32 deputete femra, sfidojnë meshkujt me fjalime në kuvend dhe punë në terren

Deputetet femra në politikë

Flasin për “Koha Jonë”, deputetet Qirici dhe Dhima. Pikëpamjet e dy deputetëve për raportin e fundit dhe rolin e tyre në politikë, për gjuhën e ashpër dhe ndihmën ndaj komunitetit

Nga Redjon Shtylla

Janë 32. Shpesh akuzohen si mosvepruese, por fryma maskiliste e Kuvendit, mund të ndikojë në jetën politike të një gruaje. Deputetet femra, gjatë këtij legjislacioni janë rritur në përfaqësim krahasuar me vitet e kaluara dhe në zgjedhjet e ardhshme do të shohim më shumë kandidatura të gjinisë femërore kur priten ende ndryshime të një procesi që vijon, siç është reforma zgjedhore. Në Kuvendin e Shqipërisë janë 32 deputete femra, ku deputetja më e re Dhurata Çupi, e cila është e 32-ta, pritet të bëjë betimin në sesion e ri parlamentar. Sakaq, sipas shifrave në karriget e maxhorancës janë 21 deputetë dhe në radhët e opozitës, janë 11 deputete femra. Shpesh herë deputetet femra paragjykohen se nuk mund të përshtaten me ambientin politik, por këto steriotipe, janë hedhur poshtë nga vetë deputetet dhe ministret aktuale, të cilat me punë dhe vullnet ja dalin të sfidojnë paragjykimet dhe mosbesimet. Statistikat e Institutit të Studimeve Politike para disa ditësh, kanë bërë publike diskutimet parlamentare janar- korrik 2016, që nxjerrin në pah disa tregues gjinorë. Konkretisht, bazuar në të dhënat në përqindje, rezulton se 90% e grave deputete kanë diskutuar në Parlament, vetëm 10% e tyre nuk kanë diskutuar (3 nga 30). Në total, të dhënat zyrtare tregojnë se 30 gra dhe 77 deputetë meshkuj kanë diskutuar në Parlament përgjatë sesionit legjislativ janar-korrik 2016. Edhe pse këto shifra tregojnë një dominim të Kuvendit nga ana e tyre, si deputetët që kanë mbajtur më shumë fjalime, sërish ato janë paragjykuar se, nuk kanë sjellë ndryshim të realitetit pasi gjuha e tyre është e njëjtë me të kolegëve të tyre meshkuj.

Statistikat e fundit, sollën në vëmendje se, edhe pse deputetet femra kanë diskutuar më shumë dhe kanë pasur më shumë fjalime në Kuvend se deputetë meshkuj, përsëri ato nuk kanë sjellë ndryshim.

Të kontaktuar nga gazeta “Koha Jonë”, deputetet Eleina Qirici e Partisë Demokratike dhe deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima, të dyja hedhin poshtë idetë se një deputete femër nuk e ka ndryshuar situatën dhe se në Kuvend nuk është folur për gruan shqiptare.

Deputetja e PD-së

Eleina Qirici: Gjuha e ashpër e deputeteve femra, vjen nga keqqeverisja

Jo vetëm që janë në seanca plenare dhe në komisione më korrekte se kolegët e tyre, deputetet femra, siç pohon dhe deputetja e Qarkut Korçë, Eleina Qirici, Ajo pohon se gratë në politikë nuk flasin vetëm seancave plenare por në rastin e deputete të PD-së, të cilat takojnë banorët në zonat e tyre elektorale dhe jo vetëm i kanë bërë prezentë problemet dhe situatat mjerane të këtyre njerëzve por dhe kanë këmbëngulur që t’u jepen zgjidhje. E pyetur se sa është folur për gruan shqiptare në kuvend, deputetja e PD-së, shton se personalisht e mbështet rritjen e përfaqësimit të gruas në politikë, por duke mos cenuar asnjëherë cilësinë. “Gra që janë të afta profesionalisht, por që kanë ndjekur dhe karrierën politike janë shembuj pozitive sot. Komisioni parlamentar që trajton çështjet sociale, sot drejtohet nga një zonjë e grupit parlamentar të PD, që me forcë dhe argumente ka zbuluar aferat korruptive në shëndetësi dhe jo vetëm”, shprehen Qirici.

