Faleminderit që nuk na e fsheh urrejtjen zoti kryeministër – Nga Enver Bytyçi

 
 

 Nga Enver Bytyçi

Gjithkush në këtë vend e di se PS e para saj PPSH kanë patur dhe kanë një ndjesi dhe refleks antiverior. Ndre Legisi, një nga figurat e njohura të Partisë Socialiste, e përmendi këtë fakt para disa muajsh, duke pohuar një të vërtetë të padiskutueshme. Jam përpjekur të shmangem në trajtimin e kësaj teme dhe madje nuk kam botuar shumë shkrime të këtij karakteri atëherë kur botoja revistën KOHA, në vitet 1998-2002. Ndonjë nga miqtë e mi kolegë më ka tërhequr vëmendjen për këtë, por jemi pajtuar në diskutime ose në heshtje se hapja e diskutimit për diskriminimin krahinor nuk i shërben pajtimit kombëtar dhe të ardhmes së vendit tonë. Vazhdoj të mbetem në këtë linjë mendimi, sepse më shumë se shtëpia ime e krahina ime më dhimbset Shqipëria, kombi e atdheu.

Megjithatë kryeministri Rama me deklaratën e tij në Sarandë atakon dhe fyen jo vetëm Berishën, por edhe ata që ai i quan “shpellarë”. Kur nuk ishte kryetar i PS-së dhe kryeministër pati artikuluar shumë herë fyerje të tilla. Si kryeministër deri më sot e ka shfaqur urrjetjen e tij krahinore duke u tallur me ata që ai quan votues të tij në Veri. Kush i ka ndjekur takimet e kreut të ekzekutivit në dy fushatat elektorale e sidomos këtë të fundit për zgjedhjet vendore, ka parë se si në batutat e tij zoti Rama ironizonte dhe fyente qytetarët e këtij vendi me prejardhje ose banorë të asaj që ai i quan Alpe. Këto qëndrime vijnë të freskëta në memorien tonë edhe në rastin e shpërndarjes së tapive elektorale të kryeministrit tonë.

Por në rastin e sotëm, me deklaratën e tij në Sarandë, i mbështetur plotësisht nga Koço Kokëdhima, Rama i shkoi deri në fund misionit të tij: Sipas tij pronat e pronarëve i kanë zaptuar njerëzit e ardhur nga Alpet (shpellat) që atë ditë që Saliu mori pushtetin. Alpet dhe Berisha jënë në të vërtetë një sinonim I njëri-tjetrit. Ndërsa socialistët si kurrë ndonjëherë ndokush, si kurrkund në ndonjë vend tjetër në botë, e shndërruan në kauzë lidhjen që i bënë, sipas tyre “shpellës-shpellarëve dhe Berishës”, të cilit preferojnë t’i thërrasin “Saliu”. Unë e kam ditur gjithmonë se Sali Berisha është sulmuar që ditën e parë, jo si opozitar, por si “malok”, nëse do të përdornim zhargonin që Edi Rama përdor jo zyrtarisht. Është në metodologjinë dhe doktrinën e socialistëve dhe ideologjisë socialiste që të luftojnë njeriun në qenien e tij biologjike. Lufta biologjike është karakteristikë e sojit të marksistëve që sot janë në pushtet. E tillë ishte lufta kundër Sali Berishës gjatë më shumë se 25 viteve dhe e tillë do të mbetet deri në fund. Të tillë luftë biologjike bëri psh: Milosheviçi në Kosovë. Por ka edhe shembuj të tjerë, më i tmerrshmi prej të cilëve përmendet holokausti.

Kjo luftë biologjike është zhvilluar sistematikisht, çdo ditë, çdo orë, me një regji perfekte, me regjisor, skenaristë, aktorë, dhe figurantë të shumtë. Janë paguar miliona për suksesin e kësaj lufte. Me para nga aferat e korrupsionit, trafiqeve dhe spiunazhit. Qëllimi ka qenë i njëjtë: Rrëzimi i Berishës nga pushteti ose pamundësinë e marrjes së pushtetit prej tij. Megjithatë artikulohej me disa definicione relative si “primitivë”, “arkaikë” etj. Edi Rama dhe zëvendësi i tij, Koço Kokëdhimë i dhanë fund sot narrativëve të tilla. Ata dolën hapur, prandaj meritojnë falënderimet e mia të veçanta. Në fund të fundit u bënë me dije socialistëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste në Veri të vendit tonë se janë antiveriorë, se kanë sentiment urrejtjeje biologjike për Veriun e Shqipërisë, se nuk e durojnë veriorin në pushtet,  madje as në administratën shtetërore, as në hierarkinë gjyqësore apo ushtarake. Pra, janë për një luftë me armë ideologjike biologjike. Nëse do të bënim një studim për përkatësinë krahinore të të larguarve nga administrate e shtetit pas vitit 2913, do të kishim një statistikë lemeritëse sa i përket diskriminimit të veriorëve. Megjithatë askush nuk është ankuar me këtë arsyetim. Nëse do të përdorja shembuj që njjoh vetëm unë, do të duhej një listë aq e gjatë sa nuk do të mund t’i nxinte asnjë gazetë. Megjithatë asnjëherë, askush nga veriu, qoftë ky politikan a diçka tjetër me ndikim në opinionin publik, nuk e ka artikuluar këtë fakt. Megjithatë Edi Rama nuk ndalet. Ai fyen kolektivisht qytetarët e tij, zgjedhësit e tij, votuesit e tij, ata që u bashkuan para më shumë se dy vitesh në “shuplakën njëmilionëshe kundër Sali Berishës”. Tani që këta votues po i bëjnë thirrje Berishës të rikthehet, se Rama po ua nxin jetën, kryeministri ynë po përdor kartën e fundit që i ka mbetur, përçarjen krahinore. Nuk kishte bërë më shumë se kaq dikur në vitin 1914-1924 Esat Pashë Toptani. Të dy, Toptani dhe Rama, njësoj si diktatori Hoxha veprojnë me të njëjtin synim: Pushtetin – pa marrë parasysh faturën që do të mund ta paguajnë shqiptarët.

