Këshilli i Evropës: Gjendja në shumë burgje të Shqipërisë, jashtë standardeve

Në një raport të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës, thuhet se kushtet në qendrat e paraburgimit në Shqipëri janë të këqija.

Gjetjet e raportit janë të bazuara gjatë një vizite në vitin 2014, ku gjendja në qelitë e paraburgimit pranë komisariateve të policisë ishin jashtë standardeve, përjashtuar Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë si dhe Komisariatin e Policisë Korçë.

Raporti thekson se kushtet janë përkeqësuar edhe në Burgun 313 në kryeqytet që prej vitit 2010 e në vijim, ku vihet re mbipopullimi, qasje e kufizuar në dritën natyrore si dhe mungesë e higjienës. Situata është veçanërisht problematike në qelitë e paraburgimit në Sarandë.

Sipas raportit, edhe pse shumica e të burgosurve deklaruan se ishin trajtuar në mënyrë korrekte, një pjesë e tyre, përfshirë këtu edhe të mitur kanë deklaruar se kanë pasur keqtrajtim fizik nga punonjësit e policisë. Ndryshe për burgjet nuk ka raportime të dhunimit të të burgosurve nga personeli kujdestar, përjashtuar burgun e Peqinit, ku ka pasur keqtrajtim fizik nga njësitë speciale të policisë.

Komiteti përkatës i Këshillit të Evropës vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për të përmirësuar gjendjen në burgje, por thekson se nuk ka pasur asnjë dispozitë të vërtetë për punësimin, trajtimin profesional apo edukativ të të dënuarve.

Raporti gjithashtu vë në dukje mangësitë në shërbimet e kujdesit shëndetësor me mungesë të theksuara të ilaçeve dhe mungesa e shërbimit sistematik mjekësor të të burgosurve të sapoardhur.

Komiteti i Këshillit të Evropës bën thirrje për krijimin e një strukture të specializuar të mjekësisë ligjore dhe psikiatrike për pacientët që janë dënuar në mënyrë të padrejtë, ndërsa janë mbajtur nëpër burgje.

Shembull pozitiv vlerësohet Spitali Psikiatrik i Vlorës, ku pacientët kanë qasje të lirë në ambient dhe higjienë në nivele të përshtatshme.