Edi Rama: Tani bota po na respekton ndryshe

Kreu i qeverisë ka dhënë një intervistë në lidhje me qëndrimin e tij në Nju Jork. Duke folur për Kosovën, Rama thotë se njohja e saj është diccka pozitive edhe për vetë Serbinë. “Do të organizojmë një samit të parë për të gjithë diasporën. Në samit, do të marrin pjesë njerëz me kontribute” – thotë Edi Rama.

Zoti kryeministër, ju patët një axhendë të ngjeshur taksimesh në Nju York, përfshirë një nga më të rëndësishmet ose më i rëndësishmi ai me presidentit e SHBA, Barack Obama. Në përfundim të kësaj vizite zyrtare në SHBA me çfarë konkluzionesh ktheheni në Shqipëri?

Besoj që këtë herë me plot të drejtë mund të ndjehemi mirë për faktin që ishte sa një mundësi për të shprehur mendimet tona, aq edhe një mundësi për të konstatuar evoluimin që roli i Shqipërisë dhe politika jonë e jashtme kanë sjellë në imazhin e vendit tonë. Jemi respektuar posaçërisht. Unë këtu bëj një krahasim me dy vjet më parë kur unë isha në OKB këtu në Nju York, sapo ishte formuar qeveria. Jemi vënë në kushtet ku na është dhënë mundësia të flasim dhe të japim kontributin tonë dhe jemi vlerësuar realisht për çka Shqipëria ka bërë në këtë periudhë kohe dhe për çka ne kemi kontribuuar në këtë sesion kaq të posaçëm për faktin se në sesionin e radhës u ra dakord edhe për axhendën e zhvillimi të 15 viteve të ardhshme.

Përsa i përket fjalës në Asamblenë e Përgjithshme

Përsa i përket Kosovës, besoj që jo thjesht sepse ky është një detyrim i patjetërsueshëm për këdo që përfaqëson Shqipërinë në çdo forum ndërkombëtar, por edhe sepse në fazën në të cilën ndodhet sot rajoni, njohja plotësisht e Kosovës dhe integrimi i saj në Kombet e Bashkuara do të ishte një shtysë e madhe për procesin e paqes dhe ndërveprimin rajonal dhe do të ishte një gjë shumë e mirë dhe për vetë Serbinë. Unë e pashë të udhës të këmbëngul në këtë tezë. Nga ana tjetër, përsa i përket Kartës Globale është një ide që është pritur jashtëzakonisht mire dhe kjo më ka inkurajuar ta përsëris që ne të bëhemi bashkë me vendet e tjera, por ne do ta fillojmë këtë si Shqipëri për të përfshirë në kurikulën e sistemit tonë arsimor një kartë vlerash, që do të thotë një kartë ku të gjithë fëmijët edhe më të rinjtë të njihem me domosdoshmërinë dhe të kuptojnë domosdoshmërinë e respekti të fesë së tjetrit, të identitetit të tjetrit, të ngjyrës së tjetrit të historisë së tjetrit e kështu me radhë. Kuptohet, kjo kërkon një artikulim më të detajuar dhe më të gjerë dhe ne kemi filluar të punën për këtë.

Takimet me Diasporën dhe propozimi për samitin e saj.

Ne jemi angazhuar prej më shumë se një viti në një projekt bashkëpunimi me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvardit dhe pjesë e këtij projekti është edhe Diaspora. Gjatë këtij viti kemi punuar për të identifikuar një qasje të re ndaj diasporës duke konsideruar edhe opinionet, vlerësimet, gjykimet dhe paragjykimet e mundshme në Diasporë lidhur me Shqipërinë, gjë për të cilën kemi bërë dhe një anketë shumë profesionale me e diasporën shqiptare në Amerikë. Mbi këtë bazë kemi vendosur të organizojmë një samit të parë të Diasporës ku do të ftojmë njerëz nga e gjithë Diaspora shqiptare në Amerikë ose Europë, njerëz me kontribute të kahershme, njerëz me kontribute të reja, njerëz të sferave të ndryshme për të bërë një diskutim të madh kombëtar për të parë se çfarë mund të bëjmë sëbashku lidhur me marrëdhënien dhe ndërveprimin me diasporën.