Ndregjoni: Reforma nuk bëhet me hetues të periudhës komuniste

Flet për “Koha Jonë”, Besim Ndregjoni, Presidenti i Unionit të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

Ndregjoni: Reforma nuk bëhet me hetues të periudhës komuniste

Intervistoi: Redjon Shtylla

Ish-të përndjekurit politikë, në zgjedhjet e pjesshme në Dibër për kreun e Bashkisë, mbështesin kandidatin e PD-së. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Besim Ndregjoni, arsyeton pse është pjesë e fushatës dhe pse Sherefedin Shehu duhet të jetë fitues në Dibër. Nga ana tjetër, i pyetur për reformën në drejtësi, ai thotë se:“Drejtësia ka korrupsion sepse nuk e bëri Vetting-un në vitin 1992, kur u ndryshua sistemi, por gjyqtarët dhe prokurorët e diktaturës, mbajtën në njëjtin pozicion. Gjatë 25  vitesh kemi pasur kryetarë gjykate, kemi pasur ata të komunizmit, kemi pasur prokurorë ata që kanë pushkatuar poetë, ata që torturuar intelektualët dhe nacionalistët kombëtarë”.

Ndregjoni, së fundi jeni bashkuar së bashku me shoqata të tjera ish të përndjekurish, në zgjedhjet e pjesshme në Dibër, krah fushatës së kandidatit të PD-së. Pse mendoni se Dibra ka nevojë për drejtim nga z.Shehu?

Zgjedhjet sezonale në Dibër nuk kanë veprim politik të jashtëzakonshëm apo kombëtar, pasi janë vendore, ku do të zgjidhet kreu i Bashkisë. Ne jemi bërë pjesë e fushatës elektorale si Unioni i ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, duke u bashkuar me disa shoqata të tjera të përndjekurve politikë, jemi bërë pjesë e kësaj fushate për t’i dhënë Dibrës, menaxherin që i duhet, për t’i dhënë Dibrës një drejtues, një profesor, një njeri me moral të lartë. Një individ për të cilën ka nevojë Dibra dhe nuk është Sherefedin Shehu i nevojshëm që të bëhet kryetar bashkie, është Dibra e nevojshme për të pasur një menaxher si z.Shehu dhe duke e parë në këtë pikëpamje, duke parë këtë lëvizje që po ndodh në Shqipëri, Shehu është i duhur. Në këto 45 vite, vendi nuk ka përçuar deputetë apo kryetarë me dinjitet të lartë, ashtu siç ndodhi në Dibër më kryetarin e PS-së në Bashki, i cili përfundoi në një imoralitet kombëtar. Duke parë këto, neve na dhimbset Dibra sesa që t’i japin postin Sherefedin Shehut, dhe për këtë jemi pjesë e fushatës. Kemi biseduar me familje të persekutuara fisnike dibrane, duke pasur parasysh që Dibra është zona më e persekutuar në kohën e komunizmit në Shqipëri, ku numëron qindra të vrarë, të përndjekur, të burgosur dhe ata e shohin kandidatin Shehu si kryetarin që i duhet Bashkisë. Mendoj se është një detyrim kombëtar, i moralshëm, si votues në Dibër e shoh si pjesë morale të jap kontributin tim.

Pak ditë më parë u miratua ligji i Vetingu-t, si pjesë e reformës në drejtësi. Ka pasur kritika nga ish të përndjekurit se ky ligj nuk përjashtoi automatikisht hetuesit që kanë punuar në kohën e komunizmit. Mendoni dhe ju se ky ligj nuk e garanton pastrimin e drejtësisë?

Historia po përsëritet. Ka dalë grupi i Rilindjes, që nuk ka lidhje me social demokracinë, por është i përkrahur nga elementë antikombëtar. Shumë është përfolur për drejtësi të korruptuar, pasi kjo drejtësi ka korrupsion sepse nuk e bëri Vetting-un në vitin 1992, kur u ndryshua sistemi, por gjyqtarët dhe prokurorët e diktaturës, mbajtën në njëjtin pozicion në drejtimin e drejtësisë. Gjatë 25 vitesh kemi pasur kryetarë gjykate, kemi pasur ata të komunizmit, kemi pasur prokurorë ata që kanë pushkatuar poetë, ata që torturuar intelektualët dhe nacionalistët kombëtarë. Vetting-u që duhesh bërë në ato vite, pasi elementi bazë i ndërtimit të një shteti demokrat dhe të një ekonomie kapitaliste është prona. Këta gjyqtarë, këta prokurorë po sot pa i vrarë ndërgjegjja, të mbështetur dhe nga politika post komuniste, arritën deri aty që të bënin disa ndryshime tek sistemi i drejtësisë. Në vitin 2004 pas miratimit të ashtuquajturës Kushtetutë, ndodhi fenomeni më i rrezikshëm për një demokraci, për një drejtësi, këta gjyqtarë mbasi bënë ndryshime duke mos u cenuar pozicioni politik i tyre, këta ndërtuan institucione të drejtësisë, ku sot fatkeqësisht pas 10-15 vitesh këto institucione na dalin si të korruptuara, si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria  e Përgjithshme, por çfarë po presim. Unë jam dakord që sistemi i drejtësisë të ndryshojë, por sistemi i drejtësisë nuk ndryshon me ata që vranë dje, torturuan dje dhe me ata që vodhën sot. Vrasësit e djeshëm, sot u shpallën hajdutët më të rrezikshëm dhe sot këta po kërkojnë të bëjnë drejtësi. Nuk e di se çfarë moraliteti ka kur dhe edhe mes hartuesve të reformës ka hetues të periudhës komuniste. Unë nuk e di se më çfarë të drejte, me çfarë ligji, morali këta gjykojë një student magjistrature, që duhet të jesh t’i në sistemin gjyqësor apo jo, kur studenti nuk ka lidhje me krimin, me botën e krimit, as me korrupsionit. Ambasadorët bëjnë eksperiencë dhe nuk shqetësohet pse ky sistem nuk ecën, ata thonë ne bëjmë ndryshimin e sistemit ne bëjnë Vetting-un. Pyetja është se, kush do ta gjykojë gjyqtarin e ri sot, apo dhe prokurorin e ri sot? Ai gjyqtarë që dje vrau dhe sot vodhi, që ishte pjesë e drejtësisë komuniste, kush do e gjykojë? Ai gjyqtar që bëri Kushtetutën në vitin 1976 të komunizmit, që e shpalli partinë shtet, kush gjyqtar do gjykojë sot që të bëjë këtë Vetting? Institucioni demokratik, krijohet nga një politikë që ka moral. Unë e quaj si fyerje si qytetar i këtij vendi, që një hetues, një prokuror i diktaturës të kërkojë që të më jap mua drejtësinë, ai dje më dha plumbin, sot më mori paren, pasurinë, pronën. Dje në diktaturë më dha plumbin, sot më demokraci më rrëmbeu pronën. Ky gjyqtar, ky hetues do më gjykojë të drejtën time? Unë jam dakord që ne nuk jemi që ata të arrestohen, të dënohen, por për krime, në çdo vend drejtësia vepron. Marrim shembullin e rojës të kampit nazist në Gjermani, i cili në moshën 97- vjeçare u dënua, kurse në Shqipëri, hetuesi i krimeve të komunizmit është kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

