Shqipëria e guvernatorëve apo Shqipëria e të zgjedhurve

Pas propagandimit të idesë se bashkitë e ardhshme duhet të drejtohen nga administratorë të aftë, duket se fshihet një rënie e mëtejshme në standardet demokratike të vendit dhe zhvlerësimi i mëtejshëm i votës së qytetarëve apo fuqisë së qytetarëve për të zgjedhur vetë qeverisësit.

Nga Gjergj ErebaraBIRN

 

Reforma administrative dhe territoriale mund të jetë një hap i mirë drejt mirëadministrimit të vendit dhe këtë nuk e mohon dot kush. Thënë këtë, duhet të shtojmë se mirëadministrimi në kushtet e numrit më të vogël të njësive të pushtetit vendor është një mundësi, por kurrsesi një garanci.

Por ka gjasa që kjo reformë të kthehet në një hap thelbësor pas drejt sundimit të vendit pa votime, ose me procese zgjedhore të parëndësishme, një hap drejt asaj që në Ballkan po njihet si “demokraci joliberale”.

Gjatë javëve të fundit nga klasa politike ka një propagandim në rritje të idesë se drejtuesit e ardhshëm të 61 bashkive të vendit duhet të jenë “administratorë të aftë”. Shoqëruar kjo me mosekzistencën e demokracisë së brendshme te të tri partitë kryesore të vendit, kjo ideja e administratorëve duket sikur fsheh idenë për të patur guvernatorë të emëruar nga lartë dhe jo zyrtarë të pushtetit vendor të zgjedhur nga populli.

Pushteti vendor në Shqipëri ka qenë thellësisht i partitizuar, dmth që partitë (nënkupto kryetarët) qenë në gjendje gjatë 15 viteve të fundit të përcaktonin deri në imtësi se cili qe kryekomunari apo kryebashkiaku dhe cilët ishin anëtarët e këshillave bashkiakë.

Gjithsesi, pasja e 373 njësive të qeverisjes vendore e bënte pak më të vështirë procesin e përcaktimit nga lartë të çdo personi me post. Kjo vështirësi dallohej edhe nga fakti që në zgjedhjet për pushtetin vendor, në përgjithësi, partitë e vogla kanë qenë të afta të marrin më shumë vota se sa në zgjedhjet parlamentare. Kjo aftësi e partive të vogla për të marrë më shumë vota dukej se lidhej ngushtë me faktin e thjeshtë se deri në zgjedhjet e vitit 2011, në Shqipëri garohej për postet e 6400 anëtarëve të këshillave bashkiakë e komunalë, ndërsa numri i kandidatëve për anëtar këshilli qe disa herë më i lartë. Shkurt, në zgjedhjet për pushtetin vendor kandidati kishte një rol shumë më të madh se sa në zgjedhjet për pushtetin qendror.

Tani situata është bërë më e thjeshtë. Shqipëria do të ketë 61 bashki e rreth 1500 këshilltarë bashkiakë. Këto 61 kryebashkiakët e ardhshëm do të kenë të drejtë të emërojnë dhe shkarkojnë rreth 312 administratorë në komunat dhe bashkitë që shkrihen.

Në ndryshim nga zgjedhjet e të shkuarës, në zgjedhjet e ardhshme për pushtet vendor elementi parti dhe kryetar partie do të jetë shumë herë më i fuqishëm. Kryetarët e partive nuk do të kenë më nevojë të përcaktojnë 373 kandidatë për kryetarë e mbi 6400 kandidatë për anëtarë këshillash. Ata do të duhet të emërojnë vetëm 61 njerëz të besuar dhe këta njerëz të besuar do të kenë për detyrë të emërojnë e shkarkojnë sipas qejfit rreth 5 administratorë secili.

Në këto kushte, aftësia e shqiptarëve për të përcaktuar me votë drejtuesin e vet duket se është zvogëluar në raport me zvogëlimin e numrit të njësive të pushtetit vendor.

Nëse ka ndonjë problem madhor me sistem aktual zgjedhor për pushtetin vendor është pikërisht formula e listave të mbyllura. Shqiptarët nuk e kanë shumë të qartë që anëtarët e këshillave bashkiakë, njësoj si deputetët, dalin nga lista të mbyllura të partive. Partitë janë në gjendje të përcaktojnë jo vetëm se kush do të jenë kandidatët për kryetar bashkie, por edhe se kush është anëtar i këshillit bashkiak. Qytetarët mund të zgjedhin partinë, më saktë, mund të votojnë kryetarin e partisë, por kurrsesi përfaqësuesin e vet në këshill.

Reforma aktuale territoriale ka edhe një problem tjetër të rëndë: me uljen e numrit të këshilltarëve, shoqëruar me listat e mbyllura, pesha elektorale e komuniteteve të vogla është zvogëluar ndjeshëm. Kjo do të thotë se, fjala vjen, banorët e Zall Bastarit, kanë të drejtë të votojnë për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, por nuk kanë asnjë shans që të kenë një përfaqësues në këshill. Ata mund të kenë përfaqësues në Këshill vetëm në rast se partitë politike përkatëse e shohin të arsyeshme. Kjo bën që organet e ardhshme të pushtetit vendor të jenë përfaqësues të politikës qendrore nëpër Shqipëri, por kurrsesi përfaqësues të popullit. Në kushtet aktuale, rreziku është që fshati shqiptar të jetë i papërfaqësuar në këshillet bashkiake ose i nënpërfaqësuar në raport me peshën e vet elektorale. Ajo çfarë mund ta rregullojë pjesshëm këtë problem është një proces departitizimi, dmth lista të hapura, ose një proces demokratizimi i brendshëm i partive, dmth zgjedhje primare brenda partive. Për fat të keq, asnjëra nga të dy zgjidhjet nuk duket në horizont.

Shqiptarët do të kenë të drejtën e votës, por kurrsesi të drejtën për të zgjedhur përtej kandidatëve dhe listave të të emërtuarve nga lart.