Komuniteti rom dhe egjiptian, Klosi: Punësim real të tyre

Punësimi real dhe përfshirja sociale e komunitetit rom dhe atij egjiptian përbën një nga prioritetet e ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

Ishte vetë ministri Blendi Klosi, i cili gjatë prezantimit të Planit Kombëtar të Veprimit për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian, vuri në dukje rëndësinë e zbatimit të këtij plani për të pasur dhe rezultate reale  në lidhje me punësimin e tyre.

“Kam bindjen që ky plan duhet të jetë një plan i komunitetit, që do të ketë vëmëndjen e duhur. Nuk është e rastësishme që po e bëjmë këtë aktivitet pasi kemi gati një vit që kemi punuar për ta bërë sa më konkret dhe të prekshëm këtë plan. Një plan i cili do të sigurojë ato që komuniteti ka më shumë nevojë. Regjistrimi i komunitetit është një problematikë që evidentohen. Një nga pikat kryesore të planit është regjistrimi i këtij komuniteti. Problem shumë i madh është edhe mundësia për punësim. Ne si MMRS, kemi të detajuar planin për nxitjen e punësimit të komunitetit rom dhe egjiptian. Kjo nuk vjen vetëm si një kërkesë e ministrisë por edhe në kuadër të kërkesave dhe komunikimit të vazhdueshëm që ne kemi me përfaqësuesit e komunitetit europian dhe një nga indikatorët e marjes së mbështetjes buxhetore nga sheti në kuadër të arsimit dhe formimit profesional është edhe punësimi i këtyre komuniteteve . Për të realizuar këtë indikator duhet të jemi konkretë në punën tonë. Do të doja shumë që të kishim punësimin real të këtij komunitet”, tha Klosi.

Më tej, Klosi e cilësoi arsimin profesional si një mundësi për të rinjtë e komunitetit për të pasur një zanat dhe një mundësi për punësim.

“Do të doja të nxisja arsimin profesional. Ajo që është e rëndësishmë është edhe shkollimi. Edhe për këtë aspekt është një plan i detajuar, për të krijuar edhe hapësira për këta të rinj”, nënvizoi ministri Klosi.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i Institutit të Kulturës Rome, Bledar Taho tha se ‘vlerësojmë procesin gjithëpërfshirës të këtij plani dhe dëshirën e intitusione për t’i dhënë vëmëndjen e duhur komunitetit rom dhe egjitian.

Ne hasemi me disa problematika si trajtimi dhe aksesi i pabarabartë i këtyre komuniteteve në shërbimet publike. Por gjithashtu kemi vënë re mungesën e besimit dhe shpresën për të ardhmen, duhet që institucionet të fitojnë besimin tek këto komunitete. Plani është një mundësi shumë e mirë përkrijimin e kushteve social ekonomik si dhe është një plan i qartë për komunitetit rom dhe egjitian’.

Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Tiranë, Brian William e vlersoi planin kombëtar si një mundësi për ti dhënë zgjidhje problematikave të tyre.

Në fjalën e tij u shpreh se “ky plan paraqet punën e ministrisë së mirëqënies sociale në partneritet, për të kontribuar për të drejtat e njeriut. Komuniteti rom dhe egjiptian vuan nga varferia, arsimimi, mungesa e punësimit. Prandaj ky plan është shumë i rëndësishëm pasi paraqet edhe një menyrë sesi mund t’i japim zgjidhje problematikave. Plani ka pjesë të saj përfshirjen sociale dhe zhdukjen e diskriminimit. Ndaj, ky plan përbën një fillim të mbarë por sukses do të varet nga mënyra e implementimit”.

Plani Kombëtar i Veprimit u hartua me mbështetjen e programit për zhvillim të kombeve të bashkuara si pjesë e projektit  “Mbështetje për përfshirjen sociale të komuniteteve rome dhe egjiptiane” i financuar nga bashkimi evropian dhe zbatuar nga PNUD në partneritet me ministrinë e mirëqënies sociale.

Risia e këtij plani është hartimi i tij në konsultim të ngushtë me ministritë e linjës, përfaësues të komuniteteve Rome dhe Egjiptani dhe akëtorëve kyc. Plani i veprimit do të zbatohet brenda kuadrit të dokumentit politik për përfshirjen sociale.

Në një nivel më të lartë, plani i veprimit është pjesë e strategjisë kombëtare për zhvillimin dhe integrim që është në proces rishikimi.