Ambasadori Lu dhe “Al Kaponet” shqiptarë

Shqipëria e viteve 2000 ka një ngjashmëri me Amerikën e viteve 1930. Për ambasadorin Amerikan në Tiranë, Donald Lu, ashtu si në SHBA-të e viteve 1930 edhe në Shqipëri ka njerëz që qëndrojnë mbi ligjin. Për ta bërë më konkrete këtë situatë, ambasadori mori si shembull një emër të njohur të botës së mafies, Alphonse Capone (Al Kapone).

Kur isha në universitet, Hollivudi nxori filmin e titulluar “The Untouchables” (Të Paprekshmit).  Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert De Niro luante rolin e gangsterit Al Kapone.  Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “të Paprekshmit”.  Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin, por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit. Në një kohë kur Çikago qe e mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë, kjo njësi e pakorruptueshme, e pavarur, qe në gjendje të arrestonte Al Kaponen e famshëm. Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri – një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.  Ka  një propozim që kjo të jetë pjesë e funksioneve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ose BKH-së, e bërë sipas modelit të FBI-së amerikane”,- tha ambasadori Amerikan në aktivitetin “Për Partneritetin për Qeverisje të Hapur”.

Ambasadori amerikan, si asnjë diplomat tjetër në Shqipëri, është i njohur për deklaratat e forta dhe pa dorashka kundër korrupsionit në drejtësi dhe krimit në politikë. Por deklarata e bërë dje, në prag të miratimit të reformës në drejtësi, merr një domethënie më të veçantë. Krahasimi me Amerikën e viteve ’30 të shekullit të kaluar, edhe pse përmes skenarit të një filmi, tregon se realiteti i krimit dhe korrupsionit në Shqipëri është alarmantë, bile i frikshëm. Me gjuhën e Ambasadorit Lu ne kemi këtu mafiozë të rangut të Al Kapones. Madje, jo një, por disa. Por kemi edhe të paprekshëm të tjerë dhe segmente kriminale në gjithë strukturat e shtetit që nga sistemi i sotëm i drejtësisë nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. Kur e thotë këtë një diplomat që ka informacion sekret të dorës së parë mbi atë që ndodh në vend, atëherë  skema e kapjes së shtetit nga mafia duhet të jetë më e tmerrshme sesa një film “Hollivudi”. Problemi është se e keqja, “Al Kaponet” janë aq shumë në politikë dhe drejtësi, sa kapja dhe ndëshkimi i tyre nuk mund të vij nga vet sistemi që kemi ndërtuar këto 26 vjet. Përkundrazi është ky sistem që i mbështetur dhe i ka bërë ata “Të paprekshëm”.  Ky sistem duhet shembur.

Në këtë situatë SHBA-të kanë vendosur të mos bëjnë vetëm vëzhguesin e asaj çka ndodh në Shqipëri. Përveç sfidës së hapur që diplomati i bëri dje gjithë klasës politike dhe vetë Al Kaponeve, ambasadori la të kuptohet se SHBA-të do të zbresin vetë në terren. Ai tha se njerëzit që do të hetojnë korrupsionin kanë mbështetjen, financimin dhe monitorimin e Shteteve të Bashkuara. ”Ne kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve. Trajnimi i tyre do të zhvillohet në Akademinë e FBI-së në Shtetet e Bashkuara. Një agjent i FBI-së do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate. Dhe të gjithë policët e BKH-së do të kalojnë përmes testeve të dallimit të gënjeshtrave (njohur ndryshe si testi i poligrafit) dhe llogaritë e tyre bankare do të mbikëqyren për t’u siguruar që ata nuk po marrin ryshfet ose që nuk po punojnë për krimin e organizuar”,- deklaroi Ambasadori.

Deklaratë e fortë e Donald Lu, por që mirëpritet nga populli. Politika është frikësuar që dje pas deklaratës së ambasadorit Lu. Gjyqtarët dhe prokurorët po nxitojnë të mos dalin më me makina të shtrenjta si dikur më tangërllëk, bile po i sheshin. Politikanët po nxitojnë të pastrojnë llogaritë dhe të ikin nga grupimet e mafias.

Por harrojnë se gjurmët mbeten, nuk ikin. Janë të gjitha në një kompjuter në ambasadën amerikane në Tiranë e në FBI. Pritet vetëm të fillojnë “FBI-të shqiptare” në arrestime e ndëshkime.

Tashmë Donald Lu filloi sulmin për arrestime!