Kryeministri ynë i bën me dije edhe atyre pak naivëve në Kosovë, të cilët besojnë se Edi Rama është patriot, se Fyhreri ynë, fatkeqësisht, s’ka kurrfarë lidhje me patriotizmin, me flamurin, me kombin e atdheun. Një kryeministër që e ndan territorin e tij që administron në të mirë e të këqinj, që i etiketon njerëzit sipas përkatësisë krahinore, fetare a sociale, ai kryeministër është më e pakta një udhëheqës përçarës i familjes së vet kombëtare. Lufta biologjike kundër alpinëve (shpellarëve) është edhe luftë kundër Kosovës, sepse në thelbin e saj pushteti konceptohet si tapi e krahinave dhe krahinorizmave në Shqipërinë e Edi Ramës. Me Kosovën dhe Shqipërinë në një shtet të përbashkët peshorja e pushtetit do të anonte kundër Edi Ramës, por jo kundër patriotëve të mëdhenj të Jugut të Shqipërisë.

Përdorimi i kësaj teze antishqiptare është në fakt një përpjekje e fundit e kryeministrit shqiptar për të garantuar disa vota më shumë të atyre që besojnë se “malokët janë e keqja e Shqipërisë”. Ndoshta ka njerëz në këtë vend që mun edhe të besojnë se jo Rama, por Berisha është e keqja e Shqipërisë. Prandaj i gjendur përballë presionit të jashtëzakonshëm për largimin nga pushteti, Rama lëshoi sot “bombën atomike” të përçarjes kombëtare. Nesër ka rrezik që t’i drejtohet komuniteteve fetare, duke i shtyrë ato në një konflikt të pamerituar. Edhe për këtë kryeministri duhet falënderuar. Sepse pas kësaj dite të gjithë në Shqipëri duhet të jenë të kujdesshëm, jugorët, veriorët, myslimanët, katolikët dhe ortodoksët. Dhe jo vetëm të kujdesshëm, por edhe të vendosur për t’i thënë ndal këtij turi armiqësor që ka marrë kryeministri shqiptar kundër shqiptarëve.

Zoti Rama mendon se ofendon dhe fyem vetëm malësorët me deklarimet dhe ndjesitë e veta antiveriore. Në të vërtetë ai përgatit një dramë për shqiptarët, atë dramë, të cilën ne nuk e lamë të na ndiqte në asnjë periudhë të zhvillimit dhe civilizimit tonë, as në antikitet, as në mesjetë, as nën Perandorinë Osmane, as nën mbretërinë e Zogut, as në regjimin e diktaturës komuniste. Këto 25 vite që kaluan në demokraci politika nuk ka bërë shumë për këtë vend. Por së paku ka parandaluar një konflikt të hapur e të rrezikshëm mbi baza krahinore e fetare. Viti 1997 bën përjashtim, ai ishte viti i artë i lulëzimit të të gjitha paradokseve antiveriore. Por falë tolerancës së “malokëvë” përballë atyre që kërcënonin të marshonin drejt Tiranës nuk përfundoi në një luftë civile.

Edi Rama dhe Koço Kokëdhima, ndoshta duan të përgatisin një 1997-të të dytë. Kjo nuk do të ndodhë. Sepse “malokët” nuk kanë kurrfarë fobie përballë askujt në këtë botë. Produkt i civilizimit (apo shpellarizmit, sipas Ramës) në Alpe dhe rreth tyre ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pjetër Bogdani, ai që ndërtoi shtetin e parë shqiptar, pra Ahmet Zogu, bamirësja më e madhe e të gjitha kohërave dhe në të gjithë botën, Nënë Tereza, pacifisti i rangut ndërkombëtar dhe njëkohësisht nacionalisti I thekur, Ibrahim Rugova, liberatori më i madh në historinë tonë moderne, Sali Berisha, heroi i demokracisë shqiptare, Azem Hajdari. Prandaj zoti Rama nuk e komplekson dot Veriun, nuk mund të injorojë produktin e Alpeve Shqiptare, nuk mund të sfidojë askënd me deklarata të tilla. Thjesht dëshmon atë çfarë ai është dhe çfarë në të vërtetë përfaqëson. Edhe ose thjesht për këtë meriton respekt. Thuhet se po nuk dëshmove vetë se kush je, askush nuk e merr vesh se çfarë përfaqëson. Zoti Rama e tha me gojën e tij se kush është dhe çfarë përfaqëson për këtë vend. Edhe kjo është një ndihmë e madhe për publikun shqiptar.(Syri.net)