Bulqizë, asgjesohen 2011 rrënjë kanabis, në kërkim autorët

Policia e Bulqizës asgjësoi 2011 rrënjë kanabis në fshatin Peshkë dhe ka shpallur në kërkim dy persona si autorë të kultivimit të lëndës narkotike. Dy parcelat me kanabis ishin hapur rishtas në një zonë të thepisur dhe të pyllëzuar.

Droga u asgjësua pas sinjalizimit të ardhur përmes aplikacionit ‘Komisariati Dixhital” në Bulqizë, ndërkohë që uniformat blu kanë shpallur në kërkim dy persona. Sipas policisë, bimët ishin të kultivuara në dy parcela të hapura rishtas në një zonë të thepisur dhe të pyllëzuar në territorin e fshatit Peshk, Krastë të njësisë Administrative Martanesh.

Në këtë kuadër, në vijim  të kontrollit të përditshëm të territorit, si dhe bazuar në një informacion të raportuar në Portalin Komisariati Dixhital dhe informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, u bë e mundur goditja e një tjetër rasti të kultivimit të bimëve narkotike dhe konkretisht: Në  vendin e quajtur Xixell të fshatit Peshk,Krastë, në një vend shumë të thepisur dhe të rrethuar me pemë  dushku janë konstatuar dy parcela afër me njëra- tjetrën të kultivuara me bimë narkotike.

Nga kqyrja e bërë nga grupi hetimor rezultoi se në këto parcela ishin të kultivuara 2.011 rrënjë bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sattiva, të cilat u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa disa bimë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Si rezultat i veprimeve profesionale dhe hetimore  u bë shpallja në kërkim e dy autorëve të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike në dy parcelat  dhe konkretisht N.G,39 vjeç dhe  G.P 30 vjeç, banues në fshatin Peshkë të njësisë Administrative Martanesh Bulqizë.