Triptik Janari

Nga Artur Zheji

Dolën më në fund në qarkullim tri kandidaturat e para për fushatën e pritshme elektorale vendore. Ish-kryeministri Berisha propozon për kandidim në betejën e ardhshme të Tiranës, Lulëzim Bashën. Por nga ana tjetër kemi edhe Artan Lamen, që 48 orë më parë bëri një hap të guximshëm përpara për Tiranën. Agron Duka, aktualisht deputet i Partisë Republikane, bëri edhe ai hapin e vet për të bindur të Djathtën që të garojë për kryetar bashkie në Durrës. Sigurisht në këtë fazë, këto sinjale që grisin heshtjen paraelektorale, janë si ajo puna e  sinjaleve të radarëve, të cilët hedhin një tufë rrezesh apo valësh, që pastaj, përmes “jehonës” apo rikthimit të deformuar të tyre, të kuptohet vullneti i “sferave të larta vendimmarrëse”.

Në të vërtetë, parashtrimi i Doktorit për Lulëzim Bashën, që pasoi prononcimin e Jamarbër Malltezit pak ditë më parë, nuk është një fjalë dosido. Themeluesi dhe lideri shpirtëror i Partisë Demokratike nuk është lehtësisht i kundërshtueshëm. Por gjithsesi, Berisha është në të drejtën e tij të kërkojë nga Lulëzim Basha këtë protagonizëm të ri elektoral. Sepse, ç’është e vërteta, kandidaturat e tjera politike që ka PD për Tiranën, janë në të vërtetë shumë nën staturën e Lulit. Sepse ndoshta, askush në këtë parti nuk mendon për kandidatura, edhe qytetare, përtej kandidaturave, ngushtësisht dhe rreptësisht të rreshtuara në repartet politike.

Në rastin e Lulëzim Bashës, janë së paku tri arsye që do të ngriheshin logjikisht kundër kandidimit të tij për kryetar bashkie në Tiranë.

E para lidhet me premtimin e tij solemn në fushatën për Tiranën të vitit 2011. Premtimin që lidhej me nevojën jetike që ka kryeqyteti për një kryetar bashkie me kohë të plotë. Me ambicie rrënjësore dhe thelbësore, shndërrimin modern dhe funksional të qytetit më të madh të shqiptarëve, një qytet, më një lëngatë të pashëruar dhe buzë një kolapsi të pritshëm urban, rrugor dhe viktimë e shpeshtë e vendimmarrjeve mendjelehta apo korruptive. Tashmë Lulëzim Basha është, në cilësinë e kryetarit të opozitës, një kandidat për kryeministër. Dhe ky është e duhet të jetë prioriteti i tij me kohë dhe energji të plota.

Së dyti, vetë qyteti ka nevojë për një kryetar bashkie vërtetësisht ambicioz për Tiranën. Një njeri të dashuruar dhe të realizuar në përkushtimin e shndërrimit të kryeqytetit. Pse jo, mundësisht në aleancë me pushtetin qendror. Modeli Rama e ka vërtetuar një herë këtë. Dy mandatet e tija të para si kryebashkiak, nën qeverinë Meta, apo nën qeverinë Nano, mandate në të cilat Bashkia e Tiranës kishte një supermbështetje, qoftë edhe me sfond elektoral kombëtar, patën padyshim efekte të ndjeshme, të spikatura dhe herë-herë brilante për Tiranën.

Kryeqytetasit dhe Kryeqyteti e kanë këtë nevojë të madhe, që të mos jetë një mollë sherri e politikës dhe politikave elektorale që lidhen kryesisht me marrjen e pushtetit qendror dhe kryeministror. Të mos jetë pra Tirana dhe beteja për Tiranën një pedanë kërcimi për zyrat kryeministrore, por një betejë e thjeshtë dhe thelbësore për rrugë më të gjera, për nënkalime dhe mbikalime, për një gjelbërim masiv, për Bulevardin e Ri, për Tiranën 2 në drejtim të Paskuqanit, për tramvajin si realitet dhe jo si aspiratë, e pra, për dimensionin njerëzor, estetik dhe etik të kryeqytetit.

E këto beteja nuk fitohen dot përmes dyzimit të karrierës për më lart apo në konflikt politik me pushtetin qendror. Qyteti nuk fiton asgjë nga kjo. Eksperienca e ka rrëfyer qartë tashmë.

Së treti, mund të rendisim edhe një parashtrim taktik dhe krejtësisht politik për interesat e karrierës së vet kryetarit të PD-së. Basha, në një kandidim të mundshëm, që padyshim i bën politikisht nder, për nga guximi dhe sakrifica, do të bënte një kalkulim politik të rrezikshëm. Në këtë fazë, e cila nuk mund të përmbyset dot kollaj deri në qershorin e ardhshëm, shumica e përbërë nga PS dhe LSI, duket dhe perceptohet edhe nga sondazhet, që ka një superioritet elektoral në Tiranë, të krahasueshëm së paku me atë të vitit 2007. Që do të thotë se një kandidim eventual i kryetarit të PD-së, Lulëzim Basha, përtej intensitetit spektakolar të padyshimtë të Fushatës, do të mund të sillte, në rast humbjeje, vënien në dyshim të lidershipit të tij në Parti.

Korrentet anti-Basha, tashmë qartësisht të ravijëzuara, do të kërkonin haptas, zgjedhje të reja në PD.

E pra Janari, me tallazet, shirat dhe ngricat e zbehta të këtij fillimviti, nuk iku pa i lëshuar sidoqoftë tri risi. Stimulimin e kandidaturës së Lulëzim Bashës për betejën e pritme për Tiranën, nga ana e ish-kryeministrit Berisha, parakandidimin e Agron Dukës për superbashkinë e Durrësit dhe bërjen një Hap Përpara të Artan Lames, në paradhomën e kandidaturave për Kryeqytetin.

Një triptik ende të ftohtë, por që parandjell një betejë të tensionuar. Le të përfytyrojmë pra se ç’do të sjellë pranvera që e kemi thjesht pas dere.

Gazeta "Mapo"