Emërohet Drejtori i ri në burgun e Korçës

 

Pas skandalit të disa ditëve në parë, të publikuar në media, të ish-drejtorit të Burgut të Korçës z. Laert Çeliku i cili merrte ryshfete për të dënuarit, sot është emëruar një Drejtor i ri në këtë institucion.

Njoftimi vjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e cila ka deklaruar se në zbatim të urdhrit të Ministrit të Drejtësisë dhe duke ndjekur procedurat ligjore të rekrutimit u bë sot emërimi i Drejtorit të ri të IEVP Korçë, z. Robert Kodra. z.Kodra pasi një karrierë të gjatë në fushën ushtarake, tashmë ka marrë një detyrë të re, siç është ajo e drejtuesit të një institucioni për vuajtje dënimi. 

Si një figurë apolitike, kjo kandidaturë është mirëpritur në detyrën e re nga Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani.

Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Korçë ndodhet në anë të rrugës nacionale Korçë-Ersekë pranë fshatit Drenovë. Ky është një ndër institucionet e reja që është hapur gjatë vitit 2008.  Kapaciteti i institucionit është parashikuar për 312 persona dhe është i pajisur me ambiente observimi, qendër spitalore, objekte kulti dhe ambiente të tjera edukuese.