Lajmi i keq i votimit të vetingut

Ato shënojnë fundin e një hipokrizie duke i hapur rrugë asaj që Edi Rama paralajmëroi  në konferencën e tij në rrjetet sociale, vazhdimin e koalicionit të 1 prillit edhe për një tjetër mandat qeverisës.

Nga Andi Bushati

Votimi në bllok nga shumica parlamentare i njërit prej ligjeve më të rëndësishme të reformës në drejtësi nuk përbën asnjë ogur të mirë. Dhe kjo nuk ka lidhje as me funksionimin e prokurorëve dhe gjykatësve specialë, as me vullnetin për të dënuar krimin dhe korupsionin në vend. Kjo është një tjetër histori.

88 votat e bashkuara të së martës janë një lajm i keq sepse ato përmbyllin një sezon të shëmtuar në marëdhëniet PS-LSI, duke dashur të bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Ato shënojnë fundin e një hipokrizie duke i hapur rrugë asaj që Edi Rama paralajmëroi  në konferencën e tij në rrjetet sociale, vazhdimin e koalicionit të 1 prillit edhe për një tjetër mandat qeverisës.

Në fakt, votimi i ligjit për vetingun dhe deklaratat e fundit të kryeministrit janë akti final i një periudhe të gjatë lëvizjesh makiavelike.

Në mes të korrikut kryeministri dhe qeveria e tij gjendeshin në udhëkryq.

Nga njëra anë ata përgatitën ndarjen me Ilir Metën. Deklaratat e këtij të fundit për qeveri teknike, rakordimi deri ne detaje i qëndrimeve të LSI-së me ato të PS-së, sulmi i prbashkët i organizuar ndaj Saimir Tahirit, e detyruan Ramën të rekrutonte deputetë, së sillej si Berisha i fundmandatit prill- qershor 2013 dhe të përpiqej të ngrinte një shumicë të re duke shpërndarë poste në dogana, para në dorë dhe duke riaktivizuar të gjithë të fortët e politikës me të cilët është në një aleancë të përhershme.

Rama nuk linte mjedis privat pa përmendur se ai do ta shkatërronte vëllain e tij armik, se këtë radhë ai do të tregonte dhëmbët, se nuk mund të vazhdonte bashkëqeverisjen me një aleat që ishte afishuar kundër reformës pro perendimore etj.

Por, nga ana tjetër, këshilltarët e tij pragmatikë i përsërisnin në vesh, se edhe në ditët e veta më të mira, kreu i PS, nuk kish kapur në zgjedhje më shumë se 64 – 65 deputetë, se mbijetesa e tij politike varej nga bashkëjetesa e tij me Ilir Metën dhe mosrëshqitjen e këtij të fundit në preherin e Berishës. Pra shkurt ata i sugjeronin, ti haronte pështymën që ishte hedhur, përgjimet në zyrat e shtetit, përpjekjet për të ngrënë kokën e ministrit të rendit, strategjitë e përbashkëta të LSI-së me PD-në dhe të vazhdonte të zvarritej në emër të pushtetit, pas Ilir Metës.

Ashtu sikurse pritej… ndodhi.

Rama dhe Meta bënë paqe në takimin e famshëm të vilës qeveritare në Durës nga i cili larguan edhe dëshmitarët e bezdisshëm. Për njerëzit e tij të afërt në parti, kryeministri e tregoi një variant të zbukuruar të këtij ballafaqimi të ndezur veror.

Ai u tha se ia kish vënë Metës kufirin tek thana, se i kish treguar se nuk i kishte numrat për ta rrëzuar, se e kishte detyruar të lëpinte të gjitha ato që kishte pështyrë, pasi përndryshe do ta flakte nga koalicioni, se me bisht ndër shalë e kishte nënshtruar të dilte publikisht për të deklaruar se bashkëqeverisja do të vazhdonte.

Në fakt të gjitha këto ndodhën.

Duke ulur kokën e madhe të fryrë edhe më nga euforia e votimit konsensual të 23 korrikut, Ilir Meta u fut në vathë. Ai e bëri deklaratën pro koalicionit dhe votoi ligjin e vetingut pa e çarë aspak kokën për pretendimet e PD-së që dikur i kishte aq në zemër.

Në këtë kuptim u duk sikur Rama fitoi sepse ai e përdhosi keqaz vëllain e tij armik: e shndërroi luanin që kërcënonte ndërkombëtarët në emër të konsensusit, në një pulë të lagur që nuk rri dot asnjë ditë larg favoreve të qeverisjes.

Por, ky variant i një 1 prilli bis në mes të verës, megjithëse duket sikur garanton sigurinë e numrave, e ka telendisur keq imazhin e qeverisjes edhe kështu të rrënuar nga dhjetra skandale të tjera.

Sot, shumica e majtë ka prodhuar të njëjtën situatë politike si ajo e pajtimit pas katarsisit të famshëm: ata mund të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet për të grabitur Shqipërinë, por ata nuk kanë më asnjë legjitimitet, moral apo mundësi për ta qeverisur realisht atë.

Ky është lajmi i keq që morëm pas votimit me 88 vota të ligjit të vetingut: lajmin se kjo mazhorancë e përdalë, e pandeshme dhe e paaftë ka shumë mundësi të vazhdojë të qeverisë vendin edhe pas verës së 2017-ës.

Ky lajm bëhet edhe më i keq, po ti shtosh atij një opozitë aspak kredibël, që ishtë e gatshme të shiste çdo parim, çdo vlerë dhe të heshte për çdo skandal, vetëm për të kaluar nga ana e saj numrat e Ilir Metës.

Edhe njëherë PD-ja mbeti e zhgënjyer keqaz.

Por më të zhgënjyer janë pjesa më e madhe e shqiptarëve që konfirmuan edhe njëherë se kanë mbetur pa asnjë alternativë të besueshme.

Pikërisht për këtë, 88 votat e ligjit të së martës për vetingun, nuk ishin një lajm i mirë. (lapsi.al)