Kryeministri Rama:Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, shembull suksesi

 

 

Nga Edi Rama.

Krijimi i Fondit Shqiptaro-Amerikan në vitin 1995 nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Clinton, shënoi edhe fillimin e një kapitulli të ri për Shqipërinë dhe për marrëdhënien e posaçme mes Shteteve të Bashkuara dhe vendit tonë. Por, para se të krijohej ky fond pas 52 vjetësh mungesë, në 15 mars të vitit 1991 ishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe vetëm tre muaj më pas ish-sekretari amerikan i shtetit, James Baker, kishte vizituar Tiranën. E mbajnë mend të gjithë ata që janë dëshmitarë të asaj vizite se si sheshi “Skënderbej” u mbush si asnjëherë më parë, duke i rezervuar një pritje të paharrueshme, njeriut që vinte nga Amerika. Pritje që është ngulitur në memorien e të gjithë dëshmitarëve.

Një tjetër president i madh amerikan, Woodrow Uillson, i ofroi mbështetjen e domosdoshme shtetit të ri shqiptar, të krijuar në vitin 1912, për njohjen e tij.

E gjithë kjo marrëdhënie është një marrëdhënie që në shtator të vitit 2015 mbush 93 vjet. Tashmë pas 93 vjetësh marrëdhëniet me SHBA janë më të mirat e mundshme që Shqipëria ka me një shtet tjetër, por nga ana tjetër janë këto marrëdhënie që i kanë dhënë një dimension tjetër edhe shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon.

Deklarata e Përbashkët për Partneritet Strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, nënshkruar më 20 prill të 2015-ës, pasqyron më së miri nivelin shumë të lartë të këtyre marrëdhënieve partneriteti dhe materializon edhe një kalendar konkret dhe gjithëpërfshirës bashkëpunimi.

Ndihma në demokratizimin e vendit tonë por edhe zgjidhja e çështjes shqiptare të Kosovës, natyrisht që i dedikohen më së shumti dhe më së pari Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe padyshim edhe marrëdhënieve të shkëlqyera të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë.

Në këtë sfond besoj se bëhet më e lexueshme ajo çka Fondi Shqiptaro-Amerikan solli në Shqipëri, si hallka e fundit e një zinxhiri fondesh simotra, të krijuara nga presidentët e Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e sektorit privat në vendet e sapodala nga prapa perdes së hekurt. Fonde që u krijuan si një dëshmi e mbështetjes nga ana e Shteteve të Bashkuara të një tranzicioni nga një shoqëri ku gjithçka ishte e jona po asgjë s’ishte e secilit, në një shoqëri tjetër ku secili ka të drejtë të fitojë atë që meriton, por të gjithë sëbashku kemi detyrimin që të ndërtojmë atë bashkëjetesë që e bën të mundur lulëzimin e të drejtave të të gjithëve.

Besoj se nëse me rastin e përvjetorit të Fondit Shqiptaro-Amerikan do të kërkohej një parafrazim do t’i shkonte fjala e një sipërmarrësi amerikan, Scott Belsky, i cili thotë: “Nuk është fjala për ide por është fjala për ide që realizohen".

Fondi Shqiptaro-Amerikan ishte dëshmia dhe mbetet dëshmia e faktit se idetë vlejnë kur realizohen. Në Shqipëri Fondi Amerikan u bë dëshmitar i të vërtetës se është e mundur që idetë realizohen. Është e mundur që të investohet në mënyrë të guximshme, në mënyrë transparente dhe në mënyrë të suksesshme. Dhe kështu besoj që përtej të gjitha meritave që Fondi i rezervon vetvetes dhe atyre që e drejtojnë apo që e mbajnë atë gjallë në jetën e përditshme, merita kryesore e Fondit është modeli.

Modeli që ai ka krijuar si një pikë referimi për të gjithë ata që kanë një nevojë për një model që të inkurajojë në rrugën e realizimit të ideve sipërmarrëse. Përgjatë 20 viteve fondi është krijuesi i tërësisë më të madhe të partneriteteve me qeverinë, me burime të tjera kapitalesh apo me ekspertë vendas dhe të huaj. Nuk ka një organizatë tjetër në Shqipëri që të ketë larminë e partneriteteve që ka arritur të krijojë fondi.

Në një periudhë prej 20 vitesh një kapital fillestar prej 30 milion dollarësh gjeneroi një vlerë rreth 300 milion dollarë, duke u bërë kështu Fondi Shqiptaro Amerikan, ndoshta, them ndoshta sepse nuk dua ti hyj në hak askujt, Fondi më i suksesshëm i zinxhirit të fondeve simotra. Fondi ka investuar në më shumë se 40 shoqëri, ka krijuar mbi 7 mijë vende pune dhe ka kontribuar në Prodhimin e Brendshëm Kombëtar me 2 miliardë dollarë, direkt apo indirekt. Investimet e fondit kanë tërhequr investime të huaja direkte për Shqipërinë 300 milion dollarë.

