Rama: Prokuroria u përfshi në një makinacion të rëndomtë politik

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në një delklaratë ku i kërkon ndjesë qeverisë italiane, Rama akuzon prokurorinë për veprimin e ndërrmarrë sot. Rama e quan hetimin e Prokurorisë ekstrem dhe përfshirje në një makinacion kaq të rëndomtë politik.

Deklarata e Kryeministrit

Çka ka ndodhur sot me pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ndalimin e dy drejtuesve të saj, më imponon t’i kërkoj ndjesë publikisht qeverisë mike dhe partnere të Italisë. Kjo ndodhi është e pajustifikueshme dhe për Shqipërinë është një tjetër kambanë që bie për emergjencën kombëtare të Reformës në Drejtësi.

 Mbroj fort pikëpamjen se shpjegimet e dhëna nga Italia përmes ambasadorit italian, pa asnjë detyrim, por vetëm si shprehje e miqësisë së sinqertë dhe vullnetit më të mirë, për të vendosur nën dritën e fakteve legjendën politike të përgjimeve, duhet të kishin mjaftuar që institucioni shqiptar i akuzës të mos përfshihej në një makinacion kaq të rëndomtë politik.

 Por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu dhe sot, miqtë e partnerët tanë të provuar në çdo ditë të vështirë të Shqipërisë së këtyre njëzetë e pesë vjetëve, kanë të drejtë të ndjehen të lënduar nga përfshirja e tyre indirekte në një hetim absurd si edhe, më zi akoma, nga veprimi ekstrem që ka ndërmarrë sot prokuroria.

 Duke u kërkuar ndjesë për këtë “çudi” që e ka dëmtuar jo pak vazhdën e një bashkëpunimi të shkëlqyer, prej të cilit në gjithë këto vite, Shqipëria e shqiptarët kanë përfituar aq shumë, sa kurrë nuk do të mund të lahemi me fqinjët tanë të mirë, dua t’i siguroj miqtë e mëdhenj dhe partnerët e paçmueshëm italianë për mirënjohjen më të thellë e konsideratën më të lartë.

Lexoni çfarë ndodhi sot me çështjen e përgjimeve

Përgjimet/Pezullohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë

Prokuroria sekuestron kompjutera dhe dokumente nga Policia

Italia tërheq shefin e Interforcës, Basha: Të ikë Tahiri

Manjani: Deklaratat politike nuk ndihmojnë zbatimin e ligjit

Rama, ambasadorit italian: Nuk kemi institucione serioze

Hetimet, si e “zhdukën” pajisjen e përgjimit nga zyrat e policisë