Ja pse u zgjodh “Vendeka Bilgi” për koncensionin e “Rrugës së Kombit”

Dhënia me konçesion e ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së autostradës Milot – Morinë është projekt i parë i këtij lloji në vend. Procesi ka zgjatur disa vjet dhe ka dështuar disa herë.
Këshilltari për Mediat i Ministrisë së Transportit, Arbër Hitaj në një dalje zyrtare sqaroi sot se përse u zgjodh kompania turke, si dhe nivelin e tarifës së rrugës :

1- Tarifa për përdorimin e rrugës do të jetë 4.16 euro pa TVSh pra 3.63 euro cent për kilometër, meqënëse rruga është 114.5 kilimetra e gjatë. Tarifa për rrugën Milot-Morinë është miratuar në Korrik 2014, bazuar mbi rekomandimin e konsulentit “IFC”. Pavarësisht këtij fakti, tarifa e përcaktuar për rrugën Milot Morinë është vetëm 3.7% më e lartë se sa sugjerimi i Egnatia Odos, me një rritje të pakonsiderueshme dhe e konfirmuar nga konsulenti IFC. Konsulenti Egnatia Odos, financuar nga BERZH, në studimin për taksimin e rrugëve në Shqipëri, ka sugjeruar përdorimin e një tarife prej 3.5 euro cent për kilometër pa TVSh, dokumenti është prodhuar dhe miratuar në Dhjetor 2015, ndërsa procesi I tenderimit kishte filluar tashmë. Diferenca me vlerën e përcaktuar nga IFC, institucion I Bankës Botërore, është vetëm 3.7 përqind.

2- Ndërkohë Tarifa për përdorimin e rrugës është nën mesataren e rajonit. Kështu tarifa e aplikuar në Greqi varion nga 4.8 deri në 4.97 euro cent për /km, në Kroaci 4.94 euro cent për kilometër, në Maqedoni nga 3.33 deri në 4.47 euro cent për kilometër pa TVSH. Ndërkohë Shqipëria e ka 3,63 euro cent për kilometër.

3- Dëshirojmë t’i kujtojmë opozitës, se në kohën kur proçedura u zhvillua gjatë qeverisjes së kaluar, tarifa për përdorimin e rrugës nuk u përcaktua nga qeveria, por u parashikua të ishte pjesë e ofertës së konçesionarit, dhe ishte në vlerën 8 Euro.

“Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ka shqyrtuar në bashkëpunim të ngushtë me IFC në mënyrë të detajuar dhe të thelluar të dyja ofertat, që u paraqitën nga bashkimet e përkohshme të shoqërive për këtë projekt, proçedurë normale e tenderimit, duke patur parasysh objektivin kryesor në këtë konçesion, përcaktimi nëse një ofertues, ka kapacitetin e nevojshëm dhe të domosdoshëm, për ta implementuar këtë projekt në mënyrë të suksesshme.
Në përfundim, pasi mori edhe rekomandimin e IFC, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi të shpallë ofertë të preferuar, atë të paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi ” për arsyet si më poshtë:
Sepse Vendeka i plotesonte kriteret e kualifikimit dhe se oferta e saj për pagesë vjetore nga buxheti sillte një investim kapital fillestar të propozuar në shumën 50,6 milion Euro, dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,6 milion Euro, rreth 110 milion euro me shumë se ofertuesi tjetër”, tha në daljen e tij këshilltari për median i ministrisë, Arbër Hitaj.