Reforma në drejtësi nuk përfundon me miratimin e draftit. Duhen edhe pranga

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese është vetëm një pjesë e reformës në drejtësi. Zbatimi i saj do të jetë një tjetër sfidë për politikën shqiptare. Nëse klasa politike bie dakord për reformimin e sistemit, pas kalimit të ligjeve nis dhe faza e pastrimit të drejtësisë dhe politikës. Gjë që do të thotë se prangat do të vendosen mbi njerëz të korruptuar të drejtësisë dhe të politikës. Ky është dhe qëllimi kryesor i reformës në drejtësi, ndërtimi i një sistemi që të mos ketë më të pandëshkueshëm.

Debati sot është fokusuar vetëm tek konsensusi dhe miratimi në Kuvend, diplomatët që po monitorojnë procesin theksojnë se reforma nuk përfundon vetëm me kalimin në Parlament.

Ambasadorja e Bashkimi Europian në Tiranë Romana Vllahutin tha sot në një takim me Komitetin Drejtues të EURALIUS IV, se reforma në drejtësi në Shqipëri, nuk përfundon me miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

 “Reforma e Drejtësisë nuk do të mbarojë me miratimin e paketës kushtetuese, por aty do të fillojë. Zbatimi i reformës do të jetë një sfidë e madhe dhe një numër i madh aktesh legjislative janë në proces ndryshimi apo hartimi. Dialogu dhe diskutimi kanë rëndësi kritike për suksesin e reformës, askush nuk pret të ketë marrëveshje të plotë mbi gjithçka, por në një demokraci është shumë e rëndësishme të shkëmbehen mendime për të kërkuar zgjidhjet më të mira”,- u shpreh Vllahutin.

Ai mbahet në ministrinë e Drejtësisë me dyer të mbyllura dhe  janë të pranishëm përfaqësues të Euralius, ambasadorja e BE Romana Vlahutin, kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, kreu i Komisionit Ad hoc për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, Avokati i Popullit, Igli Totozani, përfaqësues të shoqatës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, ekspertë etj.