Njeriu mund të jeton edhe pa religjion

Nga Ilir Muharremi

Duhet t’i shërbejmë të vërtetës dhe ky është shërbimi më i vështirë. Kërkohet më shumë shpirt, ndonëse edhe dhimbje dhe atë që na mësojnë fetë janë pra gënjeshtra. Fetë e keqkuptojnë trupin, dhe ngritin shpirtin, por shpirti si mund të jetë i shëndoshë në një kufomë? Vet trupi kryen procedurën e tij biologjike, ndonëse i rraskapitur, i lodhur, i helmuar nga shenjtorët, dhe kjo nuk ju duket e arsyeshme sepse krishterët poashtu edhe myslimanët synojnë pushtetin. Feja nuk është kombëtare, e as nuk lidhet me racën (edhe kombi edhe raca bëjnë ndasinë, njeriu duhet të synoj unitetin) më shumë gjen strehim te jetëzitë dhe është e kundërt me njerëz të shëndoshë. “Gjithçka që është e bërë mirë, krenare, plot gjallëri, bukuria mbi të gjitha, atij i vret sytë dhe veshët”, shkruan te “Antikrishti”, Nietzsche. Kjo na obligon të citojmë shprehjen e Palit: “Ai që është i dobët për botën, i marrë për botën, ai që për botën është i përbuzur dhe objekt përçmimi, Zoti e ka përzgjedhur”. Vuajtja është hyjnore dhe për çka të vuash?  Për vetveten dhe njerëzimin. Atëherë, për njerëzit e lumtur nuk ka vend në hyjnorësi. Sëmundja është e mirë për fetë, kurse përsosja, fuqia, e mira janë të këqija. Këtë e ndjenë besimtari i vërtetë. Madje më e keqja ai mendon se Zoti kujdeset për të në kohën e duhur. Nëse e humb këmbën përse nuk e kërkon nga Zoti t’ja kthen. Ose në çaste e zë një rrebesh i madh dhe nuk ka strehë afër, lutet për Zotin ta ndalojë, por ja Zoti nuk e bënë. Kjo vërtetë rezulton absurde. Zotin këta e shpallin si mjekë, shërbëtor, hartues i planave, realisht këto janë budallallëqe të rastësisë.

     Fetarët nuk e dinë se e vërteta i takon atij edhe që e ka edhe që nuk e vëren. Por, nëse kërkohet të zbulohet e vërteta ende nuk ekziston një fillesë bile e vogël e saj. Njeriu i fortë gjithnjë është skeptikë dhe ka të drejtë. Ky njeri vështirë që përqafon vetëm një bindje sepse fetarët janë të një bindjeje, dhe s’kanë perceptim tjetër (kritik, analitik, dhe polemizues.) Nëse unë kam bindje për një gjë, atëherë jam i burgosur brenda kësaj bindjeje, duhet vështruar përtej. “Një shpirt që dëshiron gjëra të mëdha, që dëshiron edhe mjete për to”, sipas Nietzsches, është skeptik. A duhet të jetohet në dyshime? Nga dyshimet nxjerrim vetëm dyshime dhe Nietzsche-ja e ka të qartë se shumë gjëra arrihen përmes bindjes. Ai i bindur në mbinjeriun, në vrasjen e Zotit dhe gjithnjë skeptik ndaj vetvetes. Kamy këtu gjen përgjigje: “I huaj për vetveten dhe botën”. Vetvetja është vetvete asgjë më shumë dhe nuk ka arsye për skepticizëm këtu. Mjafton vetëm të dëgjosh urdhrat e saja. Kurse njeriu besimtarë nuk qe vetvetja, por harxhohet për diç tjetër. Për një premtim të papërvojë dhe hiç. Kamy vret rëndësinë e botës dhe vetvetes në botë, edhe ai ngritë anën skeptike dhe njeriun e përdorë si një “Avanturier” të përkohshëm. Edhe vetë Van Goghu i qëndron këtij mendimi, veçse artin e ngritë në përjetësi. Edhe një tjetër për fetarin e devotshëm: Ai heqë dorë nga vetja dhe kjo për të është nder i madh. Kur njeriu beson në fenë dhe Zotin, tjetërsohet. Shkelmimi i vetvetes bëhet më qëllim të shijimit të përjetësisë, mirëpo, harrojnë në vdekshmërinë dhe momentin (i cili ka rëndësi më të madhe se përjetësia.) Nietzsche ndjenë ankth ndaj fesë, e pastaj kritikon njeriun besimtarë, përplaset në idealet dhe moralet e rrejshme, ndonëse në thelb kritikon edhe shijen, jetën, pastaj arrin konfliktin me vetveten për arsye të mos ekzistimit dhe vërtetimit për ekzistim dhe joekzisitim.  Nietzsche-ja gabon kur priftin e quan zëdhënës të Zotit. Këtu ai i jep rëndësi Zotit dhe përmend dredhitë e priftërinjve. Ky filozof prapë nuk i bindet hiçit dhe e shpie në limitet e arsyes për të cilat mendon se vetëm këto janë filozofike. Vetë Zoti e krijoj mbulesën, pastaj zbulesën, sjelli në tokë Nietzschen, Zoti këtu bëri vetëvrasje (gjithnjë në idenë e njerëzve se ekziston), pastaj Nietzsche vdiq, por Zoti sërish jeton dhe unë akuzoj çdo vrasje ndaj tij, sepse në vrasje ai bëhet i rëndësishëm. Mjafton vetëm të eliminohet ideja për ekzistimin dhe vrasjen e tij. Të mos konsiderohet madje as hiç, vetvetiu do të shuhet siç e kam cekur më lartë.