A ju ngjall shpresë kjo reformë?

Reforma në Drejtësi, po nuk u pastrua nga hetues, gjyqtarë, prokurorë të diktaturës, reforma do jetë një baladë e pamoralshme, si ka kaluar gjatë 25 viteve të sistemit demokratik në Shqipëri.

Heqja e dekoratave që ju janë dhënë si shenjë mirënjohje funksionarëve të lartë të PPSH, si nismë edhe e PDIU, mendoni se lehtëson dhimbjen dhe është e moralshme ndaj së keqes?

E përshëndes deputeten Mesila Doda për nismën dhe për diskutimin edhe për heqjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të diktaturës nga Vetting-u, por unë nuk pranoj që pas këtij diskutimi, në fund ajo votoi Vetting-un, që urdhëroi Partia Socialiste. Nëse ti do që të mos e votosh Vetting-un me gjyqtarë të diktaturës, nëse ti i shërben fjalën dhe moralitetit të thënë publikisht, nëse ti thua e vendimi i partisë është që unë të votoj Vetting-un dhe thua të heqin dekoratat. Në radhë të parë, dekorata është një moral, kur këtu nuk i është hequr dekorata diktatorit që kreu krime e sot është hero i popullit. Cila forcë politikë shqiptare, del dhe flet në Parlament për diktaturën dhe nuk përmend diktatorin, a e kuptoni se çfarë amoraliteti kanë këta politikanë. Fol për diktaturën dhe nuk përmendin diktatorin. Familja e diktatorit, sot është në kushte siç ka qenë dje vetëm se nuk ka fuqinë për të ekzekutuar dhe për të vrarë njerëz. Ne si pjesë e përndjekjes politike, nuk kemi që këta kriminelë të vriten, por kemi kërkuar drejtësi dhe jo hakmarrje primitive dhe unë nuk e di nëse Ambasadori Lu do të pranojë një Vetting, me ata që vranë xhaxhallarët e mi dje, me ata që më burgosën babanë dje, çfarë Vetting-u do bëhet? Shtrohet pyetja, a mund të vazhdojmë ne me të tilla gjëra, a mund të ndërtojmë një sistem drejtësie që t’i shërbejë drejtësisë.  Shqipëria ndodhet përballë dy fakteve dominuese të demokracisë, e para është që thuhet se bëhet reformë dhe reforma bëhet nga ata që dje vranë, sot vodhën dhe duan që të mbajnë pushtetin edhe 30 vite të tjera. Shqipëria nuk mund të njoh paqe me të tilla reforma, më të tilla ndryshime që unë nuk e kuptoj se nëse flasim për krimin, ku një ambasador nuk del që të flasë për situatën.

Pra ju pretendoni se ambasadorët, thjesht shohin atë që demonstron politika dhe nuk flasin nga realiteti?

Po, është e çuditshme sesi ambasadorët nuk shprehen asnjë gjysmë fjale për situatën. Del ministri i Brendshëm dhe bën me një grup njerëzish “Selfie”, sikur të jemi në Kolumbi dhe politikbërja hesht, media hesht. Ky del dhe bën selfie me drogë, duke përbuzur një popull, një shoqëri që po e helmojnë si në Kolumbi. Këta ambasadorë çfarë Vetting-u po bëjnë, me kriminelët e djeshëm. Nuk bëhet me kriminelët e diktaturës, por me shqiptarë që vendit nuk i mungojnë, që respektojnë ligjet, paqen. Në një vend demokratik, persona të tillë nuk duhet të merreshin me politikë. Këta ambasadorë që vijnë në Shqipëri dhe kalojnë kohën me mandatin e tyre dhe është mëse se normale që një kriminel i diktaturës që të bëjë reformën dhe të duartrokitet nga ata. Demokracia në Shqipëri është në një situatë aq kritike sa besoj që në asnjë vend nuk ka si ne. Vendi është nën duart e errëta të politikës dhe politikbërja është në vend numëro, ata që kryen krime dje, ata flasin për demokraci sot, kështu nuk mund të ndërtohet shoqëria demokratike, por me qytetarë që duan paqe dhe jo me ata që dje vranë dhe sot thonë jemi të paqes.