Sot/Përballja historike mes shqiptarëve

Kuqezinjtë zhvillojnë ndeshjen e parë në Kampionatin Evropian

Momenti historik ka ardhur. Shqipëria për herë të parë do të luajë në një Kampionat Evropian, dhe takimi i parë është kundër Zvicrës së gjashtë shqiptarëve. Emocionet në dy kampet janë të mëdha, derisa dy skuadrat hynë për fitore. Ky takim do të jetë shumë emocionues për futbollistët e Kombëtares shqiptare që kanë lindur ose janë rritur në Zvicër, por edhe për shqiptarët e Zvicrës, që kanë thënë se kjo është përballje speciale

Xhaka vs. Xhaka

Momenti i shumëpritur ka ardhur. Momenti që e kanë ëndërruar miliona shqiptarë në mbarë botën. Momenti i së vërtetës dhe momenti për të bërë krenarë gjithë shqiptarët, ashtu siç i bën krenarë në kualifikime. Shqipëria për herë të parë do të luajë në një Kampionat Evropian dhe takimin e parë në kuadër të Grupit A, do ta ketë shumë special, pasi do të ndeshet me Zvicrën, ku paraqiten gjashtë futbollistë shqiptarë: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili dhe Shani Tarashaj. Pesë të parët pritet të jenë titullarë. Shaqiri, Xhaka e Behrami e kanë quajtur këtë ndeshje si shumë speciale. Por, ndeshje e veçantë do të jetë edhe për disa nga futbollistët e Kombëtares shqiptare, që kanë lindur ose janë formuar në Zvicër. Megjithatë, më së shumti emocionet pritet të kenë vëllezërit Xhaka, Taulanti dhe Graniti. I pari përfaqëson Shqipërinë, derisa i dyti Zvicrën. Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës fillon nga ora 15:00, derisa kuqezinjtë më pas ndeshen me Francën dhe në fund me Rumaninë, shkruan sot gazeta “Kosova Sot”.

Image

Hera e parë që dy vëllezër janë kundërshtarë

Kjo do të jetë hera e parë që dy vëllezër përballën kundër njëri-tjetrit në historinë e Kampionëve Evropiane. Vëllezërit Xhaka kanë qenë në fokus të medieve ndërkombëtare për këtë fakt dhe disa herë në intervistat e tyre kanë cekur se kjo është ndeshje speciale, megjithatë, do të japin maksimumin për skuadrat e tyre. Taulanti thotë se do të japë më të mirën për Shqipërinë. “Do ta ndal Granitin. Nëse do të më duhet, do t’i shkaktoj edhe faull, vetëm që të mos na shënojë. Ai e di që ne jemi profesionistë dhe secili duhet të bëjë maksimumin për ekipin e tij. Graniti i merr gjërat me më shumë emocione sesa unë”, deklaroi Taulanti, duke shtuar: “Në familje? Nëna bën tifo 100 % për Zvicrën. Ka jetuar atje prej vitesh dhe i ka dhënë shumë ai vend. Babai është 50 me 50. Fakti që 150 % e familjes bëjnë tifo për Zvicrën, më japin edhe më shumë kënaqësi nëse do të fitoj me Shqipërinë”, theksoi ai, derisa Graniti, ka deklaruar: “Unë e shoh të njëjtën situatë. Falë Zotit është futboll. Jo më shumë e as më pak. Do të bëjmë gjithçka për të fituar kombëtaret respektive. Nuk do të thotë kjo se ne duhet të ndryshojmë tani stilin e lojës. Do të fokusohemi 100 për qind te kjo ndeshje dhe më i miri le të fitojë”, u shpreh Graniti, i cili shtoi se do të ishte më mirë sikur të dilnim jashtë nga minuta e dytë e ndeshjes.

