Qyteti ku luhet ndeshja me Zvicren plot me flamuj shqiptarë

Ne Lens luhet sot ndeshja historike Shqipëri-Zvicër me çfarë Shqipëria e bën “sefte” në një Kampionat Evropian.

Ajvaz Mehmeti nga Velesi i Maqedonisë, fshati Dollqishtë ka bërë rrugën më të largët. Ai me të bijën Nerxhivanen 14 vjeçare kanë ardhur me motor nga vendlindja. “Po vijmë direkt nga pika më e skajshme e Shqipërisë reale” thotë Ajvazi i entuziazmuar tek mbështjell motorin e tij me flamurin kombëtar. “Flamurin e kam ble në Krujë ndërsa shtizën e kam marrë në një mal rrugës”, thotë ai.

Pastaj niset tatëpjetë rrugës ndërkohë që palat e flamurit valojnë mbi shtizën e improvizuar. Pak më tutje grupe tifozësh shkojnë e vijnë rrugëve duke valuar flamujt kuq e zi.

“Kemi ardhur nga Babenbergu i Gjermanisë”, thonë disa të rinj që parakalonin me flamuj dhe rekuizita tjera kombëtare. “Jemi nga të gjitha trojet: unë nga Llapi, ky afër meje nga Ferizaji, tjetri nga Tirana etj.” thotë më i zëshmi prej tyre.

Ndërsa Adnan Tetaj ka ardhur nga Suedia dhe kusheriri i tij Flamuri nga Aargau i Zvicrës. “Jemi takuar bashkë në Bruksel dhe e kemi marrë rrugën së bashku. Ne nuk lëmë asnjë ndeshje të kombëtares pa ndjekur në vendin e ngjarjes prandaj patjetër se do të vinim edhe sonte”, thotë Flamuri për albinfo.ch

Atmosferë e ndezur mbretëron gjithandej në rrugët e qytetit Lens. Në njërin nga lokalet ku janë tubuar tifozët shqiptarë tashmë ia kanë “krisur” këngës me çifteli dhe brohoritjet s`kanë të ndalur: “Shqipëri-Shqipëri”, “O sa mirë me qenë shqiptar” etj. Edhe fishkëllimat me “vuvuzela” kanë nisur të dëgjohen ashtu si dhe sirenat e makinave.

Ndërkohë, pas mbarimit të ndeshjes Francë-Rumani, pasi kanë fituar francezët, një parakalim i vendësve në shenjë festimi të fitores është përzier me festën e shqiptarëve. Tupanat dhe këngët shqiptare janë shkrirë në një me brohoritjet dhe vuvuzelat franceze, por në fund festa e shqiptarëve “mbulon” atë të francezëve me zhurmën dhe frymën entuziaste të tyre.