Strasburgu detyron Qeverinë t’u paguajë pronarëve 22 milionë euro

Dështimi i qeverisë shqiptare për hartimin e një plani kombëtar për kthimin dhe kompensimin e pronarëve detyron shtetin shqiptar që të vijojë të paguajë faturat që sjellin vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Kështu në mbledhjen e sotme, Këshillit i Ministrave vendosi ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, që detyron Qeverinë Shqiptare t’u japë 22 milionë Euro pronarëve që kanë fituar gjyqet kundër Shqipërisë.

Bëhet fjalë për katër çështje të fituara në Gjykatën e Strasburgut; çështja “Aliçka”, “Karagjozi”, “Rista”, “Halimi” dhe “Sharra” kundër Shqipërisë. Duke iu referuar vendimeve të zbardhura të qeverisë rezulton se  shumën më të madhe e zë çështja “Rista”, që duhet të marrë nga Qeveria Shqiptare plot 10.7 milionë Euro.

Po ashtu, 21 ankimuesve të grupuar në atë që njihet si çështja “Karagjozi e të tjerë kundër Shqipërisë”, qeveria shqiptare është detyruar që t’u paguajë pronarëve legjitimë shumën prej 5.9 milionë euro, kurse çështja “Aliçka” me 5.1 milionë Euro.

Ndërsa për çështjen “Halimi dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për ankimin nr.33839/11, në bazë të vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, qeveria shqiptare do të paguajë 755 150 euro.

Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në këto vendime, në favor të ankuesve do të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave, nga fondi i kontingjencës i Buxhetit të Shtetit, brenda 3 muajve nga dita që vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.