Pr/ligji për Vettingun, Të hënën mblidhet komisioni i reformës në drejtësi

Ndërkohë që të hënën pritet mbledhja e rradhës e Komisionit të Reformës në Drejtësi, burime nga Kryesia e Kuvendit bëjnë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë sinjal për thirrjen e Parlamentit në seancë plenare brenda muajit gusht. Kjo ide ishte hedhur nga Kryeparlamentari Meta pak ditë më parë, i cili foli për zhvillimin e dy seancave të ndryshme brenda datës 30 gusht.

Të hënën e ardhshme pritet të zhvillohet mbledhja e rradhës e Komisionit të Posacëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, pasi ekspertët ndërkombëtarë të Euralius dhanë opinionet e tyre mbi vërejtjet e Partisë Demokratike përsa i përket p/ligjit të Vetting-ut.

Pak ditë më parë, kryeparlamentari Meta bëri të ditur se palët kishin rënë paraprakisht dakort që ky ligj të miratohej brenda muajit gusht.

Por aktualisht burimet nga Kryesia e Kuvendit bëjnë të ditur se nuk ka asnjë sinjal konkret për zhvillimin e një seance plenare brenda këtij muaji, me qëllim miratimin e draftit të Vetingu, një nga ligjet bazë që bëjnë të aplikueshme reformën në Drejtësi.

Nga ana tjetër, në komunikimin e tij të fundit me mediat, Ilir Meta shkoi edhe më tej, kur foli për një seancë të dytë plenare brenda gushtit, këtë herë për të miratuar pr/ligjin e SPAK dhe atë për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Për këto drafte, kryeparlamentari kërkoi nga deputetët e komisionit të reformës një intensifikim të punës, për të respektuar afatin e fundgushtit.

Pas mbledhjes së komisionit ditën e hënë, Parlamenti ka në dispozion dy data të tjera për të thirrur një seancë plenare: të enjten 25 gusht dhe të hënën 29 gusht. Diskutimi i dy ligjeve të tjera përvec Vettingut, atij për SPAK dhe p/ligjit për organet qeverisjes së sistemit të drejtësisë ende nuk ka nisur në Komision, por politika shqiptare ka treguar se kur ekziston vullneti i përbashkët për të respektuar afatet, mbyllet gjithmonë një sy për respektimin e procedurave./ABC News/