Rama e Veliaj inagurojnë Qendren Rinore Tiranë, e bllokonte bashkia

Nga sot, të rinjtë e Kryeqytetit kanë një hapësirë të posaçme, ku përveç mundësisë për të shprehur talentin, krijimtaritë apo zërin e tyre, ambientin mund ta shfrytëzojnë edhe për debate dhe programe specifike me fokus rininë. Kryeministri z. Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, përuruan sot Qendrën e parë Rinore në Tiranë, si hapësirën e vetme për të rinjtë kryeqytetas, mundësuar edhe me mbështetjen financiare të World Vision dhe Raiffeisen Bank.

 Kryeministri Rama e cilësoi këtë qëndër si dallëndyshen e parë që lajmëron pranverën, pasi sipas tij qeveria synon që të hapë një qëndër rinore për çdo bashki. “Është qëndra e parë që do pasohet shumë shpejtë, e dyta në Korçë, pastaj një tjetër në vlorë e kështu me rradhë me ambicien që brenda këtij mandate ne të kemi qëndra rinore në të gjitha bashkitë, të paktën kryesore dhe më pas mundësisht në bashkëpunim me pushtetin e ri vendore ne të ndërtojmë për çdo bashki një qëndër e re rinore”, – tha kryeministri Rama. Ai nuk ka lënë pa thumbuar edhe kryebashkiakun Lulëzim Basha, i cili sipas tij ka ikur nga Bashkia. “Organizatorët kishin pak mërzi se e kanë ftuar kryetarin e bashkisë dhe ai nuk ka ardhur, por me siguri e kanë çuar ftesën te bashkia e Tiranës dhe kryetari nuk është aty. Kështu që nuk është se ska dashur të vij por si ka mbëritur ftesa se ka kohë që ka ikur nga bashkia e Tiranës. Por jam i bindur kur ta dëgjojë përmes meje dhe përmes televizionit se u hap kjo qëndër ai sërisht nuk do të vi se nuk merret me Tiranën”, – tha më tej Rama.

Ndërkaq, ministri Veliaj ndërsa i uroi të rinjve mirëseardhjen në këtë qëndër rinore, u shpreh se kjo është një hapësirë që është projektuar për të shpërndarë kulturë. “Ne të majtët besojmë se më shumë hapësira publike duhet ti kthehen publikut dhe jo privatit. Ne besojmë që të rinjtë nuk kanë nevojë për kafe dhe klubin e 1001. Por kanë për të qëndrën e parë rinore. Dhe më vjen mirë që me vendimin e djeshëm të kryeministrit dhe qeverisë do kemi qëndrën e dytë rinore në qytetin e Korçës, ku një tjetër klub do kthehet në qëndër rinore. Veprat tona janë ashtu siç themi, ne besojmë tek kazinotë që kthehen në zyra pune, në klubet që kthehen në qëndra rinore. Dhe ne besojmë te energjia e të rinjve tanë”, – tha ministri Veliaj. Ai ftoi drejtuesit e kësaj qëndre që të organizojnë një axhendë të tillë ku çdo javë të ketë një grup të rinjësh që e shfrytëzon për të promovuar talentin, pasionin, dhe aftësitë që ata kanë për të bërë gjera të bukura.

Nga ana e tij, drejtori kombëtar i World Vision në Shqipëri dhe Kosovë, z. Reinder Dekker, tha se bashkëpunimi me Shërbimin Kombëtar të Rinisë për hapjen e qendrave të tjera rinore në Shqipëri do të vazhdojë sepse është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë hapësira ku të takohen me njëri-tjetrin dhe të zhvillojnë talentet e tyre. “Mezi presim që kjo Qendër Rinore t’u shërbejë të rinjve të Tiranës… kemi parë shndërrime të mrekullueshme të të rinjve kur atyre u jepen mundësitë e duhura, siç është kjo qendër sot”, nënvizoi ai.

Themelimi i Shërbimit Kombëtar për Rininë në Korrik 2014, si institucion varësie i MMSR-së në zbatim të politikave dhe strategjive për Rininë, parashikon funksionimin e tij nëpërmjet qendrave rajonale rinore. Qendra e Tiranës është e para syresh. Përveç se është hapësira e vetme për të rinjtë e Tiranës, simbolikisht përfaqëson një ndërrim faqeje në filozofinë e përdorimit të hapësirave publike.

Me hapjen e qëndrës i hapet dera të rinjve të kryeqytetit për t’u rritur në empati, krijimtari dhe qytetari, duke ofruar jo vetëm mjedisin, por edhe programe specifike që ndihmojnë në kultivimin e individëve produktiv për shoqërinë dhe të ardhmen e tyre.