Presidenti i Federatës së Basketbollit, Avni Ponari: Ekipi më i fortë i viteve të fundit

Pas tre viteve mungesë, përfaqësuesja kuqezi e basketbollit për meshkuj është grumbulluar këto ditë për të vijuar përgatitjet për kualifikueset e Europianit “Eurobasket 2017”. Pjesë e ekipit përfaqësueses janë rreth 19 lojtarë por që trajneri Kostandinidhis në konferencën për mediat gjatë ditës së djeshme, ka pohuar se ftesa i është bërë më shumë basketbollistëve, kryesisht nga ata që luajnë jashtë por që nuk kanë pranuar të vijnë për disa arsye.

Në grumbullimin e parë të trajnerit të ri, qipriotit Andonis Kostandinidhis, ka qenë i pranishëm edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, i cili ka folur për projektin e ri të ringritjes së përfaqësueses së basketbollit. Ai ka thënë se:“Kemi filluar një projekt që shpresojmë që kjo kombëtare në 2-3 vitet e ardhshme të jetë dinjitoze. Ekipi kombëtar, përveç stërvitjes që do të ketë, ka edhe 2 turne, që është njëri në Qipro, në datën 16 deri më 22 dhe një në Estoni. Pra ndodhemi përballë 12 apo 15 ndeshjeve, që pavarësisht se janë miqësore, duam të tregohemi dinjitozë”, u shpreh Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.

Lidhur me ftesën që ju është bërë basketbollistëve, tranjeri është shfaqur i zhgënjyer porn ë të njëjtën kohë ai ka vlerësuar 19 lojtarët, për të cilët beson se do të shpalosin talentin si dhe do të përgatiten për të ardhmen. “Jam i zhgënjyer nga disa lojtarë që kam kontaktuar dhe i kam ftuar në këtë grumbullim të parin timin dhe për arsye personale kanë refuzuar. Unë e respektoj vendimin e tyre, por dua të theksoj se këta 19 lojtarë që kanë ardhur dhe janë këtu për të ardhmen do të kenë përparësi kundrejt kujtdo tjetër që do të vijë. Dua të jem i qartë në këtë pikë, për lojtarët që janë këtu dhe ata që nuk erdhën”, thotë trajneri Antonis Konstandinidhes. Lojtarët që nuk i janë përgjigjur ftesës pozitivisht, janë të një kalibri më të larë, që kanë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së ekipit tonë përfaqësues.

Bëhet fjalë për Klaudio Ndojën, i cili aktivizohet në Itali me Bolonjën; Franko Bushatin, gjithashtu në Itali me Breshan; Rei Pullazin, po në Itali me Bergamon; por edhe për një lojtar amerikan, për të cilin procesi për t’i dhënë pasaportë shqiptare ka filluar me vonesë. Ai është Kevin Dilard, i cili këtë vit ka firmosur në Turqi me Pinar Karsiyaka. Përfaqësuesja shqiptare e basketbollit për meshkuj do të rikthej të luajë në takime zyrtare pas 3 vitesh mungesë. Kuqezinjtë janë pjesë e grupit F në eliminatoret e Europiani ku përballë do të kenë kundërshtarë të kalibrit të lartë si Gjeorgjia, Maqedoni e Sllovakia.

Qëndrimi

“Në radhë të parë dua të falënderoj federatën shqiptare për besimin që më dha. Misioni ynë në këto eliminatore për shumë arsye do të jetë mjaft i vështirë. Një nga arsyet është fakti që në 3 vitet e fundit kombëtarja nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje, problemi i dytë ka të bëjë me seleksionimin pasi ka prurje nga e gjithë bota, kjo e vështirëson detyrën time por prandaj jam këtu. Dua të ndërtoj një skuadër që në të ardhmen të synoj të ngjitet sa më lart. Do kërkojmë maksimumin në eliminatoret e Europianit por nuk duhet harruar se këta basketbollistë nuk e njohin lojën e njëri-tjetrit pasi është here e parë që luajnë së bashku, po ashtu nuk mund të anashkalojmë forcën e kundërshtarëve. Nuk kam frikë aspak, nuk bën pjesë në karakterin tim, kur të zbresim në parket nuk duhet të na interesojë nëse në ekipin tjetër ka lojtar që aktivizohen në NBA por sigurisht respekti për ta do jetë maksimal”,- u shpreh trajneri.