Edi Rama, fjalim me finesë dhe sqarues për Asamblenë Kombëtare të PS

“Nëse për një arsye apo tjetër jam treguar i vogël, qoftë edhe pa dashje ndaj ndokujt prej jush, sidomos në këta 30 muaj ngarkese të jashtëzakonshme i kërkoj ndjesë, por besoj sinqerisht se në këta 30 muaj kemi treguar shumë për vlerën e PS-së, se kemi bërë shumë për Shqipërinë e sotme dhe atë të gjeneratës tjetër”.

Një fakt të tillë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka pohuar gjatë fjalimit të mbajtur sot në Asamblenë Kombëtare të kësaj force politike. Një fjalim ky i pasuar me autokritika, por edhe me finesë nga ana e tij.

“Na baltosin padrejtësisht se jemi partia që kemi futur kriminelë në Kuvend. Jemi partia që solli në parlament më shumë gra e vajza se gjithë legjislaturat të marra së bashku. Mbetet vetëm keqardhja që këto akuza janë bërë vizion e zhargon, që gjuhën e ka më të gjatë se shikimin. Problemi më i madh i politikës së ktij vendi nuk është dekriminalizimi, por kriminalizimi. Nuk janë problem 19 kriminelët imagjinarë që gjeti tek PD-ja tek ne, por shpifjet e pafundme, denoncimet e paskrupullta ndaj çdo ideje që hap një rrugë të re, çdo pune që sjell një produkt real më shumë. Nuk kundërshtohet ideja, baltoset njeriu, nuk dëgjohet kush përpiqet të sjellë ndryshimin, sa më e madhe ideja, aq më i madh linçimi”, tha gjithashtu ai.

Duke shtuar më tej se “na duhet në rrugën drejt zgjedhjeve të 2017-ës një parti e ripërtëritur, e riergjeneruar politikisht dhe e transformuar rrënjësisht, një rrjet social i shtrirë në të gjithë territorin fizik dhe në mënyrë virtuale e shtrirë në çdo inoks të anëtarëve”.

“S’ka asnjë forcë tjetër vec PS të përmbushë misionin për të bërë shtet. Sepse reformat tona kanë hapur një rrugë të re. Asnjë forcë tjetër veç PS-së nuk mund ta mbajë barrën e lidershipit.

Lumi i baltës kundër nesh do të vijë duke u ngritur. Parti politike që kundërshtojnë reformat. Grupe interesash jo legjitime, të prekur nga reformat. Por qeveria jonë e ka nisur rrugën e qëllimit të ri drejt arritjes së qëllimeve për Shqipërinë”, tha gjithashtu Rama, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste që mbahet 10 ditë para Kongresit të 19 marsit….

Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama bëri propozimin që të shkohet në referendum për çështjen e mandatit të tij.

“Të shkojmë në referendum, ta vendosin socialistët çështjen e mandatit tim. Socialistët me votë të lirë dhe të fshehtë t’i përgjigjen pyetjes nëse mandati im duhet të ndërpritet apo të vazhdojë. Nëse mandati im duhet zgjedhur me një anëtar një votë apo nga Kongresi,” tha Rama.