Arratisja e Stresit nga Komisariati, arrestohen 3 punonjës policie

3 punonjës të policisë janë arrestuar pas arratisjes së Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si këngëtari Stresi, nga  qelitë e Komisariatit Numër 3, pasi ishte shoqëruar nga policia.
 
 
 Ditën e dielëm,  Shërbimi për Çështjete Brendshme dhe Ankesatnë Ministrinë e Punëve të Brendshme ka kryer arrestimin në flagrancë të tre punonjësve të policisë:
 
1.      Saimir Cinga, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Ndihmës Specialist për Linjat Interurbane në Njësinë e Qarkullimit Rrugor Tiranë
2.      Bashkim Dybeli, 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë trupë shërbimi në Komisariatin Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë.
3.      Mark Gjonpalaj, 46 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë së Qarkullimit Rrugor Tiranë
 
Këta punonjës policie me veprimet dhe mos veprimet e tyre, në mospërputhje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë largimin e personit të kapur në flagrancë Arkimed Lushaj, nga ambientet e policisë Gjyqësore Rrugore në rrugën “Mine Peza”. Shtetasi Arkimed Lishaj është shpallur në kërkim policor.
 
 Materialet në ngarkim të tre punonjësve të policisë i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Tiranë.

Stresi ishte arrestuar nga efektivët blu ditën e shtunë,  pasi ishte kapur me shkelje të rregullave të qarkullimit dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit nr.3, ku sipas burimeve policore u arratis duke u hedhur nga kati i dytë i këtij komisariati.