SHBA përshëndesin “Venecian”: Shumica e cilësuar, partitë të gjejnë marrëveshje

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë e cilëson të shkëlqyer punën që ka bërë Komisioni i Venecias me draftin e Reformës në Drejtësi.

Në përgjigjen për Top Channel, diplomatët amerikanë thonë se Komisioni i Venecias, në raportin e tyre përfundimtar kanë ofruar udhëzime të qarta dhe kanë lënë vetëm një çështje qartësisht politike, atë të shumicës së cilësuar, në duart e udhëheqësve politikë të Shqipërisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara thekson se, tani është koha që politikanët të ndërmarrin hapat e fundit drejt përfundimit të Reformës në Drejtësi.

Ndryshimet e mëtejshme duhet t’i përmbahen raportit përfundimtar nga Komisioni i Venecias, mbyllet deklarata e Ambasadës amerikane.