Tirana superiore para derbit me Partizanin, Kukësi direkt pas humbjes në stërvitje

Tirana ndali kryesuesit e kampionatit, Kukësin, duke i rritur shanset e saj për t’u rikthyer tek titulli kampion. Bardheblutë do të luajnë më 12 mars në derbi ndaj Partizanit dhe ndryshe nga të kuqtë që pësuan një goditje të fortë në Shkodër, në ambicjet  e tyre për titullin kampion, zbresin në fushë me moral më të lartë dhe me pretendime më të mëdha për ta fituar ndeshjen. Pas humbjes me Tiranën,  Kukësi me urdhër të presidentit ka dalë menjëherë në stërvitje për dy ndeshjet e radhës.     

Tirana, Bushiç bast i fituar nga Magani

Në fillim të sezonit, trajneri Gugash Magani do të shprehej se sulmuesi kroat Tomislav Bushiç ishte basti i tij, mirëpo kroati ka qenë gjithmonë në qendër të kritikave, për shkak të golave të munguar me fanellën bardheblu. Deri para sfidës së fundit të zhvilluar në “Niko Dovana”, ndaj Kukësit, 30-vjeçari kishte mundur ta dërgonte vetëm një herë topin në rrjetë, pikërisht në fitoren 2-1, ndaj Elbasanit, në fazën e parë. I vënë në presion nga tifozeria, por edhe nga statistikat zhgënjyese, Magani edhe pse kishte mungesa të rëndësishme në formacionin në fazën sulmuese e nisi takimin me verilindorët me Bushiç në stol.  Në mungesë të alternativave, trajneri peqinas e hodhi në fushë kroatin në të 63-tën në vend të Kahata dhe vetëm pas 9 minutash lojë, ai i dha avantazhin Tiranës. Një gol me shumë peshë që u pasua me një përqafim të ligjshëm me tifozërinë, që e kishte kritikuar aq shumë. Bushic nuk do të ndalej me kaq. Në 78’, pas një kundërsulmi të shpejtë të bardhebluve, kroati ftoi mesfushorin Gjergj Muzaka për golin e dytë, duke dhuruar një asist perfekt. Pas 22-ndeshjesh me Tiranën, Tomislav Bushiç zhvilloi ndoshta 90 mintëshin e tij më të mirë me skuadrën kryeqytetase.  Magani mund të marrë frymë lirisht, sepse Tirana e tij mbetet një nga skuadrat pretendente për ta fituar titullin dhe nëse arrin ta ngrejë lart trofeun për të rëndësishëm në vend, Tomislav Bushiç mund të quhet një bast i fituar prej tij.

Kukësi, nga humbja me Tiranën drejt e në stërvitje

Humbja me Tiranën në “Niko Dovana” të Durrësit, 0-2, i ka sjellë edhe humbjen e kreut të klasifikimit ekipit të Kukësit, madje i ka shkaktuar një goditje të rëndë psikologjike. Skuadra verilindore zbriti menjëherë në stërvitje, në ish-kompleksin Dinamo, me urdhër të presidentit Safet Gjici, që mbeti i zhgënjyer nga paraqitja e nën-kampionëve të Shqipërisë, në ndeshjen e javës së fundit.  Forma e dobët sportive duhet të lihet pas, me impenjimet maksimal në stërvitje, madje pa bërë asnjë ditë pushim në mbyllje të ciklit javor. Heshtja për shtyp e vendosur pas  takimit me bardheblutë do të vijojë edhe gjatë kësaj javës, pasi futbollistët duhet ta thonë fjalën e tyre në fushën e blertë. Për gati gjysmë ore trajneri Artim Shaqiri dhe drejtori teknik Ramadan Shehu bënë analizën e humbjes së fundit, duke u kujtuar lojtarëve se duhet të bëjnë kthesën që në ndeshjen e radhës me Flamurtarin në “Zeqir Ymeri”. Kukësi tashmë ia ka lënë vendin Skënderbeut në krye të renditjes, por kalendari në vazhdim është favorizues për skuadrën e Artim Shaqirit, sepse pas Flamurtarit skuadra verilindore pret  në “Zeqir Ymeri” Vllazninë, një tjetër skuadër pa objektiva në kampionat. Në këto kushte, Kukësi mund të përfitojë ndeshjet më të vështira të rivalëve, por humbja e kryesimit ka krijuar një atmosferë jo fort të këndshme.