Nga ana tjetër, Fondi ka sjellë edhe një qasje novatore, duke hapur shtigje dhe duke krijuar kushtet që dhe të tjerët të shikojnë rrugë pas shtigjeve të hapura. Nga industria tekstile, tek qendrat tregtare, nga aeroporti tek bankat, nga dokumentet e sigurisë me teknologji moderne, tek pjesëmarrja për të rindërtuar zona urbane në funksion të përfshirjes së biznesit dhe deri tek kontributi për të sjellë në atdhe parzmoren dhe armët e Skënderbeut, me rastin e 100 vjetorit, duke u bërë edhe kampion në numrin e vizitorëve të një ekspozite me 1, 5 milion vizitorë, një shifër që është e pathyeshme deri në 200 vjetorin e pavarësisë, kur me teknologjinë e asaj kohe Fondi do të mund të ngjalli Skënderbeun.

Vendosja e tabelave shumëgjuhësore, krijimi i një sistemi modern elektronik të shitjes së biletave, instalimi i kamerave të sigurisë, përmirësimi i infrastrukturës në Parkun Kombëtar të Butrintit janë dhe këto kontribute të fondit. Në shumë parash këto që përmenda tani në fund mund të jenë pak, por në cilësinë që sjellin janë shumë dhe kjo është një tjetër aftësi e fondit që edhe kur japin pak para bën që të duken si shumë. Në këtë pike jemi në një debat që vazhdon. Fondi u bë investitori i parë i huaj në industrinë e sigurimit në Shqipëri përmes SIGAL dhe që nga ajo kohë në fakt, mori startin dhe hovin e vet kjo industri, ndërkohë që kompania në fjalë është një kompani që ka një shtrirje rajonale. Fondi krijoi konsorciumin ndërkombëtar për të ndërtuar dhe menaxhuar Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës edhe këtë me shumë sukses megjithëse edhe për këtë kemi një debat që vazhdon. Fondi udhëhoqi një partneritet ndërkombëtar për të krijuar shoqërinë për prodhimin e dokumenteve të sigurisë dhe bëri të mundur transformimin rrënjësor të pasaportave dhe të letërnjoftimeve të shqiptarëve.

Sot, mbi 75% e popullsisë shqiptare kanë pasaporta biometrike, të standardeve të sigurisë shumë herë më të larta sesa të shumë vendeve të Bashkimit Europian. Nuk dua të them me këtë se jemi të dytët pas Gjermanisë, por dua të them që në këtë rast, Fondi, edhe si herë të tjera, tregoi ambicie për të qenë me hapin e kohës dhe jo për t’u mjaftuar me çka shpeshherë, gabimisht, mjaftohen shumë sipërmarrës në Shqipëri, vendas apo të huaj, “good for Albania”, të tjerat i shohim më vonë.

Sot, 99% e qytetarëve në moshën e lejuar kanë letërnjoftime elektronike. Gjithashtu, në vitin 2009 dhe kjo është një tjetër pjesë shumë e rëndësishme e kësaj historie 20vjecare, Fondi krijoi një organizatë të vetëm të trashëgimisë, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me një kapital bazë mbi 185 milionë dollarë. Këtë shifër na e kanë dhënë djemtë e Fondit. Unë nuk e di se çdo të thotë “mbi”, po të paktën ato “mbi” na i jepni ne.

Fondacioni është tashmë organizata jofitimprurëse më e madhja në Shqipëri, që ka investuar në 25 projekte, duke kontribuar – edhe këtu e kanë thënë mbi 18 milionë dollarë, – në arsim, sipërmarrje, zhvillimin e lidershimit dhe mbështetjen për zhvillimin kulturor dhe eko-turizmin. Unë nuk jam llogaritar i mirë, por kapitalin bazë e ka mbi 185, deri tani kanë investuar mbi 18 milionë, unë shpresoj shumë që do të kemi rritje progresive, edhe tani që Fondi u bë 20 vjeç dhe është plotësisht i pjekur për të hyrë në dhjetëvjeçarin e tretë të jetës, që është edhe ai që vendos fatet e qenieve.

Investimet amerikane në Shqipëri janë rritur dhe konsoliduar në këto dy dekada, natyrisht. Janë shumë biznese amerikane, janë 157 biznese amerikane fiks, nuk po them mbi 157, por besoj që nuk gaboj dhe nuk e bëj këtë për të shtuar meritat e Fondit, që Fondi ka pasur edhe meritën që të krijojë besim tek investitorët e tjerë. Historitë e suksesit, qoftë të Fondit, qoftë të sipërmarrjeve të tjera, në këndvështrimin tim jam promovimi më i mirë që mund t’i bëhet Shqipërisë përsa i përket aftësisë për të siguruar investime dhe për t’i bërë të mundura zhvillimet e investimeve.