        A mund të jesh njeri i lirë përderisa krishterët kërkojnë të kristianizojnë, ose tjetra të jesh njeri i lirë dhe i drejtë me vetveten e të jesh mysliman përderisa lindja e njeriut është myslimanizuar. O të padrejtë, lutja e fëmijës është të jeni të sjellshëm ndaj vetvetes. Si mund të jesh i lirë kur vetë fetë nuk janë të lira. Përmes bindjeve dhe imponimeve aty përjashtojnë lirinë. Lum fëmija që kënaqet me harresën në çdo çast. Feja nuk jep liri, por diktaturë dhe urdhër sepse kërkon ti t’i përmbahesh, e jo ajo ty të përmbahet. Gjoja se ne kemi nevojë për fenë “kinse”, qëllimi është i qartë, feja ka nevojë për rritjen e numrit të njerëzve, tek individët nuk funksionon. Feja gjithmonë e ka atë “ti duhesh”, po kjo dukshëm tregon njeriun zagarë i cili i bindet parakushteve të cilat feja i përdorë si ligj i shenjtë “hyjnor”. As vetë Zoti, madje as hyjnitë nuk e duan zagarin i cili ju bindet, por të fortin i cili i refuzon, sepse i binduri i tradhton nëse i paraqitet një forcë më e madhe më e re. Ligji hyjnor, i përkryer, i përfunduar pa fillim, nuk ka histori, e as parahistori, është shpallur si mrekulli thashethemesh dhe transmetimesh. Gjithmonë ligjet vijnë nga lashtësia dhe bazimi ndodh mbi atë se Zoti e sjelli dhe aty njerëzit e parë jetuan. Logjika fetare gjithnjë kishte dhe ka për qëllim të shtyp atë që është e drejtë, jetën. Jeta është pranuar më e drejtë se Zoti dhe feja. Njerëzit e fortë, kuptohet jo fetarët gjejnë lumturinë dhe kënaqësinë te beteja dhe ata vërtetë sfidojnë vetveten. E vështira në vetvete për ta është një respekt.  Ca njerëz luftojnë, sundojnë për arritjen e pushtetit, natyrisht sepse e duan me qëllim të të shtypurit të tjerët, ata sundojnë edhe pse duan, jo veç që e konsiderojnë veten Zot, por nuk i durojnë të dytit. Kjo ngjanë pak edhe me Zotin sepse as Zoti nuk e duron një Zot tjetër. Kurse të dytit e vlerësojnë mbretin mbi të gjitha. Të dytit nuk janë fajtor për atë që nuk duan të bëhen mbret, duhet të ekzistojnë të dytit për tu veçuar të parët. Të dytit janë të lumtur sepse dituria e tyre ecën vetëm në një drejtim. Nietzsche me të  drejtë arrin një balancë kur thotë: “Padrejtësia nuk qëndron kurrë te të drejtat jo të barabarta, qëndron në pretendimin e të drejtave “të barabarta””. A ka diç të keqe këtu? Pamundësia përpiqet të bëhet mundësi. Këtu ndodh edhe dështimi. Atëherë t’i lëmë ashtu siç janë mbas rangimit.

