Rama: Era e rilindjes ka nisur të fryjë në qytetet tona

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane në bashkinë e Përmetit, Gilberto Jaçe.

“Kandidati ynë, në këto 4 vjet ka treguar se është njeriu i duhur dhe jam i bindur se me mbështetjen tonë të fuqishme për Përmetin dhe planet e përbashkëta me bashkinë, ne do t’ia dalim që fillimin e punës për Rilindjen e Përmetit ta çojmë më tutje dhe që në 4 vitet e ardhshme të bëjmë për Përmetin ato që nuk janë bërë në 20 vjet të marra së bashku”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se, “Bashkia Përmet është sot me potenciale të mëdha që kanë nevojë për vëmendje, kujdes dhe vizion të qartë”.

Kryeministri ka premtuar se, Aleanca për Shqipërinë Evropiane do të bëjë investime në infrastrukturë, në bujqësi, si dhe në programet e nevojshme për të rinjtë.

“Mendoj se Gilberto e ka këtë vizion dhe mendoj se ne e kemi programin e duhur për t’i dhënë shtytje përmes investimeve që do të bëjmë si në infrastrukturë dhe në nxitjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral në Përmet”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se përmetarët janë të urtë dhe të arsyeshëm për të kuptuar vështirësitë që ka pasur bashkia e Përmetit këto 4 vite. “Duhet kujtuar se në vitet 2012-2013 bashkia e Përmetit, ashtu si çdo bashki që drejtohej nga socialistët, u bllokua tërësisht nga çdo investim nga qeveria në Tiranë, e cila i shihte si kështjella për t’i marrë. Ndërsa këto dy vite ka filluar të fryjë era e rilindjes në qytetet tona”, tha Rama.

“Vota e 21 qershorit, mbështetja për Gilberton, do të jetë fillimi i një mandati të ri për Përmetin dhe përmetarët”, u shpreh Rama.

“Do të investojmë në programet e duhura arsimore që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre këtu dhe që përmes arsimit profesional të ndërtojnë një jetë të denjë këtu në Përmet”, tha Rama.

Rama shtoi se brenda një viti banorët e Përmetit do të jenë dëshmitarë të një ndryshimi rrënjësor sa i takon sistemit të kanalizimit të ujërave, në infrastrukturën shkollore, etj.