Sot luan edhe Anglia

“Tre Luanët” shpresojnë që ky të jetë Evropiani i tyre

Njëra nga Kombëtaret favorite për të triumfuar në Francë është Anglia. “Tre Luanët” ishin perfekt në kualifikime me dhjetë fitore në po aq ndeshje dhe shpresojnë që me këtë ritëm të vazhdojnë në Evropian. Përballja e parë është ndaj Rusisë, megjithatë Wayne Rooney është i gatshëm për këtë duel

E kërkojnë trofeun e parë

Anglia asnjëherë nuk ka arritur që të fitojë Kampionatin Evropian. Vendi ku lindi futbolli shpreson që ky Evropian të jetë i tyre, por edhe të kenë më shumë fat. Roy Hodgson ka një ekip të kombinuar me lojtarë të rinj dhe me përvojë, dhe ky mund të jetë çelësi i suksesit në Evropian. Përzgjedhësi Hodgson beson te lojtarët e tij. “Nuk ka ndeshje të lehtë në Evropian. Këtë e dinë të gjithë. Takimi i parë është i rëndësishëm dhe shpresojmë të fillojmë me këmbë të mbarë. Nuk bën të nënçmojmë kundërshtarin. Janë një ekip i vështirë për t’u mundur”, deklaroi trajneri anglez. Chris Smalling, Gary Cahill dhe Ryan Bertrand u janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, derisa Jamie Vardy mund ta humbasë ndeshjen për shkak të lëndimit. Ndërkohë, Rusia në këtë takim do të jetë pa Alan Dzagoev dhe Igor Denisov, si dhe Yuri Zhirkov, i cili është i lënduar, shkruan sot gazeta “Kosova Sot”.

Rooney ndihet i gatshëm

Anglia është ndeshur me Rusinë, dy herë pasi janë ndarë nga Bashkimi Sovjetik, ku një herë triumfuan 3:0, derisa rusët fituan 2:1 në Moskë. Wayne Rooney në kualifikime u bë golashënuesi më i mirë në histori të Anglisë dhe shpreson që të jetë lider edhe në Francë. “Është ndjenjë e mirë të jesh shënuesi më i mirë. Kam pasur probleme me United-in, për shkak të lëndimeve, por jam rikthyer në fund. Trajneri kishte besim në mua dhe unë kam treguar se çfarë mund të bëjë. Roy ka ftuar edhe Marcus Rashford dhe kjo dëshmon se ai iu beson lojtarëve të rinj. Por, Rashford tregoi pas vetëm disa minutave se e ka merituar ftesën. Për lojtarët e rinj kjo është shumë e rëndësishme”, theksoi sulmuesi i Manchester United-it. Anglia pas kësaj ndeshjeje do të përballet me Uellsin dhe më pas me Sllovakinë.

Orari i Grupit B

E shtunë

18:00: Uellsi – Sllovakia

21:00: Anglia – Rusia