Kryeministri Edi Rama: Nuk doni draftin? Ikim në Referendum !

Humori i prishur i koalicionit të majtë dhe qëndrimet bojkotuese të opozitës kanë dështuar çdo tentativë konsensusi, deri mbrëmjen e djeshme, për reformën në drejtësi. Sot pritet të mblidhet komisioni i posaçëm parlamentar për reformën, i cili do të shqyrtojë draftin e ekspertëve të nivelit të lartë. Por ashtu si tre muaj më parë, problemet dhe ndarjet mes palëve nuk kanë ndryshuar. PS mbështet draftin e ekspertëve të nivelit të lartë, që për PD-në janë ekspertët vetëm të PS. Lëvizja Socialiste pritet të paraqesë qëndrimet e saj dhe praktikisht nuk e pranon draftin e Partisë Socialiste. Ndërkohë pritet që dhe ekspertët e PD-së, pas mbledhjes së zhvilluar dje me Bashën, të dorëzojnë një draft alternativ për ndryshimet kushtetuese. Siç duket, në Komisionin e Venecias do të shkojnë sërish tre drafte dhe prej andej prapë do vijnë rekomandime të reja ligjore. Vajtje-ardhjet në komisionin e Venecias duket se do vazhdojnë për aq kohë sa problemi nuk ka të bëjë direkt me cilësinë e ligjeve të hartuara, por me mungesën e konsensusit politikë. Saktësisht frika e sejcilit është se ç;do të ndodhë pas reformës, kush do ti marrë nën kontroll këto institucione drejtësie. Sepse edhe sot ligji është i saktë, por nuk ka vullnet për të bërë drejtësi.

Në këtë situatë, mes shumë dyshimesh brenda aleatëve të koalicionit të majtë  dhe situatës bojkotuese të PD-së, Edi Rama u shfaq dje në një intervistë në “Top Channel”. U kujdes të tregonte se marrëdhëniet mes tij dhe Metës ishin normale si dhe që koalicioni po funksiononte e nuk kishte ndarje për reformën në drejtësi. Në të vërtetë ndasitë për reformën janë të qarta. La një shteg hapur për diskutime politike pas vlerësimeve të Komisionit të Venecias, edhe më PD nëse duhej. Por teksa fliste për situatë normale politike, nuk hezitoi të sfidonte kundërshtarët politikë, madje dhe aleatin e koalicionit LSI. Për herë të parë, Kryeministri u pozicionua pro zhvillimit të referendumit për reformën në drejtësi. Për Ramën, pyetja e qytetarëve për ndryshimin e Kushtetutës mund të jetë rruga më e mirë e zgjidhjes së ngërçit politik, nëse s’ka konsensus mes PD, PS dhe LSI.

Për referendumin duhet dakordësia e dy të tretave të Parlamentit. Unë jam absolutisht pozitiv dhe i gatshëm të shkojmë në referendum nëse palët gjykojnë se populli duhet pyetur në këtë proces dhe në rast se dakordësia e plotë mes palëve që përfaqësojnë popullin në Parlament nuk është e mundur, ajo do të ishte rruga më e mirë e transparente për të gjitha palët, në mënyrë që secili të ndihet i qetë kur të ngrejë dorën për t’i dhënë votën dhe për t’i vënë vulën ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”,- tha Kryeministri.

Në këtë fazë në të cilën ndodhet debati politik qëndrimi i djeshëm i Ramës është një sfidë e hapur nga forcave të tjera politike. Është një shenje forcë për të detyruar PD dhe LSI që të pranojnë draftin e parë të ekspertëve; “nëse s’bini dakord e voton populli”. Por edhe çuarja e vendit në referendum kërkon konsensus politik, pasi duhen dy të tretat e votave në Parlament.

Por nëse sheh dhe lëvizjet e tjera të Kryeministrit duket se bashkë me referendumin ka ndërmend dhe zgjedhjet e parakohshme. Gjatë ditës së djeshme, kreu i qeverisë dhe PS është takuar me strukturat e partisë në Lezhë dhe në Shkodër. Në takim nuk mungonin dhe ministrat e PS-së në kabinetin qeveritar. Kryeministri u ka kërkuar drejtuesve të srtukturave të shpejtojnë procedurat për zgjedhjen e kryetarit dhe riorganizimin e partisë. Ndërkohë që prej disa kohësh deputetë dhe ministra kanë nisur takime të shpeshta në bazë. Zyrtarisht për përgatitjen e kongresit. Por duke qenë se kongresi ende nuk dihet kur do mbahet, ky freskim i strukturave bëhet për përgatitjen e militantëve për zgjedhje të parakohshme.

Por nëse kryeministri tregoi forcën, natyrisht me një qetesi të shtirur, ai harron se vajtja në referendum ka një kosto tjetër sepse asnjë nga partitë, edhe LSI, nuk do të pranojë të shkojë vetëm për referendum, por në të njëjtën ditë edhe zgjedhje parakohshme. Por jo me kryeministrin aktual, pasi PD e ka frikë, kurse LSI ia njeh pabesitë PS-së, sepse e provoi edhe në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar ku selia rozë udhëzoi militantët të votonin kanditët e PD-se e jo të LSI.

Pra presioni për referendum nga ana e kryeministrit do të sjellë një largim të LSI nga qeveria, rënie të kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike me tjetër kryeministër. Por dhe zgjedhje të parakohshme.