Nuk e harrova, por desha ta veçoj si një shembull fantastik suksesi të Fondit, krijimin e Bankës Amerikane të Shqipërisë në vitin 1998, e cila jo thjesht ishte një bankë ndër bankat, por ishte banka që transformoi sektorin bankar në Shqipëri, që futi produkte moderne dhe novatore, qoftë për sipërmarrjen, qoftë për individët. Të gjithë ata që kanë pasur lidhje me atë bankë, që unë njoh, – unë jo vetë, nuk ka pasur, – e kujtojnë me nostalgji Bankën Amerikane të Shqipërisë. Fondi vendosi ta shiste, mbase vendos ta blejë, bazuar tek gjithë kjo nostalgji që ka lënë, kush e di mund të jetë një operacion i suksesshëm. Por e sigurt është që Banka Amerikane e Shqipërisë arriti të bëhet institucioni i dytë më i madh financiar në Shqipëri dhe i ka shërbyer 120 mijë klientëve. Nuk po them kush ishte kapitali fillestar, se ishte shumë qesharak si madhësi, në krahasim me rezultatin e jashtëzakonshëm që arriti.

Doni më për Belulin. Në këtë rast Beluli është Fondi, nuk jam unë. Nuk e di si e përktheu përkthyesja Belulin, por edh Beluli është pjesë e historisë tonë, sidomos e historisë së këtyre 20 e ca viteve ku e kemi parë në forma e emra të ndryshëm.

Nuk më mbetet veçse t’ju shpreh mirënjohjen, të gjithë atyre që janë pjesë e kësaj historie suksesi 20 vjeçar, t’ju them me gjithë zemër gëzuar 20 vjetorin, t’ju uroj të rriteni me gjithnjë e më shumë mend në kokë dhe pavarësisht sesa shumë do të rriteni, të mos e humbisni asnjëherë pasionin dhe mundësisht, edhe naivitetin revolucionar të ditëve të para. Të atyre ditëve kur Fondi nisi si një përpjekje e fundit në radhën e gjithë Fondeve të krijuara nga Presidentët e Shteteve të Bashkuara, për t’u transformuar në një histori kaq evidente suksesi. Një histori ku Fondi ka edhe një meritë tjetër, që është bërë një nga të paktat tema, raste, emra që nuk krijon shkak për luftë politike. Pra, duhemi, s’duhemi, Fondin e duam.

Shumë faleminderit!

 

***

Sikur kjo të mos ishte e organizuar paraprakisht, mua do të më ishte dukur si hakmarrje e Fondit, për faktin që nuk e përmenda këtë program tek gjithë sukseset dhe arritjet e Fondit. Por, faktikisht, ishte e organizuar dhe me plotë të drejtë, besoj, në këtë ditë të posaçme përvjetori për Fondin, ku Fondi mori dhe Medaljen e Mirënjohjes, u zgjodh që këtu të mos vinin të gjithë protagonistët e atyre sukseseve, as bankierët, as tregtarët, as përfaqësuesit e qyteteve ku ka ndërhyrë Fondi, por të vinin protagonistët e këtij programi që është një program i ri. Nënvizoj atë që tha Michael, një program që sjell edhe një herë një model.

Michael tha që qeveria po tregohet e gatshme që ata që ata i përgatisin, t’i përfshijë. Sikur të përgatisin më shumë, do ishim më të kënaqur dhe do t’i përfshinim. Por, nga ana tjetër, si në të gjitha historitë e Fondit, këta me pak bëjnë shumë. Nuk është thjesht numri i personave që trajnohen dhe rrisin kapacitetin e tyre përmes këtij programi, por është programi që na e jep mundësinë të zgjerojmë rrugët përmes burimeve të tjera dhe vetë institucioneve, për ta përftuar dhe konsoliduar këtë model.

Do ta mbyll me një shprehje të John Kennedy, që i shkon shumë këtij momenti, por edhe Fondit që ka bërë këtë zgjedhje. John Kennedy në një rast tha “Leading and teaching are part of the same thing”. Faktikisht, Fondi drejton, por edhe mëson. Nuk po zgjatem për të thënë që mbas kësaj është edhe një qëllim afatgjatë i Michael, për të ripërtërirë gjeneratën e anëtarëve të Bordit, sepse Fondi është i krijuar dhe i destinuar që të jetojë, siç e tha dhe Michael, përtej, tanimë, atyre që e kanë krijuar. Kështu që ju vajza dhe djem mos u çudisni sikur një ditë, – jo tani, po mbas disa vitesh, – të merrni një telefon nga Michael Granoff dhe t’ju propozojë ndonjërin nga ju që të bëheni anëtarë të Bordit të këtij Fondi.

Shumë faleminderit për praninë tuaj këtu! Edhe njëherë mirënjohje për gjithë kontributet që keni dhënë dhe sidomos për ato që do jepni në të ardhmen