Libri i Aleksandër Meksit, autobiografi e shoqërisë shqiptare

Libri i profesor Aleksandër Meksit është një vlerë e shtuar në memorien kombëtare, pasi ngjarje dhe zhvillime të një periudhe mjaft dinamike dhe shumë të diskutuar vijnë përmes një narrative të përkorë por edhe të sinqertë. Pavarësisht lidhjes emocionale me ngjarjet, njerëzit, datat etj., profesor Meksi ka shkruar si një dëshmitar që i dhemb shtrembërimi apo interpretimi i asaj që ka ndodhur

Ish-kryeministri Aleksandër Meksi  dhe njëri nga protagonistët e lëvizjes së Dhjetorit dhe  themelimit të PD-së, ka botuar librin “Rrugë e vështirë” në dy vëllime. Vëllimi i parë i këtij libri ka shkrime dhe intervista, ndërsa vëllimi i dytë sjell një shënim me nuancë humori “Për njerëz dhe libra”. Duke lexuar titullin “Rrugë e vështirë” tingëllon si autobiografi  e autorit, por në të vërtetë ajo është një autobiografi e gjithë shoqërisë shqiptare, me tranzicionin, problemet politike dhe ekonomike dhe ato kulturore. Një pjesë e shkrimeve të botuara në këto dy vëllime të Aleksandër Meksit janë shkrime dhe intervista të botuara në shtypin e përditshëm, që kanë ardhur në formën e reflektimeve, jo vetëm në kohën e duhur, por edhe për kohën që do të pasojë. Pjesa e intervistave të botuara nga gazetarë të mediave të ndryshme, rrëfen qartë se mendimi i politikanit dhe studiuesit Aleksandër Meksi kërkohet si për të vënë pikën mbi “i” në problemet e mëdha që shfaqen në Shqipëri dhe ato të udhëheqjes së vendit. Meksi është një nga politikanët më të njohur shqiptarë. Dy kulmet e jetës së tij politike kanë qenë kur ishte Kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 1992–1997 dhe në Dhjetor 1990, ku mori pjesë në themelimin e Partisë Demokratike. Profesor Aleksandër Meksi dallohet gjithashtu edhe për studimet e tij në lëmin e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore.meksi1

 Ish-kryeministri Meksi është shprehur se “këto  dy  dhjetëvjeçarë  të  tranzicionit kanë qenë të mbushur me ndodhi nga më të ndryshmet, me vështirësi e suksese, përparime e dështime,  me  pritshmëri  e  zhgënjime.  Kjo  përmbledhje  synon  të  hedh dritë për këto vite. Kam shkruar e kam folur shumë herë më tepër se çka paraqitet këtu.   Po kështu, në shtypin tonë mund të gjejnë dhe shkrime që lidhen me punën dhe mendimet e mija edhe ato mund të vlejnë për të   vlerësuar qëndrimin tim për problemet që trajtohen në këtë vëllim, sigurisht duke marrë parasysh kohën kur janë shkruar”.  Vëllimi i parë i librit përfshin  57 shkrime dhe 5 intervista, shumica e të cilëve janë botuar në organe të ndryshme të shtypit shqiptar në një hark kohor prej rreth 17 vitesh.  Ish kryeministri shprehet se “në përzgjedhjen  e tyre ka  synuar  të  paraqesë disa prej problemeve më të rëndësishme të politikës dhe shoqërisë sonë, që e kanë preokupuar dhe për të cilat  ka shprehur mendime vazhdimisht përpara publikut dhe që janë ende aktuale”. Ai thotë se është normale që jo çdonjëri prej lexuesve mund t’i ketë parë ato sepse janë botuar në organe të ndryshme të shtypit. Kjo ka qenë dhe shtysa , sipas tij, për t’i paraqitur së bashku shkrimet, për t’i dhënë edhe mundësinë të interesuarve dhe dashamirësve, që të krijojnë një ide më të plotë për qëndrimin tim dhe paraqitjen e tij opinionit publik, duke menduar se kanë vlerë dhe sot e kësaj dite.

meksi3Libri i profesor Aleksandër Meksit është një vlerë e shtuar në memorien kombëtare, pasi ngjarje dhe zhvillime të një periudhe mjaft dinamike dhe shumë të diskutuar vijnë përmes një narrative të përkorë por edhe të sinqertë. Pavarësisht  lidhjes emocionale me ngjarjet, njerëzit, datat etj., profesor Meksi ka shkruar si një dëshmitar që i dhemb shtrembërimi apo interpretimi i asaj që ka ndodhur. Më së shumti libri është edhe një lloj udhërrëfyesi për të mos përsëritur sjellje apo vendime të caktuara.