    Nëse Islami përçmon krishterimin do t’i jepja pak të drejtë sepse të paktën aty ka meshkuj, burra, derisa te krishterimi gra të stërvitura. “Krishterimi na ka privuar me mashtrim nga fryti i qytetërimit antik, më vonë sërish na ka zhvatur frytin e qytetërimit islamik”, shkruan Nietzsche në superlativ për botën arabe të Spanjës. Ai këtë botë e ndjente më të afërt më elokuente duke e krahasuar me shijen dhe kuptimin krahas me Romën dhe Greqinë. Krishterimi luftoj kundër Islamit dhe sipas Nietzsches më mirë të ishin përkulur në pluhur, dhe sigurt Krishterët donin t’i plaçkitnin sepse Lindja ishte shumë e pasur, madje edhe qytetërimi ynë i sotëm është më i vonuar sa i përket pasurisë të cilën e posedon Lindja, pavarësisht ajo çfarë i bëjnë SHBA-të, tendencë për shfarosje të Islamit, ndonëse kapja e pasurisë, porse ata burra luftojnë deri në njeriun e fundit. Kjo në një anë ka të mirën sikur të ishte më shumë për kombin sesa për fenë. Myslimanët vdesin për fenë. Në radhë të parë e identifikojnë fenë dhe të vdiset për një hiç, vërtetë është humbje. Këtu Islami gabon. Kryqëzatat qenë pirateri e vërtetë krahas me Islamin dhe kjo është tejet e vërtetë. Tokat arabe qenë vend i shkretë dhe fare i papërshtatshëm për jetesë dhe ky vend sipas myslimanëve do të kthehet në një vend me lumenj dhe gjelbërime. Fjala do të “kthehet” shprehë një domethënie, nxjerrë kuptimin se ato ishin dikur dhe do të jenë përsëri. Ndonëse po të pohohej do të bëhet, kuptimi nxjerrët se asnjëherë nuk ka qenë në të kaluarën. Tregohet një humbje dhe kthim, një e kaluar dhe e ardhme. Për çfarë qëllimesh bëhet kjo? Myslimanët nuk e shprehin se pasurinë e kanë fituar, por e kishin gjithnjë. Kjo edhe është e vërtetë.

    Arrita në fund dhe publikisht kërkojë të shpall gjykimin tim ndaj feve përjashtuar Budizmin. Dënoj Islamin për gjepura që propagandoj për një besim ndaj “Allahut” (Zoti edhe nëse ekziston nuk ka lidhje me njeriun aq më pak të emërtohet) dhe bindjes ndaj çdo fjale të tij. Poshtërimin dhe jo rëndësinë e vetvetes dhe jetës për përjetësinë. Fjalën jetë e sprovuar e përjashtoj sepse jeta duhet jetuar e jo sprovuar. Kurse Krishterimin e dënoj mbas perversitetit sepse nuk la gjë të paprekur dhe vlerat e jetës i shndërroj në jo vlera. Sot Krishterimi është zbutur, derisa Myslimanizmi është radikalizuar. Krishterimi nuk mund të shfajësohet sepse krijoj krimbin e mëkatit dhe njerëzimi është vërshuar nga mjerimi. Tani e dyta, afrimin te Zoti dhe shpirti i njeriut i barazuar me të. Broçkulla dhe ky falsitet u bë revolucion, është pozitive se ideja e sotme është një dinamit për fetë. Poshtërsia tjetër kundërshtimi i vetvetes (kjo është gjymtim, vetëgjymtim), shpallja e shenjtërisë, kjo thithje gjaku, njeriun në logjikë e bënë anemikë sepse humbja e dashurisë dhe shpresës për të jetuar është e madhe. “E përtejmja si vullnet për të mohuar çdo realitet, kryqi si shenjë merite për përbetimin më sekret që ka ekzistuar”, ndonjëherë kundër shëndetit, këtë akuzë kundër Krishterimit Nietzsche-ja duhej ta shkruante mbi çdo mur. Ai u dëshpërua sepse njerëzimi vazhdon të trashëgoj këtë njollë ndyrësie. Koha prej ditës së parë kur filloj Krishterimi në përgjithësi fetë (përjashtuar Budizmin), njerëzimi jetoj në ankth dhe mashtrim dhe kjo qe fatkeqësi dhe nëse Zoti ka gisht në këtë fatkeqësi, atëherë më shumë është i keq se i mirë. Në ditën e vdekjes së feve (përjashtuar Budizmin)njeriu fillon të jetoj i lirë të kthehet në fëmijërinë e tij. Nuk propozoj një fe të re, por humbjen e afirmimit me të gjithë fetë që u tha më lartë. Se çfarë mund të bëjnë fetë ajo u tregua, (pasqyrim imagjinativ në kokat e njerëzve nga forcat e jashtme), por nuk e tregojnë se arkivoli është vend i përbashkët për njeriun dhe kafshën, dhe më i rëndësishëm është momenti i të jetuarit se përjetësia. Atëherë: Zoti nuk ka vdekur sepse nuk ka jetuar kurrë.