Degjenerimi i Kuvendit

 

Nga Qamil Xhani/

Buxheti i Shtetit është ligji më serioz që miraton një Parlament. Debati politik i gjithë vitit është i lidhur ngushtë me mënyrën sesi ky dokument themelor shpërndan taksat e qytetarëve. Sa prej taksave shkojnë për pensione, paga, investime dhe në fund të fundit, sa përmirësohet jeta e qytetarëve nga shërbimet që shteti ofron me lekët, të cilat i ka marrë po nga qytetarët. Kjo është ajo që ndodh në çdo Parlament normal, kur diskutohet buxheti. Më shumë se retorika politike, ai është momenti kur ballafaqohen shifrat dhe tek shifrat, logjika nuk lë shumë vend për politikë.

Por nuk ndodh kjo në seancat e fundit të parlamentit tonë. Përveç fjalimeve të Ben Blushit, Astrit Patozit dhe ndonjë tjetri, gjatë 48 orëve të fundit, Parlamenti mund të përshkruhej vetëm me dy fjalë: i degjeneruar dhe i neveritshëm. I degjeneruar sepse nuk pati një orë të vetme kur nga goja e atyre që pëlqejnë të quhen “burra shteti”, nuk munguan fjalët nga më ordineret. Në seancë janë dëgjuar fjalë që mund t’i përkasin fjalorit të karrocierëve, por edhe këta të fundit kanë më shumë dinjitet në profesionin e tyre sepse merren me kafshët. Ndërsa deputetët janë në atë sallë që të bëjnë politikë, të arrijnë marrëveshje, madje, edhe të debatojnë, kundërshtojnë dhe votojnë kundër e pro, por jo të sjellin në atë sallë llumin dhe poshtërimin që shoqëria normale nuk e pranon. Në seancë u dëgjuan sharje me libër shtëpie, të cilat nuk ka kod moral që i pranon as në jetën e përditshme.

E sikur të mos mjaftonte llumi i fyerjeve dhe sharjeve, në dy ditë nuk ka munguar as dhuna. Deputetët e opozitës janë ngritur disa herë afër podiumit për të larguar Kryeministrin apo deputetët të caktuar të opozitës. Në këtë betejë nervash përballë efektivëve të Gardës së Republikës, ‘viktimat’ kanë qenë mikrofonat dhe karriget e sallës. Një show bajat dhe i panevojshëm që të krijon idenë se ka deputetë, të cilët veç problemeve me kontrollin e fjalëve dhe emocionet, nuk kontrollojnë dot as veprimet. Pjesa e fjalorit të ndyrë është ajo që e bën këtë Kuvend më të degjeneruarin në historinë e parlamenteve shqiptare, ku gjithë batërdia vjen nga një grup deputetësh të djathtë dhe të majtë.

Ndërsa çështja e akuzave që përsëriten çdo të enjte dhe nuk munguan edhe këto dy ditë është ajo që e ka bërë politikën të neveritur për gjithë qytetarët. Janë dëgjuar akuza monstruoze për lidhje me krimin dhe të paverifikuara në asnjë moment, por që edhe pse asnjë provë nuk i mban në këmbë, i dëgjojmë dhe i ridëgjojmë pa pushim. Njëherë i dëgjojmë si deklarata nga selitë e partive, njëherë si postime fletërrufe në Facebook dhe pastaj vijnë të paketuara në fjalime pompoze në Kuvend. Në thelb, është e njëjta gjë. Ish-kryeministri dhe deputetët që janë në vijën e parë të “frontit të PD-së” nisin me serinë e akuzave për korrupsionin e Ilir Beqajt, paratë e vilës së Ramës, abuzimet sipas tyre të ministrit Tahiri, tenderët e Arben Ahmetaj dhe historitë e Taulant Ballës. Kaq mjafton dhe gjakrat nxehen në kampin e majtë. PS-ja akuzon ish-kryeministrin për korrupsionin gjatë qeverisjes së tij, implikimin e djalit në afera dhe kur nervat arrijnë kulmin i përmendet 21 Janari. Më pas, sulmi nis me Lulzim Bashën për rrugën Durrës-Kukës dhe përfundon tek koncesionet e miratuara nga ish-ministri Ridvan Bode.

Të gjitha akuzat janë serioze. Madje, ka kaq shumë shkelje, nëse do të merren si të vërteta, saqë çdokush prej zyrtarëve do ta kalonte një pjesë të jetës në qeli. Por ka diçka që pas kaq vitesh e bën të neveritshëm këtë lloj debati dhe sherri parlamentar. Të dyja palët kanë pasur mundësitë që ato të cilat i deklarojnë nga foltorja e Kuvendit, t’i verifikonin. Sigurisht, qeveria nuk mund të bëjë gjykatësin, por derisa akuzon çdo javë Berishën për 21 Janarin, Gërdecin etj., ka pasur jo pak, por tre vite për të vënë në lëvizje drejtësinë për hetimin e saj. E njëjta gjë dhe për Partinë Demokratike. Ka tre vjet që flet për korrupsion dhe koncesione. Ndërkohë, në asnjë rast nuk ka vënë në lëvizje Parlamentin që të ngrinte qoftë edhe një komision hetimor për tenderat e ministrave. Më pas, me dosjen e komisionit mund të shkonte në Prokurori dhe të kërkonte hetim ndaj gjithë abuzuesve.

Nëse e vërteta do t’u interesonte, secila prej palëve do kishte vënë në lëvizje institucionet, qoftë edhe formalisht. Por fakti që çdo të enjte përsërisin të njëjtën kasetë, tregon se më shumë u intereson zhurma dhe përbaltja. Tek e fundit, kemi një Parlament, ku deputetët pranojnë se është i mbushur me kriminelë dhe të korruptuar. Etika, morali apo dhe buxheti janë më të paktat që u interesojnë.