Kuqezinjtë premtojnë maksimumin

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana që 13 vjet luan me kuqezinjtë dhe ëndrra e tij më në fund është plotësuar. “Ne jemi krenarë që përfaqësojmë një popull të tërë. Mendoj se nuk po luajmë vetëm për vete, por edhe për gjithë shqiptarët. Të gjithë e dimë se çfarë përgjegjësish kemi. Kemi pritur gjatë për Kampionatin Evropian dhe ëndrra jonë dhe e gjithë shqiptarëve është plotësuar. Takimi me Zvicrën është special, pasi edhe është ndeshja e parë. Angazhimi ynë nuk do të mungojë dhe mendoj se nuk do të gabojmë si ndaj Ukrainës”, deklaroi Cana. Një lojtar i cili ka luajtur për grupmoshat e Zvicrës, por që ka vendosur të luajë për Shqipërinë është Migjen Basha. “Edhe kur kam luajtur me Zvicrën kam ëndërruar gjithmonë që vesh fanellën e kombëtares. Mirëpo, tashmë ajo i përket së kaluarës. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Lojtari i parë që braktisa Zvicrën? Po, ndoshta kam thyer akullin sidomos pasi problemet me pasaportë u zgjidhën, por mendoj se është meritë edhe e federatës që kërkoi dhe bisedoi me lojtarë të tjerë. Zvicra ka shumë lojtarë të mirë në çdo repart. Ne i kemi analizuar shumë këto kohë dhe jemi munduar të gjejmë pikat e dobëta të tyre. Do të mundohemi t’i godasim pikërisht aty”, tha Basha. Edhe Burim Kukeli luan në Zvicër, te skuadra Zurich. “Është ndeshja e parë dhe vlen mbase edhe më shumë sesa të tjerat, pasi ndihmon shumë në rast se do të marrim një rezultat pozitiv. Për mendimin tim, Zvicra është një skuadër me kualitete dhe ka lojtarë që, përveç cilësive individuale, luajnë së bashku prej vitesh. Nuk i shoh si skuadër që shënojnë shumë gola si dhe në disa raste ata shfaqin edhe pasiguri në prapavijë. Për momentin, nuk kam kontakt me asnjë prej tyre. Unë jam rritur me Inler-in, por ai nuk është grumbulluar për këtë edicion. Lojtarët e tjerë i respektoj si çdo kundërshtar, por nuk është se kam kontakte apo miqësi”. Shkëlzen Gashi gjatë janarit u transferua nga Baseli në Colorado të Amerikës. Ai fitoi shumë trofe në Zvicër, derisa beson se kjo ndeshje është speciale. “Sfida me Zvicrën do të jetë mjaft e veçantë, pasi jam rritur me disa nga futbollistët e kombëtares helvete. Jetoj në Zvicër, shokët janë të tillë, për mua është një ndjenjë që nuk e kisha imagjinuar. Shqipëria do të ketë një mbështetje shumë të madhe, pasi edhe tifozë nga Amerika do të vijnë për të na mbështetur. Kjo është e jashtëzakonshme”, nënvizoi Gashi.

Ndeshje speciale për Shaqirin e Behramin

Xherdan Shaqiri në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s ka bërë të ditur se do të jetë sfidë speciale për të dhe shumë lojtarë të tjerë të kombëtares. “Unë u kam thënë prindërve të mi se ne do të jemi në grup me Shqipërinë, dhe kështu edhe ndodhi. Është një short i veçantë për të gjithë ne, por ne kemi luajtur dy herë ndaj Shqipërisë në kualifikimet e Botërorit dhe kemi bërë mjaft mirë. Do të jetë ndeshje speciale, por për mua dhe të tjerët, është ndeshje futbolli dhe janë në pyetje tri pikë të cilat duam t’i fitojmë në këtë garë shumë të rëndësishme. Kjo e bën ndeshjen edhe më speciale. Ne kemi mjaft përvojë dhe duam që të fitojmë ndeshjet e parë”, u shpreh Shaqiri për faqen zyrtare të UEFA-s. Mesfushori me përvojë, Valon Behrami ka thënë se do të mundohen t’i kontrollojnë emocionet dhe të luajnë si profesionistë. “Ne kemi luajtur në eliminatore për Botërorin e vitit 2014 kundër Shqipërisë. Ishte ndeshje e veçantë për mua. Ishte hera e parë që isha më nervoz se që jam mësuar të jam para ndeshjeve. Por më pas kur të jesh në fushë, ju nuk mendoni për këto gjëra. Tani është hera e tretë që luajmë kundër Shqipërisë. Natyrisht, është ndeshja më e rëndësishme, pasi është e para në Evropian. Është gjithnjë si finale, pasi nëse humb ndeshjen e parë ju jeni thuajse jashtë. Do të jetë vështirë të kontrollojmë emocionet, por ne duhet të mendojmë se është vetëm një lojë, edhe nëse nuk është vetëm e tillë. Do të ketë emocione në fushë. Por, unë kam zgjedhur para 11 vjetësh të luaj për Zvicrën dhe kjo ishte zgjedhja më e mirë për mua”, theksoi mesfushori nga Mitrovica.

Shqipëria pritet të luajë me këtë formacion: Berisha, Hysaj, Cana, Mavraj, Agolli, Roshi, Xhaka, Kukeli, Abrashi, Lenjani dhe Sadiku. Te Zvicra nga fillimi pritet të luajnë futbollistët shqiptarë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi

(Kosova Sot)