Vrau gruan në sy të fëmijëve, ish-gardisti rrezikon burg përjetë

Ish-Gardisti që vrau gruan në sytë e dy fëmijëve, mund të dënohet përjetësisht. Është ky vendimi i marrë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda,e cila pas përfundimit të hetimeve kërkon dënimin maksimal për Admir Dervishi.

Seanca Gjyqësore, do të zhvillohet me 9 shtator, ku gjykata do të vendosë dënimin e Dervishit, i cili mëngjesin e 6 prillit me armën e shërbimit qëlloi 3 herë me pistoletë drejt bashkëshortes së tij Ilda Dervishi.

Ish-gardisti u prangos pak orë pas ngjarjes ndërsa për motivet e ngjarjes ai u shpreh se shkak ishte bërë xhelozia dhe kushtet ekonomike me të cilat çifti përballeshin muajt e fundit.

Prokuroria ka ngritur ndaj ish-efektivit të gardës akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, vepër kjo e cila sipas nenit 79/c të kodit penal dënohet nga 20 vite në burgim të përjetshëm.