-gjatë. Në kontekstin imediat, duhet të adresojmë krizën humanitare dhe të garantojmë të drejtat bazike të emigrantëve, që mbërrijnë në brigjet dhe territoret e lakmuara të Europës. Një përgjigje adeguate kërkon koordinim dinamik të aktorëve në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar, me qëllim mobilizimin e burimeve financiare, logjistike e njerëzore të duhura për t’u ardhur në ndihmë, të gjithë atyre që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

–  Shqetësim tepër i madh është profilizimi i refugjatëve bazuar tek nacionaliteti dhe mosgarantimi i të drejtës së aksesit ndaj procedurave të azilit pa diskriminim. Dështimi në zbatimin e legjislacionit ndërkombëtar ka prekur gjerësisht grupet vulnerabël, duke përfshirë këtu fëmijët, gratë, të moshuarit, viktima të torturës, personat me aftësi të kufizuar, LGBTI etj. Një udhërrëfyes tepër i vlefshëm, për veprimtarinë tonë është Rekomandimi nr.16, i adoptuar nga ana e Komisionit Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), në 16 Mars 2016, i cili thekson se, të gjithë migrantët, përfshirë migrantët aktualë të parregullt kanë të drejta, përshirë këtu ato civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore; duke kujtuar se e drejta ndërkombëtare vendos standarde minimum në këtë kuptim, që duhet të garantohen pa diskriminim nga ana e shteteve.

– Angazhimi i Ombudsmanëve dhe Mediatorëve është jetësor për monitorimin e situatës së të drejtave të njeriut, hetimin e praktikave abuzive dhe parandalimin e tyre, ndërgjegjësimin e autoriteteve për zbatimin e standarteve dhe obligimeve në fushën e të drejtave të njeriut, si edhe kontributin në dialogun ndër-institucional dhe ligjërimin publik për të kundërvepruar ndaj gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë.

– Në planin më afat-gjatë përballemi me sfidën e integrimit, qoftë ky integrimi i azilantëve në shtëpitë e tyre të reja në vendet që i mirëpresin, qoftë integrimi i shtetasve të kthyer në vendet e tyre të origjinës. Ky proces kërkon angazhim mbarëshoqëror, në frymën e solidaritetit dhe me një vizion larg-pamës me politika koherence dhe impakt të qëndrueshëm.

Na nevojitet kthjelltësia dhe largpamësia për integrimin e diasporave të reja në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian, në mënyrë që ato të jenë pjesë produktive e ekonomisë dhe pasuri e shtuar për diversitetin kulturor në shoqëritë që i mirëpresin. Po ashtu nevojitet bashkërendimi i gjerë dhe mbështetja me burime të nevojshme për integrimin e atyre emigrantëve të parregullt që riatdhesohen, duke patur parasysh që për një pjesë të madhe syresh, kursimet e jetës janë përvetësuar nga trafikantët e qenieve njerëzore, që kanë “kapitalizuar” vuajtjen dhe ëndërrat e tyre.

– Përmasat e krizës së migracionit janë globale dhe përgjigja adeguate dhe e qëndrueshme mund të jetë veçse globale, bazuar në përqasje përfshirëse të aktorëve lokal, rajonal dhe ndërkombëtar.

– Nuk është aspak e tepërt të thuhet se shtetet dhe aktorët ndërqeveritarë rajonalë e ndërkombëtarë duhet të bëjnë çdo përpjekje, që politikat dhe veprimet e ndërmarra të zbatojnë standardet dhe detyrimet që burojnë nga legjislacioni në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ndërveprojnë me kohezionin social, për të qënë efektivë dhe produktivë në menaxhimin e krizës.

– Referuar krizës së migracionit, krahas të drejtave të njerëzve në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, kemi edhe sfidën e mbrojtjes së të drejtave të vendasve në shtetet e tranzitit apo destinacionit. Vlen të theksohet se për arsye të sigurisë dhe destabilitetit shoqëror nga përshkallëzimi i situatës, në shtetet e tranzitit apo destinacionit ka risqe të shtuara për standardet ekzistuese në sferën e të drejtave dhe lirive themelore. Institucionet tona kanë një rol kaq jetësor për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave themeltare.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ndërsa shoh dhe ndjej angazhimin sinjifikativ të institucioneve tona të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, në këtë konferencë të nivelit të lartë, natyrshëm me vjen ndërmend një nga thëniet më të bukura të Nënë Terezës: “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Këtë realitet ne e ndjejmë dhe përjetojmë çdo ditë, ndaj edhe besoj se produkti i këtij eventi me përkushtimin tonë energjik të kahershëm ndaj trajtimit të çështjes së të drejtave të migrantëve dhe refugjatëve, do të japë frytet e tij dhe do të jetë një gur tjetër themeli, në kontributin e patjetërsueshëm dhe pazëvendësueshëm të Ombudsmanëve dhe Mediatorëve, në ruajtjen e vlerave të shoqërisë demokratike.

Sfidat dhe vështirësitë që na përshfaq kjo situatë duhet të na shërbejnë si mundësi suksesi për të mirën e përgjithshme dhe lartësim të vlerave njerëzore në të ardhmen.

Faleminderit!