Partizani i vë “frena” Kukësit, Tërbuni kapitullon në Durrës

Dy ndeshjet e para të javës së 4-ët të Kategorisë Superiore shënuan fitore për ekipet vendase. Teuta fitoi 3-1 ndaj Tërbunit, ekipit debutues të këtij sezoni. Pukjanët pësuan në Durrës humbjen e katërt radhazi. Kukësi pretendent për titull u dorëzua përballë Partizanit, në kryeqytet, duke shënuar humbjen e dytë radhazi përballë një skuadre rivale dhe direkte për titull. Kjo humbje lëkund ndjeshëm edhe pozitat e trajnerit brazilian, Troisi. Të Kuqtë, sikurse Teuta por kjo e fundit pa shumë pretendime, kanë nisur t’i bëjnë presion Skënderbeut që ka tre fitore radhazi dhe pret Tiranën të hënën në një përballje tjetër  mes rivalësh për titull.  

Partizani-Kukësi 2-0  

Partizani priti Kukësin, në “Qemal Stafa” një përballje direkte për titull. Ndeshja nis me ritëm, por Kukësi dukej më i qartë dhe më agresiv në minutat e para. Brazilianët Moreira, Flores dhe Karioka luajnë bukur, duke krijuar edhe hapësira në mbrojtjen e Partizanit. Mungon finalizimi dhe porta e Alban Hoxhës mbetet e parrezikuar. Me kalimin e minutave, Partizani fillon të rikuperojë terren dhe sposton lojën në gjysmëfushën e Kukësit. Të Kuqtë gjejnë golin në 34’, pas krosit të Mazrekajt nga krahu i majtë. Askush nuk e ndal topin që shkon te Sebino Plaku, dhe ky i fundit, i vetëm përballë portierit Koçi e shtyn me këmbën e djathtë drejt rrjetës. Në avantazh Partizani. Në pjesën e dytë, Kur Kukësi tentoi të barazonte shifrat, në 58’ vjen goli i sigurisë. Shënon Xhevahir Sukaj falë një 11 metërishi. Ndoni shkaktoi faull ndaj Fejzullahut dhe gjyqtari Sino nuk hezitoi të jepte penallti në favor të Partizanit. Për Kukësin, shënohet një shtyllë në minutat e mbetura, por mungoi goli që do të rihapte lojën. Të kuqtë morën kryesimin pas javës së katërt, por mund t’ia dorëzojnë atë sërish Skënderbeut, nëse do të fitojnë edhe ndeshjen e katërt radhazi korçaret brenda fushës së tyre.     

Teuta-Tërbuni 3-1

Në “Niko Dovana” të Durrësit, të besuarit e Gugash Maganit u rikthyen te suksesi, pas disfatës ndaj Kukësit, duke mposhtur 3-1 ekipin e Tërbunit dhe duke vijuar ecurinë pozitive të këtij fillim sezoni. Ky ishte triumfi i 3-të i kampionëve për Teutën që falë kësaj fitoreje u ngjit në kuotën e 9 pikëve po aq sa edhe Skënderbeu që luan të hënën përballë Tiranës. Në 11’.  Eri Lamcja pas një kombinimi shumë të bukur me Hodon goditi në mënyrë perfekte nga një distancë e largët duke lënë të shtangur portierin e Tërbunit, Eglant Haxho. Të besuarit e  trajnerit Samuel Nikaj, 8 minuta më pas barazuan shifrat me sulmuesin e tyre kryesor Arbër Dhrami, i cili mes mbrojtësve të Teutës dhe me një goditje teknike mposhti portierin Rizvani. Durrsakët me kalimin e minutave e rritën  ndjeshëm presionin drejt portës së Tërbunit duke gjetur sërish golin e avantazhit në të 34’. Artur Magani, djali i trajnerit Gugash Magani, i dha epërsinë formacionit durrsak. Për t’i dhënë goditjen përfundimtare skuadrës pukjane mendoi 18-vjeçari Nazmi Gripshi që në minutën e 91-të shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë të vendasve duke shënuar edhe golin e tretë. Teuta pret e qetë pas kësaj fitoreje ndeshjen e radhës ndaj Tiranës në kryeqytet.

Kategoria Superiore

Java IV: 19 shtator 

Partizani-Kukësi               2-0   

Teuta – Tërbuni                3-1      

20 shtator

Laçi-Bylis                        16:00

Flamurtari-Vllaznia          19:00

21 shtator 

Skënderbeu-Tirana         20:00

 

Trajneri i Tërbunit:

Nikaj: Të tjerë fusin hundët në ekip, do të shoh pozicionin tim

Trajneri i Tërbunit, Samuel Nikaj pas humbjes ndaj Teutës tha se ka persona të cilët po futin hundët në punën e tij duke mos e lënë të punojë i qetë. – “Ishte një ndeshje ku prodhuam futboll. Bëmë gabime individuale, veçanërisht në dy golat e parë me portierin dhe goli i tretë me Lilajn. Duhet të ishim më të kujdesshëm, pasi mund të merrnim pikë,” – u shpreh Nikaj. –  “Në dhoma futen njerëz që futin në presion skuadrën dhe japin mend për futbollin. Jemi profesionistë dhe nuk mund të vijnë të japin mend në dhomat e zhveshjes që nuk kanë lidhje me sportin. Nuk jemi ekip amator, që të ndodhin këto gjëra. Do rishikoj pozicionin tim, sepse duhet ta di kush është i pari dhe i dyti në klub. Kam ardhur të bëj punën time dhe nuk mund të pranoj që njerëz të tjerë të fusin hundët në skuadër. Gjithashtu edhe financat nuk janë aspak të sigurta. Në këto kushte do kërkoj një takim me drejtuesit dhe të sqaroj gjithçka ”, deklaroi pas ndeshjes Samuel Nikaj.