“Narkoterroristët vranë pas humbjes, PD vazhdon të jetë në krah të tyre dhe kundër policisë”

 

Deputeti socialist, Erjon Braçe e lidh ngjarjen e rëndë të ndodhur në Lazarat me rezultatin e zgjedhjeve për pushtetin vendor dhe i kërkon Partisë Demokratike që të distancohet nga nga ata që i quan “narkoterroristë”.

Narkoterrorizmi godet sërish dhe vret një punonjës të Policisë së Shtetit.

Bandat e narkoterrorizmit kanë goditur dhe vrarë një prej efektivëve të RENEA-s dhe kanë plagosur dy të tjerë në Lazarat.

Për orë të tëra me radhë, narkoterroristë që strehohen në Lazarat kanë terrorizuar gjithë Gjirokastrën me të shtëna armësh, pas humbjes historike në zgjedhjet vendore.

Vetë fituan! Dhanë 1900 vota për PD, por e humbën Gjirokastrën, ndaj shfrynë dufin duke terrorizuar një rreth të tërë. Policia ka ndërhyrë dhe ka ndaluar agresorët.

Por mesa duket jo të gjithë.

Narkoterroristët kanë hapur zjarr të pandalshëm kundër policisë dhe kanë vrarë një efektiv e plagosur dy të tjerë.

Ky është bilanci i zi i krimit sot!

Një gjë më bën përshtypje; qëndrimi i PD gjithnjë në krah të narkoterrorizmit që strehohet në Lazarat dhe kundër Policisë së Shtetit.

Rezulton se në çdo rast të ngjashëm, nuk ka asnjë të lënduar nga narkoterroristët që strehohen në Lazarat, por ka të vrarë nga policët! Ky është rasti kur politika është tërësisht e lidhur me krimin.

Nëse doni dekriminalizimin, dekriminalizimi duhet të nisë këtu, nga Lazarati”, shkruan në rrjetet sociale, Erjon Braçe.