Bashkim Fino kundër referendumit në PS

Disa prej emrave të njohur të PS-së janë kundër referendumit që propozoi kryeministri Edi Rama për zgjidhjen e çështjes nëse do ketë zgjedhje për kreun e PS ose jo. Më e ashpër ishte Arta Dade që tha që nëse nuk zbatohen rregullat do dorëzoje teserën.

Deputeti Bashkim Fino është shprehur kundër referendumit. Ai vlerësoi statutin e ri të PS-së dhe tha se ai i zgjidh të gjitha problemet. “Statuti i ri që në vend të parë vë anëtarin e PS. Ka rregullat që eksperienca e viteve të fundit na ka lënë mundësinë t’i rrëgullojmë në statusin e ri. Të gjitha çështjet dhe problematikat e viteve të fundit, zgjidhen me statutin e ri. Mendoj se edhe ata pak kundërshtarë që kanë bërë propozime për statutin duhet të jenë të kënaqur. Ne e miratojmë statusin e ri me metoda e laburistëve anglezë. Jam kundër Ramës për referendum, pasi bie ndesh me statutin e ri”, tha Fino.

Përsa i përket incidentit në Elbasan me deputetin Blushi, Fino ka dënuar këtë akt dhe tha se Asambleja e Elbasanit duhet të mbajë përgjegjësi. Ai e ka quajtur absurde qëndrimin ndaj Blushit në Elbasan.

“Unë e dënoj një sjellje të tillë (fishkëllimat). Jemi parti që i dëgjojmë sugjerimet dhe vërejtjet. Ishin disa kokrra që duhet të mbajnë përgjegjësi personale dhe Asambleja e Elbasanit. Blushi personaliteti i PS, absurde që të trajtohet në këtë mënyrë”, tha Fino.

Por ai i qëndroi deklaratës së Ramës se ‘nuk mund të përdoret statuti për të rrëzuar qeverinë’. “Për mua nuk do të kishte problem të transmetohej fjala e Blushit”, shtoi Fino.

Po keshtu propozimit të Ramës për zgjedhjen e kreut të PS me Referendum i përgjigjen kundër edhe Petrit Ago e Arta Dade.

Petrit Ago
“Jam kundër propozimit të Ramës për referendumin. Zgjedhjet për kryetar janë zbatim i statutit aktual”.

Arta Dade
“Do pres, ka kohë nga kongresi deri në zgjedhjen e kryetarit. Zgjedhja ‘një anëtar një votë’ duhet të bëhet automatikisht. Nëse nuk zbatohen rregullat vë në diskutim mbajtjen e teserës me këtë statut mua më bie radha të garoj pas 12 vjetësh. S’mund të më nxirren pengesa me mbledhje firmash”.

Mimoza Hafizi
Në Asamble ka folur edhe deputetja Mimoza Hafizi, i e cila ka thënë se ndjehet e kërcënuar pas incidentit të Ben Blushit në Elbasan. “Dënoj incidentin me Blushin në Elbasan. Ndihemi të kërcënuar pas ngjarjes. Rama duhet të na kërkojë falje”.

Balkanweb