Për fjalimet e deputetëve gra të grupit parlamentar të PD-së, ajo nënvizon se kanë goditur keqqeverisjen Rama duke prekur pushimet masive nga puna të grave në sektorin e shëndetësisë, shërbimet mizerable në maternitete, heqjen nga skema e ndihmës ekonomike. “Fjalimet në sallën e Kuvendit, janë vetëm një pjesë e punës së deputetes. Të mos harrojmë që zonjat deputete të PD-së, kanë takuar banorët në zonat e tyre elektorale dhe jo vetëm i kanë bërë prezent, problemet dhe situatat mjerane të këtyre njerëzve, por dhe kanë këmbëngulur që t’u jepen zgjidhje. Kjo do të thotë që fjalimet e zonjave deputete të grupit parlamentar të PD, kanë qenë fjalime që dënojnë realitetin e hidhur qeverisës, që kanë treguar të vërtetën që fshihet pas “miratimit” të ligjeve nga maxhoranca, ligje të ashtuquajtura për qytetarët shqiptarë. Por nga një Kryeministër që fyen në sallën e Parlamentit edhe zonjat deputete, nuk mund të presësh më qeverisje të këtij vendi”, deklaron ajo. Ndërsa për replikat e ashpra të deputeteve femra, të cilësuara si imitim i gjuhës së ashpër të burrave, mundet të dëmtojë përpjekjet për krijimin e një lobimi gjinor cilësor? Eleina Qirici, lë të kuptohet se: “Zbulimi i aferave korruptive, i keqqeverisjes, i mashtrimeve që kjo qeveri vazhdon të bëjë, sigurisht do duket gjuhë e ashpër, por është gjuha e së vërtetës dhe e vërteta nuk mund të mbulohet me shoë politikë apo me fyerje e sharje”.

 

Deputetja e PS-së

Antoneta Dhima: Çdo deputet orientohet nga problemet e elektoratit

Deputetja Dhima, e cila edhe në raportin e Statistikave të Institutit të Studimeve Politike, është deputete, e cila ka mbajtur 8 diskutime/fjalime në seanca plenare gjatë periudhës janar- korrik 2016. E pyetur se nëse është trajtuar pozita e gruas dhe problematikat që e rrëzojnë atë, deputetja e PS-së, nënvizon se kjo lidhet me projektligjet që ministritë paraqesin në komisionet parlamentare. “Përsa i përket problemeve që lidhen me pozitën e gruas dhe çështjet sociale në Parlament them se janë trajtuar në çdo rast sipas projektligjeve të paraqitura nga ana e ministrive përkatëse, por jo vetëm në raste specifike për ngjarje dhe veprime të ndodhura në institucione publike dhe jopublike është diskutuar në seancë plenare, nga Aleanca e Grave Deputete dhe institucionet përgjegjëse”,- shprehet deputetja Antoneta Dhima. Në Kuvend AGD, e cila ka si qëllim bashkimin e deputeteve e që trajtojnë problematika të lidhura e që prekin pikërisht gruan shqiptare.

Lidhur me Aleanca e Grave Deputete, Dhima shton se: “Them se ka arritur të realizojë misionin e saj si dhe është bërë një shembull i mirë edhe për krijimin e Aleancës së Grave në Këshillat Bashkiake. Në Kuvendin e Shqipërisë është folur për rolin e gruas jo vetëm në parlament por edhe për rolin e saj në jetën politike , shoqërore dhe sociale”. Por a është një deputete e lirë të diskutojë në seanca plenare shqetësimet që i adresohen asaj nga komuniteti që ajo përfaqëson? Deputetja Dhima, e cila është prej muajt Maj 2015 si deputete e Qarkut Fier, pohon se: “Besoj se secila nga deputetet e Kuvendit të Shqipërisë  është e lirë të mbajë dhe të shprehë qëndrimet e saj lidhur me debatet apo projektligjet e veçanta. Natyrisht gjatë diskutimeve çdo deputet orientohet nga problemet e elektoratit dhe programi politik i subjektit që përfaqëson. Jam përpjekur të ndjek një model diskutimi dhe të jap opinionin tim si specialiste në fushën e ekonomisë dhe financës. Zakonisht pjesë e diskutimeve në disa projektligje kanë qenë të dhënat me fakte dhe shifra konkrete nga Qarku i Fierit ku unë jam deputete. Si anëtare e komisionit të ekonomisë dhe financës diskutimet e mia në përgjithësi i kam fokusuar brenda kornizave të projektligjit i cili paraqitet për miratim nga ana e qeverisë dhe programit fitues në zgjedhjet elektorale të vitit 2013, duke implemetuar shtrirjen e këtij programi fitues në jetën politiko- ekonomike të vendit duke realizuar kështu misionin tonë atë të Shqipërisë së Gjeneratës Tjetër”.

 

Statistika

Deputete femra ndër vite

Kuvendi i vitit 1991­-1992 kishte 9 femra deputete

Kuvendi 1992­-1996 kishte 9 femra deputete

Kuvendi 1996­ -1997 kishte 21 deputete femra

Kuvendi 1997­-2001 kishte 11 deputete femra

Kuvendi 2001­-2005 kishte 9 deputete femra

Kuvendi 2005-­2009 kishte 9 deputete femra

Kuvendi 2009­-2013 kishte 22 deputete femra

Kuvendi 2013 e në vazhdim ka 32 deputete femra